Ndarja e re administrative, por edhe e pyjeve, do të ndalë masakrën

Shqipëria

Ndarja e re administrative, por edhe e pyjeve, do të ndalë masakrën

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 14:46

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka e cilësoi të suksesshëm vitin e parë të drejtimit, duke u shprehur se arritja më e madhe, ishte ndalimi i gjuetisë së paligjshme në vend, masat kundër masakrës në pyje, nisja e procesit të pyllëzimit dhe garantimi i cilësisë së ajrit dhe të ujit për qytetarët. Në një intervistë në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, Koka premtoi se dikasteri që ai drejton, në bashkëpunim me qeverinë, do të

Si e shikoni një vit mjedis?

Mjedisi është një nga komponentët më të rëndësishëm që ndikon në jetën dhe shëndetin e çdo qytetari dhe në shumë elemtentë të tjerë të jetës. Në shtator të 2013 unë mora drejtimin e Ministrisë së Mjedisit. Ishte me të vërtetë një sfidë dhe pas një viti ja ku duhet të flasim për arritjet, por edhe për ato që mund të quhen gabime të bëra gjatë një viti pune. Në analizën e 300 ditëve u ndjeva krenar pasi janë një sërë arritjesh të realizuara gjatë kësaj kohe duke nisur me ndryshime cilësore në cilësinë e ajrit, me ndaljen në një periudhë të shkurtër të atij dëmi që kryhej ndër vite në pyjet shqiptare, përpjekjen për të vënë nën kontroll mbetjet urbane dhe një nga vendimet e para siç e dini ishte ndalimi i importit të mbetjeve urbane në drejtim të shqipërisë, etj. Sigurisht e rëndësishme ishte dhe shpallja e emergjencës mjedisore nga qeveria shqiptare, ku pati një sensibilizim dhe pjesmarrje të të gjithë faktorëve dhe aktorëve në vendin tone. Krahas Ministrisë së Mjedisit ishte edhe Ministria e Mbrojtjes, shoqata mjedisore, qytetarë të ndryshëm. Ndër arritjet e sukseshme dhe të rëndësishme ishte reforma institucionale. Ne bëmë të mundur të ndanim kontrollin nga menaxhimi, pra sot ka një Agjenci Kombëtare të Mjedisit dhe një Inspektoriat Shtetëror të Mjedisit; dy institucione këto të cilat janë në fuqizim dhe kanë rezultate konkrete. Agjencia Kombëtare e Mjedisit tashmë është pajisur me laboratorë nga më modernet, janë 6 gjashtë të shpërndarë në gjithë Shqipërinë dhe një i lëvizshëm të cilët bëjnë monitorimin e cilësisë së ajrit në qytetet më të rëndësishme të vendit.

Gjatë këtij viti pati disa arritje të suksesshme, ajo që spikati ishte moratoriumi për gjuetinë. A ka dhënë efekt ky moratorium?

Absolutisht po. Ne ndodheshim përballë një emergjence me të vërtetë të rëndë, ku fauna e egër ishte një shkatërrim të plotë. Ajo që duhet nënvizuar është se gjetëm një konsesus si asnjëherë tjetër me të gjithë të interesuarit. Ndodheshim përballë një situate ku armët e gjahut ishin të pakontrolluara, ku nuk respektohej asnjë sezon, nuk respektohej asnjë specie dhe çdo gjë ishte drejt zhdukjes. Tashmë rezultatet janë pozitive. E rëndësishme nga ana e Ministrisë nuk ka qenë bërja e një ligji dhe ndalimi i gjuetisë për dy vjet, por zbatimi i këtij moratoriumi. Ne kemi bërë tashmë një sërë veprimesh ku do të shkojmë drejt regjistrimit të armëve, dyllosjes së tyre, por gjithsesi çdo gjë do të realizohej në kohë dhe në cilësi nëse do të kishim bashkëpunimin edhe të njerëzve të interesuar. Ka qenë një rezultat me të vërtetë shumë pozitiv. Kemi filluar të shohim në qiejt shqiptarë, por edhe në zonat e mbrojtura dhe në laguna që Shqipëria i ka të shumta, që po rikthehen shpendët migratorë që prej shumë kohësh kishin ndërruar destinacionin e udhëtimit të tyre.

Çfarë do të ndodhë me Kodrën e Currilave dhe cilat janë projektet e tjera në të cilat po investon Ministria e Mjedisit?

Do të vë në pah, një fakt. Është rasti i parë ku qeveria shqiptare ka akorduar pikërisht për erozionin dhe pyllëzimin rreth 10 milionë dollarë. Nuk ka ndodhur më parë kjo në vite të tëra dhe tashmë nuk jemi drejt shkatërrimit, por jemi drejt mbjelljes dhe vendosjes së gjelbërimit. Sa i përket Kodrës së Currilave, ajo është një zonë e cila ishte kthyer në një shqetësim për qytetarët durrsakë. Erozioni dhe zhveshja e Kodrës ishte kthyer në një makth për qytetarët dhe si Ministër i Mjedisit, dhe jo vetëm si një qytetar i Durrësit, mundësuam me qeverinë shqiptare rikthimin e Kodrës nga një problematikë në një zonë elitare për qytetin e Durrësit. Sigurisht që dimensionet e saj nuk janë aq të mëdha në krahasim me problematikat që ka në tërësi vendi, por që është një zonë me histori dhe tradicionale e qytetit dhe unë besoj se shumë shpejt rehabilitimi i saj do ta rikthejë atë në një zonë elitare turistike për zonën e Durrësit.

I dukshëm kohët e fundit ka qenë edhe gjelbërimi i rrugës Rinas-Tiranë. A u bë vetëm për Papën kjo, apo është një projekt që do të vazhdojë?

Sigurisht që nuk u bë vetëm për ardhjen e Papës. Projektet duan kohë të hartohen dhe të implementohen. Koincidenca qe e mirë me ardhjen e Papës, por dua të theksoj se ky është vetëm fillimi. Një sërë projektesh të tjera do të jenë kryesisht përsa i përket akseve nacionale. Vetëm këtë vit, Ministria e Mjedisit po zbaton projektin Rinas-Tiranë, por shumë shpejt nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit do të vazhdojnë projekte të tjera, në mbarë vendin.

Ky është modeli i akseve?

Sigurisht që ky është modeli i akseve nacionale shqiptare. Nuk mund të quhet një rrugë e mirëndërtuar nëse mungon siguria, mungon sistemi sinjalistik, nëse mungon edhe gjelbërimi. Pra peisazhi gjatë udhëtimit që çdokush bën me mjetin e tij është po aq i rëndësishëm sa edhe elementët e tjerë.

Rruga duket bukur në projekt. Por a do të jenë vërtet të realizuara me këtë bukuri që shohim?

Absolutisht po. Të kuptohemi që një pemë do kohën e saj që të rritet, ndaj dhe përgjegjshmëria kur pritet është më e madhe, por ju garantoj që shumë shpejt të gjitha akset nacionale shqiptare do të jenë të këtij dimensioni si Rinas- Tiranë.

Është folur shpesh për parqet kombëtare dhe zona të mbrojtura. Çfarë po bëni për to?

Do të përmendja zonën e Divjakë-Karavastasë, një park me të vërtetë i mrekullueshëm, ku nuk kam reshtur së thëni në disa takime që kam bërë për vlerën dhe meritën e qytetarëve të zonës të cilët kanë mundur që edhe në momentet e vështira që ka kaluar Shqipëria ta ruajnë zonën. Ajo që ne sot po i shtojmë edhe kësaj zone, është hapja e të gjitha shtigjeve të kalimit edhe për zjarrfikëset, vendosja e tabelave, stolave, kullave të vrojtimit, koshave etj. në mënyrë që të bëhet një zonë model. Kam qenë i surprizuar kur para disa ditësh kam parë që festa familjare që tashmë kishin si destinacion këtë zonë dhe për mua është një kënaqësi shumë e madhe.

Para disa kohësh pati disa kronika edhe për Lurën. A ka një plan për rehabillitimin e tyre?

Lura ka një dimension shumë më të madh sesa investimet për të cilat fola. Ne kemi filluar të rehabilimin e rrugës për të lëvizur brenda parkut me mjet duke mundësuar edhe fillimin e punimeve për të mbjellë rreth 2 milionë pemë të cilat janë të dëmtuara. Ka qenë një masakër e ndodhur në vite. Sigurisht që parku do të ketë një rehabilitim. Unë jam i bindur që shumë shpejt edhe në atë zonë do të investohet në infrastrukturë për t’ia rikthyer Shqipërisë një zonë elitare, që është ndër më të dëmtuarat. Jam i bindur që së bashku me qytetarët e zonës do ta rikthejmë Lurën në lavdinë e dikurshme.

Ka një strategji edhe për ndalimin e prerjeve në pyje?

Siç kërkova ta theksoj vëmendjen që qeveria shqiptare ka ndaj pyjeve është vetë shifra në fjalë, akordimi i një fondi për të shtuar sipërfaqet e gjelbërta në territorin shqiptar. Në fillimet e punës ne morëm masë dhe ndërpremë rreth 430 leje të shfrytëzimit të pyjeve, ndaluam eksportin e qymyrit të drurit, eksportin e drurit për zjarr dhe vetëm këto dy masa bënë të mundur që të mos eksportoheshin më, rreth 100 mijë metra kub dru e barabartë kjo me mijëra ha pyje. Kontrolli është evident, janë sekuestruar mbi 2 mijë metra kub dru, janë bërë 200 procedime penale dhe 1000 masa administrative. Dëme sigurisht që ka, por e rëndësishme është që sot mjedisi është kthyer në qendër të opinionit publik. Por unë nënvizoj një fakt që ndoshta është e panjohur për çdo qytetar shqiptar. Shqipëria ka rreth 1 milionë ha pyje, 50 për qind e tyre janë në administrim nga komunat dhe bashkitë. Janë mbi 320 komuna dhe bashki që disponojnë këtë sipërfaqe. Dhe në rastin më të madh të dëmeve, qofshin djegie, qofshin prerje, vijnë kryesisht nga sipërfaqet nën administrimin e komunave. Unë besoj se reforma territoriale do ta rregullojë shumë administrimin e pyjeve. Sigurisht që kërkohet një ndërhyrje emergjente. Dy janë elementët: ose të diktohen sot komunat dhe bashkitë ku brenda strukturave të tyre të caktojnë njerëz brenda strukturave të tyre, ose të rikthehen prapë në Ministrinë e Mjedisit për ta riparë në një kohë të dytë kur do të ribëhet reforma territoriale. Sa më pranë njerëzve të jetë menaxhimi i pyjeve aq më mirë do të menaxhohen. Duke u gjendur në një situatë të tillë ku shumë kryetarë komunash me reformën e re administrative nuk e shohin më veten si të tillë, jam i bindur që do të vazhdojnë të ndodhin dëmet që kanë ndodhur.

Ndoshta duhet marrë një masë emergjente që pyjet të kalojnë në varësi të Ministrisë së Mjedisit?

Projekti i Bankës Botërore pati si qëllim trajnimin, ngritjen e shoqatave të pyjeve etj, për të bërë të mundur si në shumë vende të tjera të botës, që pyjet të jenë sa më pranë qytetarëve dhe të kthehen në një burim fitimi, duke i menaxhuar ato. Kjo u bë në një mënyrë shumë të përshpejtuar para dy vitesh pasi u transferuan pa harta. Nuk ka kufi, ka shumë mbivendosje dhe sot jemi duke punuar për të përfunduar shumë shpejt kadastrën pyjore. Një riorganizim administrativ, një ndarje e re qoftë e territorit adminstrativ, por edhe e pyjeve do të ishte zgjidhja më ideale.

Cilat janë disa prej projekteve të tjera të Ministrisë së Mjedisit?

Janë disa projekte të cilat janë të gjitha në përfundim dhe të rëndësishme. E rëndësishme është edhe Shëtitorja buzë Drinit në Lezhë. Është një shëtitore të cilën qytetarët e Lezhës do ta kenë një vlerë të shtuar krahas vlerave të tjera historike që kanë. Po aq i rëndësishëm është investimi në Kune-Vain, Tale. Atje është një lagunë, e cila ka patur vëmendjen e Ministrisë së Mjedisit. Do të jetë e pajisur me elementë që e bëjnë zonën më të aksesueshme, me stola dhe harta për tu bërë më e vizitueshme dhe më e prekshme nga çdo qytetar shqiptar. Vëmendja që i ka kushtuar Ministria e Mjedisit në të gjitha këto parqe kombëtare është që këto parqe të vihen në shërbim të qytetarëve dhe të mos jenë thjesht statistika në letër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat