Kukës, arkëtohen vetëm 20 % e faturave të ujësjellësit

Shqipëria

Kukës, arkëtohen vetëm 20 % e faturave të ujësjellësit

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 16:05

Territori i Kukësit është mbuluar nga reshje të dendura shiu, të cilat kanë ndikuar në shtimin e sasisë së ujit të pijshëm në çezmat e konsumatorëve.

Në kundërshtim me reshjet e mëdha të shiut në Kukës, niveli i arkëtimit të faturave të ujit të konsumuar mbetet shumë i ulët.

Ujësjellësi i Kukësit prej muajsh arrin të arkëtojë vetëm 20 % nga faturat e konsumatorëve familjarë, dhe pak më tepër nga bizneset private dhe institucionet shtetërore.

“Edhe pse prurjet kanë filluar të rriten, nga dy orë është zgjatur në 7 orë, arkëtimet vazhdojnë të jenë në nivel tepër të ulët. Lidhur me këtë fakt kemi ngritur grupe pune të përhershme, dy në qytet dhe një në fshat. Ndërkohë, nëse vërejmë që qytetarët ose bizneset private nuk do të paguajnë do të merren masa që t’u ndërpritet furnizimi me ujë të pijshëm”, thotë Selxhe Ibra, kryetarja e degës së financave.

Drejtuesit e ujësjellësit kanë paralajmëruar shkelësit e ligjit, se nëse do të ketë rilidhje të ujit në mënyrë të paligjshme, do të merren masa ndëshkimore deri në ndjekje penale.

Ujësjellësi i Kukësit ka ndërhyrë për prerjen e 40 lidhjeve të paligjshme në fshatrat Shtiqën dhe Nangë, ndërkohë në Prokurorinë e rrethit janë dërguar për ndërhyrje të paligjshme në ndjekje penale 53 raste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat