Skandali i Pukës prodhon tjetër skandal

Shqipëria

Skandali i Pukës prodhon tjetër skandal

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 19:58

Në kohën që drejtësia nuk ka folur ende për ish-kryetarin e Gjykatës Shtjefen Lleshi dhe ish-kryeprokurorin e Pukës, prokurorin Pëllumb Prençi për skandalin e denoncuar muaj më parë në emisionin Fiks Fare, llogaritë hetimore duket se nuk janë ende të mbyllura edhe për persona të tjerë.

Një mbledhje e Këshillit të Prokurorisë e cila kishte në rend dite diskutimin për të shkarkuar nga detyra prokurorin Pëllumb Prençi , aktualisht i pezulluar me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, ka sjellë surpriza të tjera.

Një burim në mbledhjen e Këshillit i tha Top Channel se Pëllumb Prençi, i cili po gjykohet në Gjykatën e Shkodrës është shfajësuar para kolegëve të tij duke ju thënë se ishte përpjekur ta zgjidhte çështjen në mënyrë joligjore, pasi kështu i ishte kërkuar nga një zyrtar në Prokurorinë e Përgjithshme.

Por kur Prençi është pyetur se kush ishte zyrtari që ja kishte kërkuar këtë nder, ai ka deklaruar emrin e Shefit të Auditit në Prokurorinë e Përgjithshme, Thoma Janko. Kaq ka mjaftuar që mbledhja të ndërpritet, thanë burimet, dhe të njoftohet Prokurori i Përgjithshëm i cili ka pezulluar nga detyra Jankon, ndërkohë që ai tashmë është vendosur nën hetim nga Drejtoria Anti-korrupsion në organin qendror të akuzës.

Duke marrë shkas nga ky rast në një mbledhje të pazakontë me 40 prokurorë të hënën, Prokurori i Përgjithshëm ka ngritur shqetësimin para tyre, thanë burimet, duke kërkuar që në çdo rast ndërhyrjeje nga kolegët të mos heshtet, por të depozitohet menjëherë kallëzimi penal.

Skandali në drejtësi në Gjykatën e Pukës, i cili përfundoi me nëntë të pandehur, që nga kryetari i Gjykatës Pukë, Shtjefen Lleshi, prokurori Pëllumb Prençi dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, kancelarë, sekretare e avokate, u publikua nga Fiks Fare teksa palët kërkonin para në shkëmbim të lirisë së një të arrestuari.

Ndërkohë Gjykata e Shkallës së Parë shpalli fajtor duke dënuar me një vit burg Defrim Prençin për mashtrim, avokatët Fran Dashi dhe Fariz Xhurxhi me nga një vit burgim, me 18 muaj burg është dënuar Meliha Kukaj dhe me 14 muaj burg Liljana Shkjau, të dyja të akuzuara për “Korrupsion pasiv”.

Dy krerët, ish-kryeprokurori i Pukës Pëllumb Prençi dhe ish-kryegjykatësi i Pukës Shtjefën Lleshi janë ende nën gjykim./TCH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat