Shqipëria drejt revoltës

Shqipëria

Shqipëria drejt revoltës

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 20:46

Edi Rama ka kryer një banditesk dje në Kavajë. Fadromat e INUK me urdhër të tij shembën monumentin simbol të rezistencës së parë antikomuniste që nisi më 25 dhe 26 mars të vitit 1990 në Kavajë, monumentin e “Dy Gishtave”. INUK nisi shkatërrimin e monumentit në orët e para të ditës së djeshme mes protestës së shumë qytetarëve të Kavajës, protagonistë të ngjarjeve historike në revoltën antikomuniste në vitin ‘90 në këtë qytet. Përmes hakmarrjes primitive kundër demokratëve, por dhe rezistencës së tyre që çoi në rrëzimin e regjimit komunist, Rama shndërrroi dje obeliskun e “Dy Gishtave”, monumentin simbol, në pluhur dhe hi. Ky është një akt terrorist, të cilin Rama e premtoi në fushatën elektorale në qershor të 2013. “Monumenti nuk ka lidhje me simbolin, por me formën, Kavaja nuk e meriton, Kavaja ka një rol shumë të madh. Ne do e ndërtojmë sheshin. Nuk i takon Saliut të vendosë së çdo bëjë me monumentin kur Kavaja drejtohet nga Elvis Roshi. Monumenti do të shembet”, është shprehur Rama. Deklaratë, e cila nxiti debat të nxehtë jo vetëm politik, por shkaktoi një zemërim mbarëpopullor. Rama ka marrë një reagim të ashpër menjëherë pas kësaj deklarate nga Kryeministri i atëhershëm Berisha, i cili e paralajmëroi atë nëse do të guxonte që të shkatërronte atë monument simbol të lirisë dhe demokracisë. “Ky është sheshi i historisë, monumenti është historik dhe po ta deklaroj, mjerë ai që do të guxojë ta prekë. Ai do t’u kalojë brezave si dëshmi e burrave dhe grave që bënë historinë e lirisë. Kavaja është gracka ku hoqe çdo maskë, shpalle platformën e urrejtjes ndaj lirive, demokracisë, përmendores së lirisë dhe kombit shqiptar. Erdhe në Kavajë, hoqe maskën, tregove veten i biri i të atit, por Kavaja të njeh mirë. Ty që të tmerron përmendorja e heroizmit të Kavajës dhe shqiptarëve, sikur të imagjinosh një monument të bërë copa, do të imagjinosh veten tënde pa këpucë i zbathur duke ecur mbi ato copa”, është shprehur Berisha duke paralajmëruar Ramën në qershor të 2013. Por dje, Rama guxoi duke provokuar rëndë shqiptarët.

Monumenti simbol i “dy gishtave”

Monumenti simbol i “dy gishtave” i është kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që u zhvillua më 25-26 mars 1990 në Kavajë. Revolta e parë kundër regjimit nisi në stadium gjatë ndeshjes Besa-Partizani. Më pas i gjithë qyteti i Kavajës u ngrit duke protestuar “Poshtë diktatura!”, “Liri-demokraci!”, “Poshtë Nexhmija” etj. Në shenjë përkujtimi të asaj dite dhe vokacionit të shqiptarëve për liri dhe demokraci që nisi fuqishëm me demonstratën e vitit ’90 në qytetin e Kavajës është ndërtuar edhe obelisku, të cilin Rama e shkatërroi dje. Por ky akt terrorist i Ramës vjen në kohë kur klika në pushtet po përpiqet me të gjitha mënyrat që të rehabilitojë figurën e diktatorit Enver Hoxha dhe simbolet e komunizmit.

Kavaja: Gati të derdhim gjak për atë simbol

“Gati të derdhim gjak për atë simbol”. Kjo është thirrja e qytetarëve të Kavajës, e sidomos atyre që kanë qenë protagonistë të demonstratës së 25 dhe 26 marsit të vitit 1990 në qytetin e Kavajës. Pas shembjes së simbolit të Kavajës kundër regjimit, demokratë e qytetarë kavajas kanë reaguar ashpër, ndërsa kanë paralajmëruar protesta dhe revoltë deri në ngritjen e monumentit të demokracisë sërish. Ata janë shprehur se monumenti do të rikthehet në shesh me protesta ndërsa kanë theksuar se shembja e simbolit të antikomunizmit në Kavajë, do t’i nxjerrë në rrugë të gjithë qytetarët. Shumë qytetarë mendojnë se ky simbol nuk duhej të shkatërrohej dhe se është një ogur i zi për Shqipërinë, demokracinë dhe lirinë e shqiptarëve. Përfaqësues të Lëvizjes 25-26 marsi kanë reaguar ashpër, ndërsa kanë thënë se ky është një provokim i hapur që do të marrë përgjigjen më të fuqishme popullore. Sipas tyre, kryebashkiaku Elvis Roshi do të përgjigjet para protestuesve. Gjatë orëve të pasdites qindra banorë të Kavajës dhe përfaqësues të Lëvizjes 26 Marsi të mbështetur edhe nga strukturat lokale të Partisë Demokratike protestuan për shembjen e obeliskut të demokracisë. Protestat do të vijojnë./rd

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat