ILDKPI: Gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu, ka kryer transaksione të dyshimta

Shqipëria

ILDKPI: Gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu, ka kryer transaksione të dyshimta

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 11:18

Sërish del në skenë emri i gjykatësit të Kavajës, Osman Aliu. Pas një sërë shkeljesh dhe padish që u bënë publike pwr punën e tij, emri i gjyqtarit pritet të shkojë i bashkëngjitur në një dosje për fshehje pasurie dhe pastrim parash në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme. Ka qenë ILDKPI-ja ditën e djeshme që ka bërë me dije kallëzimin që është bërë ndaj Aliut, “bëmat” e të cilit nuk do të shkojnë vetëm në Prokurori por edhe te Këshilli i Lartë i Drejtësisë pasi sipas institucionit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Aliu në ambientet e këtij institucioni është sjellë në mënyrë të dhunshme dhe me një fjalor, sipas tyre, rrugaçërie. Aliu është vënë nën dy akuza ndërsa ditën e djeshme ai ka refuzuar t`iu përgjigjet pyetjeve të inspektorëve në lidhje me aktet për të cilat ishte thirrur. Aliu në prillin e këtij viti u bë objekt i dy dikastereve, të Ministrisë së Brendshme dhe të asaj të Drejtësisë, ku iu renditen me dhjetëra shkelje që kishin të bënin me lirimin e “kriminelëve”. Madje ishte ministri i brendshëm, Saimir Tahiri, që i nisi një letër të hapur presidentit Bujar Nishani, duke e vënë në dijeni me emra, fakte dhe data kur ky gjyqtar kishte mundur të lironte ose të favorizonte persona me precedent të rëndë penal.

Reagimi i ILDKPI-së

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka nisur në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme kallëzimin penal për Osman Aliun me funksion, gjyqtar pranë Gjykatës së shkallës së parë, Kavajë, për veprat penale të “Fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Gjithashtu, ILDKPKI bën të ditur se do të kërkojë nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore për sjelljen rrugaçërore të gjyqtarit Osman Aliu në ambientet e këtij Institucioni. Sipas ILDKPKI, Aliu ditën e djeshme jo vetëm që refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të Inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e plotë por edhe u largua dhunshëm e duke i fyer ata gjatë kryerjes së detyrës. Në vazhdim të proceseve të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për zyrtarë të niveleve të ndryshme, ILDKPKI, njofton se ka konstatuar fshehje të pasurisë, deklarim të rremë të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare për pasuritë e krijuara dhe transaksione të dyshimta nga ana e gjyqtarit Osman Aliu. ILDKP nuk bën me dije konstatimin e shumës së transaksioneve, ndërkohë që mësohet se do të jetë prokuroria që do të hetojë këto shkelje të rënda të konstatuara prej tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat