Samiti për Klimën, Nishani: Shqipëria po promovon energjinë e rinovueshme

Shqipëria

Samiti për Klimën, Nishani: Shqipëria po promovon energjinë e rinovueshme

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 23:00

Presidenti Bujar Nishani mori pjesë sot në Sesionin Plenar të Samitit të Klimës 2014, organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon.

Nishani mbajti një fjalë për politikat dhe strategjinë e vendit tonë për përballimin e sfidave që lidhen me ndryshimin e klimës, duke e cilësuar këtë një çështje thelbësore që kërkon veprim të shpejtë.

“Ndryshimi i klimës nga vetë natyra e tij, është një fenomen global ku përgjegjësitë e secilit vend janë shumë të vështira për t’u atribuuar dhe veprimet e një vendi ndikojnë gjerësisht tek vendet e tjera. Ndryshimi i klimës shërben si një koeficient rreziku dhe kontribuon për përshkallëzimin e konflikteve mbi burimet natyrore, pengon zhvillimin ekonomik dhe rrit presionet mbi qeverisjen ndërkombëtare. Meqenëse ndryshimi i klimës përbën një kërcënim global, ne ndajmë besimin e palëkundur në nevojën për të luftuar ndryshimin e klimës së bashku, në vend të perspektivës së një vendi të vetëm. ”, tha Nishani.

Duke folur për për mbrojtjen e mjedisit dhe kontributin e Shqipërisë në këtë drejtim, Presidenti theksoi se “Shqipëria ka punuar vazhdimisht për t’i përmbushur detyrimet e saj, si një vend jashtë Shtojcës-1 dhe ka zbatuar një politikë të përgjithshme për mbrojtjen e mjedisit. Në përputhje me agjendën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vendi im po kalon një proces të plotë reformimi, duke përfshirë përmirësimin e legjislacionit kombëtar, i cili merr në konsideratë ndryshimin e klimës.”

Më tej, Presidenti foli për hartimin e një strategjie kombëtare për pakësimin e rrezikut që vjen nga kushtet klimatike. Po ashtu, Nishani sqaroi se vendi ynë po promovon përdorimin e energjisë së rinovueshme.

“Shqipëria po promovon në mënyrë agresive përdorimin e energjisë së rinovueshme në të gjithë vendin. Duke përfituar nga potencialet e vendit, veç hidrocentraleve, aktualisht ne jemi duke zhvilluar tregun për sistemet e ngrohjes diellore të ujit, energjisë së erës, biomasës dhe bio-karbureve. Ne jemi krenar për përdorimin energjisë elektrike të gjeneruar vetë për rreth 100% të kohës. Një strukturë për Mekanizmin e Zhvillimit të Pastër (CDM) është themeluar dhe një dokument i politikave të karbonit është miratuar me qëllim pozicionimin e Shqipërinë në pozita konkurruese në tregjet globale të karbonit, në përgjithësi, dhe MZHP (CDM) në veçanti.” - tha më tej Nishani.

Përsa i përket përshtatjes, sipas Presidentit Nishani, një nismë pilot është duke u zbatuar në Shqipëri me mbështetjen e OKB-së, e cila rezultoi në integrimin e masave përshtatëse në planet e zhvillimit lokal dhe rajonal, ndërkohë zbatimi i disa masave përshtatëse është në proces.

“Ndikimet tek shëndeti po konsiderohen gjithashtu dhe një plan veprimi mbështetur nga OBSH është në proces zbatimi. Për në tepër, Shqipëria ka mbështetur zhvillimin e kapaciteteve të sektorit publik dhe privat për akses në financimin e karbonit nëpërmjet:

(i) Krijimin e kuadrit ligjor dhe institucional për financimin e karbonit;

(ii) Ndërtimin e kapaciteteve brenda vendit për identifikimin, zbatimin dhe mobilizimin e burimeve për projektet e reduktimit e gazit të serrës, të vlefshme për Mekanizmin për Zhvillim të Pastër dhe mekanizmat e tjerë të tregut të karbonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat