Fyle-opozitës: Politika jo në rrugë

Shqipëria

Fyle-opozitës: Politika jo në rrugë

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 10:15

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle (Stefan Fule) i bën thirrje opozitës të rikthehet në kuvend për t’u bërë pjesë e vendimeve politike. Thirrja e drejtpërdrejtë e komisionerit u bë menjëherë pas mbylljes së diskutimeve në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë ku merrte pjesë dhe opozita e përfaqësuar nga kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu dhe deputetët Eduart Halimi dhe Arben Ristani të cilët u paraqitën në takim pas një konsultimi të fundit me ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministri Edi Rama, Fyle theksoi se mënyra e zgjedhur nga opozita nuk është mënyra evropiane dhe nuk e ndihmon aspak Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. Ai u bëri më tej apel palëve që të gjejnë kompromis për prioritetet kyçe të vendit, pasi siç theksoi Fyle, në fund të këtij procesi fituese do të jenë Shqipëria dhe shqiptarët. Ndërsa Rama shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me opozitën për dy shqetësime kryesore të saj, të shprehura dhe në tryezën e djeshme, ngritjen e komisioneve hetimore dhe pengimin e inkriminimin të parlamentit apo administratës. Pas tryezës së dialogut janë nxjerrë dhe 10 konkluzionet e përbashkëta që duhet të jenë kryefjalë e politikës shqiptare në kuadër të integrimit.

Konferenca

Mazhoranca dhe opozita janë bërë bashkë në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë. Bregu, Halimi dhe Ristani i janë bashkuar tryezës pas konsultimit me Sali Berishën. Duket se ish-kryeministri ka dhënë udhëzimet e fundit para takimit të palës shqiptare me komisionerin Stefan Fyle që më herët Berisha e ka cilësuar si “një diplomat çek të shkollës ruse, serbofil të papërmbajtur dhe majtist të thekur”. Mësohet se në tryezën e dialogut është diskutuar gjerësisht mbi arsyet e bojkotit të opozitës ndërkohë që Fyle ka theksuar nevojën për dialog në kuvend. Edhe në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, komisioneri Fyle deklaroi se: “Në fakt, unë kam dëgjuar, - jo për të parën herë dhe jo për të fundit, - shqetësimet e opozitës. Dhe në të njëjtën kohë unë e kam bërë të qartë, - ashtu siç e kam bërë të qartë edhe përpara pak kohësh, - që të dalësh nga parlamenti dhe të sillet beteja juaj politike në rrugët e vendit, kjo nuk është mënyra evropiane. Kjo nuk e ndihmon vendin që të sjellë Shqipërinë akoma më afër ambicies së shqiptarëve për t’u integruar, për të ardhmen evropiane të saj”. Fyle ka sqaruar se dhe në tryezën e dialogut i ka bërë thirrje palëve të bashkëpunojnë. “I kam bërë thirrje si qeverisë, ashtu edhe opozitës, - sepse përgjegjësia është e të dyja palëve, - që ta përdorin këtë dritare që na është hapur sot, që opozita të kthehet në parlament dhe që qeveria të sigurohet, të marrë masat, që opozita të ketë çdo gjë që i nevojitet për të bërë punën e vet të rëndësishme”, - tha ai. Komisioneri theksoi më tej se ka inkurajuar qeverinë dhe opozitën që të bashkëpunojnë për të ngritur Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian i cili është shtyrë për shkak të mosbashkëpunimit të opozitës. Ndërsa kryeministri Rama ka theksuar gatishmërinë e mazhorancës për bashkëpunim lidhur me shqetësimet e opozitës. “Sot dëgjuam kërkesën lidhur me komisionet hetimore. Që ditën e enjte jemi të gatshëm të votojmë çdo kërkesë për komision hetimor të Partisë Demokratike. Të enjten. Dëgjuam edhe një pretendim tjetër, të përsëritur ndoshta, lidhur edhe me të shkuarën e deputetëve apo të njerëzve të administratës. Përsëris edhe këtu, atë që kam thënë më parë, e përsërita edhe në sesionin e Dialogut në Nivelit të Lartë, që nëse Partia Demokratike ka një vizion strategjik lidhur me mënyrën se si mund të pengohen njerëzit të marrin pjesë në jetën politike apo publike nëse kanë pasur të bëjnë me drejtësinë ndonjëherë, ne jemi gati të ulemi dhe të shohim versionin e tyre, mjaft që të mos bjerë ndesh me liritë e të drejtat e njeriut. Për më tepër që, ata kanë njerëz që kanë bërë burg dhe që marrin pjesë edhe në Dialogun e Nivelit të Lartë dhe që e dinë fare mirë se ç’është liria për t’u zgjedhur dhe ç’është dënimi për t’u kryer”, - tha kreu i qeverisë. Rama deklaroi se dhe për incidentin në kuvend mazhoranca ka lënë drejtësinë të vendosë. “Jemi distancuar e distancohemi hapur ndaj çdo veprimi që bie ndesh me etikën e bashkëjetesës në Kuvendin e Shqipërisë dhe në jetën politike shqiptare. Madje ne do të shkojmë edhe më tej dhe në dokumentin e rishikuar të rregullave të funksionimit të grupit tonë parlamentar që përfundon së shpejti, do të ketë sanksione të panjohura më parë për çdo sjellje të kësaj natyre, deri në përjashtimin nga Grupi Parlamentar i PS-së”, - tha ai. Kryeministri shtoi se gatishmëria për bashkëpunim për çështje të rëndësishme është treguar tashmë lidhur me reformën në drejtësi. “Ministri i Drejtësisë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, si dy pjesë të patjetërsueshme të procesit, kishin bërë gati draftin për Konferencën Kombëtare për Reformën në Drejtësi dhe ne sapo u njohëm me një nismë të presidentit, nuk avancuam me konferencën e organizuar nga qeveria. Jemi në pritje të ditës që ka caktuar Presidenti i Republikës për të qenë pjesë e hapjes së këtij procesi, bashkë me gjithë të tjerët. Kjo është shprehje e mënyrës se si ne duam t’i bëjmë gjërat”, - tha ai.

Konkluzionet e Dialogut të Nivelit të Lartë

1) Kryeministri Edi Rama dhe komisioneri Stefan Fyle zhvilluan takimin e katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë mbi prioritetet kyçe mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian më 29 shtator 2014. Në takim merrnin pjesë edhe ministra, si dhe opozita e përfaqësuar nga kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, Majlinda Bregu.

2) Takimi u zhvillua pas vendimit të KE-së i cili i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. BE-ja e ka bërë të qartë se Shqipëria duhet të veprojë me vendosmëri për të gjitha rekomandimet e Komisionit. Fyle kërkoi nga qeveria dhe opozita të marrin masat e duhura për të rivendosur dialogun politik në parlament. Komisioneri shprehu zhgënjim për faktin se takimi i parashikuar, i Komisionit të Integrimit që do t’i paraprinte Dialogut të Nivelit të Lartë, nuk u materializua për shkak të qëndrimit të opozitës.

3) U ra dakord në faktin se, është thelbësore që Shqipëria të paraqesë rezultate në përmbushjen e prioriteteve që janë identifikuar si kryesore për hapjen e negociatave për anëtarësim. Komisioneri Fyle kujtoi rëndësinë e forcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të gjyqësorit përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe nën drejtimin e Komisionit të Venecias. Komisioneri mirëpriti marrëveshjen mes Presidentit të Republikës dhe ministrit të Drejtësisë për të organizuar një konferencë të përbashkët kombëtare për reformën gjyqësore në tetor.

4) Pjesëmarrësit vunë në dukje faktin se pesë grupet e përbashkëta të punës duhet të ndihmojnë Shqipërinë që të përqendrohet në rezultate konkrete të reformave në secilin nga prioritetet kyçe.

5) Pjesëmarrësit diskutuan konkluzionet operative të miratuara nga ana e grupeve të punës më 18 shtator dhe i miratuan ato si pjesë përbërëse e këtyre konkluzioneve.

6) Është bërë thirrje për institucione të pavarura. Institucionet e pavarura duhet të luajnë një rol kyç në funksion të përmbushjes së kritereve politike dhe detyrimeve, sipas kushteve të BE-së.

7) Kryeministri Rama theksoi se angazhimi për t’u bërë pjesë e BE-së është i pashmangshëm, e kjo do të varet nga suksesi i reformave. Në këtë kontekst Shqipëria e konsideron vendimin për t’i dhënë statusin e vendit kandidat, një inkurajim për përpjekjet e mëtejshme në procesin e reformave, të cilat në fund do të sjellin hapjen e bisedimeve. Kryeministri Rama shpreson se vendimi për të kaluar në hapin tjetër - hapjen e bisedimeve të pranimit - do të bëhet nëpërmjet një procesi të besueshëm, në bazë të përmbushjes së pesë prioriteteve kyçe të vendosura në raportin e qershorit, dhe të miratuar nga Këshilli i Evropës.

8) Fyle theksoi se Komisioni është i gatshëm të vazhdojë mbështetjen e reformave që po bën Shqipëria me ekspertizë dhe mbështetje financiare.

9) Pala shqiptare konfirmoi angazhimin e saj për një dialog konstruktiv dhe të qëndrueshëm politik midis qeverisë dhe opozitës. Për më tepër, qeveria garantoi krijimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe u angazhua për të bërë atë funksional sa më shpejt të jetë e mundur, përmes një angazhim konstruktiv me të gjitha palët e interesuara.

10) U ra dakord që të nisin përgatitjet për takimin e ardhshëm të dialogut në një kohë që Shqipëria do të përgatisë raportin në bazë të Udhërrëfyesit të miratuar më 28 maj. Komisioneri Fyle theksoi nevojën që Shqipëria të mbetet e përqendruar në procesin e reformave dhe të tregojë me rezultate përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe.

Incident në tryezën me Fylen

Diskutimet në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian kanë shënuar dhe një incident mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të Partisë Demokratike, Arben Ristani. Mësohet se shkak për këtë incident janë bërë pretendimet e opozitës se në parlament ka njerëz të inkriminuar por edhe shqetësimet e shprehura prej saj në lidhje me konfliktin fizik mes Arben Ndokës, Pjerin Ndreut dhe Genti Strazimirit. Pas këtyre pretendimeve kryeministri Rama mësohet të ketë thënë se, edhe në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë ka njerëz që kanë qenë në burg. Ky koment nuk i ka pëlqyer aspak demokratit Arben Ristani i cili në vitin 1994 është arrestuar dhe dënuar me burg. Ligjvënësi demokrat ka reaguar duke e cilësuar kryeministrin rrugaç. “Ja ky është shkaku që në nuk kemi komunikim normal, pasi ky kryeministër rrugaç shan me fjalor të ndyrë”, - mësohet të jetë shprehur Ristani. Këto komente nuk janë pëlqyer aspak nga komisioneri Stefan Fyle i cili pas takimit me dyer të mbyllura, vlerësoi qëndrimin e kryeministrit në lidhje me incidentin. “Dëshiroj dhe unë të konfirmoj fjalët tuaja të fundit, që sapo thatë dhe dëshiroj po ashtu që t’ju falënderoj për qëndrimin tuaj shumë të qartë, për këtë incident jo të këndshëm”, - tha ai në nisje të konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

Meta-Fyle: Parlamenti vendi i dialogut

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka shprehur komisionerin Stefan Fyle mirënjohjen për punën dhe asistencën e Komisionit Evropian, falë së cilës Shqipëria ka shënuar progres të prekshëm në kuadër të axhendës së saj evropiane. Meta theksoi se pas miratimit të statusit të vendit kandidat, Shqipëria ndjen edhe më tepër përgjegjësi mbi supe dhe në këtë drejtim janë intensifikuar përpjekjet për avancimin të reformave kyçe, veçanërisht asaj në drejtësi. Në këtë kuadër u vlerësua mbështetja e pakursyer e Komisionit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ndërsa Fyle vuri në dukje se përgjegjësitë e reja të Shqipërisë me marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE kërkojnë më tepër pjekuri politike nga të gjitha palët në parlament dhe një përshpejtim të axhendës së reformave kyçe. Në përfundim, Meta dhe Fyle ndanë bindjen e përbashkët se axhenda evropiane e Shqipërisë do të përshpejtohej nga krijimi i një klime më bashkëpunuese politike përmes gjithëpërfshirjes dhe veprimeve konsensuale, duke theksuar njëkohësisht se parlamenti është vendi i dialogut politik në shërbim të qëndrueshmërisë së procesit të reformave që nevojiten për integrimin evropian të vendit.

Basha: Të mbyllësh sytë para situatës, bashkëfajësi

Kritikat e drejtpërdrejta të komisionerit Stefan Fyle në drejtim të opozitës të cilat më pas janë shprehur dhe publikisht, duket se nuk kanë kënaqur kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Menjëherë pas takimit me komisionerin, Basha deklaroi për medien se të mbyllësh sytë para situatës së rëndë të demokracisë, është bashkëfajësi. Sa i përket ftesës së Fyles drejtuar opozitës për t’u rikthyer në Parlament, Basha tha se: “Nuk ka mendje të shëndoshë europianiste të mos kuptojë se kërkesat e opozitës janë në themel të identitetit evropian. Çfarë kërkojmë ne? Zbatimin e Kushtetutës, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe një akt njohjeje, pranimi të përgjegjësisë për kriminalizimine parlamentit dhe hapat për ta dekriminalizuar parlamentin dhe administratën si parakusht për paqen sociale dhe politikën në vend”.

Mbaron mandatin, Rama falënderon komisionarin

Kryeministri Edi Rama vlerëson Stefan Fylen i cili vjen për herë të fundit në Shqipëri në postin e komisionerit për Zgjerimin. Në konferencën e përbashkët për shtyp Rama tha se: “Unë dua ta falënderoj komisionerin për gjithë këto vite marrëdhëniesh intensive, shpeshherë të tendosura mes tij dhe nesh, ku herë, ne, qeveria e sotme dhe opozita e djeshme, dhe herë opozita e sotme dhe qeveria e djeshme, jemi ankuar sepse Stefani ka anuar nga pala tjetër. Në fakt, besoj se të pëlqehesh njëkohësisht nga të dyja palët në Shqipëri, duhet të jesh Papa i Romës ose kancelarja e Gjermanisë, prandaj komisioneri duhet të jetë shumë i kënaqur për punën e tij me ne, jo sepse e kanë duartrokitur të dyja palët, por sepse të dyja palët janë ankuar për të, në kohë të ndryshme”. Rama kujtoi se bashkëpunimi ka nisur pas zgjedhjeve të kontestuara të 2009-s dhe ka vazhduar mes konfliktesh dhe arritjesh për të mbërritur në zgjedhjet e 2013-ës. “E përtej kujtimeve të hidhura, ku 21 janari mbetet ende një plagë e hapur deri në ditën kur drejtësia do të bëjë drejtësi, bilanci i punës sonë të përbashkët me Brukselin e përkatësisht me komisionerin Fyle, mund të konsiderohet pa as më të voglin dyshim, një bilanc shumë pozitiv”, - tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat