Vizita: Sheshi “Nënë Tereza” ngjante dje me sheshin “Shën Pjetër”, në Vatikan, një oaz i madh pritjeje

Shqipëria

Vizita: Sheshi “Nënë Tereza” ngjante dje me sheshin “Shën Pjetër”, në Vatikan, një oaz i madh pritjeje

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 21:46

Maria nuk do ta harrojë asnjëherë këtë të diel. Gruaja nga Rragami, një fshat në verilindje të Shkodrës, ka udhëtuar gjatë gjithë natës me të shoqin e katër fëmijët, për të mbërritur pa zbardhur dita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Shaminë e zezë që ka vendosur në kokë, nuk e ka vënë më parë në asnjë meshë. E ka blerë posaçërisht për këtë të diel, që për Marian është një ditë e madhe lumturie. Ajo nuk gjen fjalët e duhura për ta shprehur gëzimin, por thotë se është në Tiranë për të gjithë familjen e saj të madhe, që për vite me radhë e ushqyen besimin me dyer të mbyllura në shtëpi. “Kjo është një ditë e madhe për të gjithë të krishterët, por edhe për Shqipërinë. Mezi pres të ndjek Meshën dhe të lutem për shëndetin e fëmijëve”, tregoi zonja e emocionuar, si të ishte duke pritur fëmijën e saj të parë. Kjo grua, që i ka kaluar të 50-at, nuk ishte e vetmja që priste plot emocion mbërritjen e Papa Françeskut, dje, para orës 10:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Shqipëria mbarë e ka gdhirë zgjuar mbrëmjen e 20 shtatorit, ditën që i parapriu vizitës së Papa Françeskut. Qytetarë të besimeve të ndryshme, të njohur e të panjohur me njëri-tjetrin, që pas vitesh të tëra iu rikthyen xhiros në sheshin “Nënë Tereza”, mes miqsh, shokësh, familjarësh, të emocionuar si rrallë në jetët e tyre, qëndronin bashkë për të pritur Atin e të Thjeshtëve. Një pjesëmarrje e jashtëzakonshme që u regjistrua që në orët e mbrëmjes së 20 shtatorit, për të kulmuar dje, me të zbardhur dita. Ora 09:00 e 21 shtatorit të vitit 2014, kur Ati i Shenjtë shkeli tokën shqiptare, me të zbritur në Aeroportin e Rinasit, do të mbetet e paharruar në zemrat dhe kujtesën e çdo shqiptari, që përjetoi nga afër këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Një përjetim drithërues për çdo qytetar shqiptar nga Jugu në Veri, që u përulën dje për të marrë bekimin e Papa Françeskut për një jetë më të mirë, në dashuri e paqe. Fëmijë të lumtur, të mbështjellë me flamujt shqiptarë e ata të Vatikanit, tetë prej të cilëve, përfshirë edhe vogëlushin e Kryeministrit, u bekuan nga duart e vetë Atit të Shenjtë. Mijëra besimtarë, pelegrinë të ardhur dhe nga vendet e tjera fqinje, e kthyen sheshin “Nënë Tereza” në një oaz të madh pritjeje dhe gëzimi, si një fotografi e ngjashme me meshat e së dielës në “Shën Pjetër” në Vatikan. Padurimi për mbërritjen e Atit të Shenjtë, shihej në fytyrat e besimtarëve, të cilët e mbajtën vështrimin lart sheshit, deri sa eskorta e tij u shfaq pranë monumentit të Skënderbeut. Një çast i papërshkrueshëm, të cilën historia nuk do ta harrojë, teksa gëzimi përzihej me lotët e të pranishmëve. Më shumë sesa fjalët, besimtarëve u fliste fytyra, ku shihej padurimi për nisjen e Meshës. As shiu që herë pas here trazoi mëngjesin e djeshëm, nuk e prishi emocionin e kësaj dite të shenjtë. Papa Françesku e zhvilloi takimin e parë kokë më kokë me Kryeministrin Edi Rama, në dhomën VIP të rikonstruktuar posaçërisht për mbërritjen e tij në Shqipëri, në aeroportin “Nënë Tereza”, për t’i shprehur drejtpërdrejt falënderimet që pranoi ftesën personale të tij për të vizituar Shqipërinë. Pas një bisede private kokë më kokë, Kryeministri i vendit i dhuroi Papës një kupë dheu prej tokës së shqiptarëve. Në zbatim të përpiktë të axhendës, eskorta e Atit të Shenjtë dhe delegacioni shoqërues u nisën drejt Tiranës, për të arritur rreth orës 10:00 në ceremoninë zyrtare pritëse në Presidencën shqiptare. E veçanta e udhëtimit prej disa minutash nga Rinasi drejt sheshit “Nënë Tereza”, ishin duartrokitjet e shumta të besimtarëve, që kishin dalë përgjatë këtij aksi, të cilat e shoqëruan Atin e Thjeshtë pothuajse gjatë gjithë rrugës. Nga rrethrrotullimi i Doganës, Rruga e Durrësit, qendra e Tiranës dhe deri në sheshin “Nënë Tereza”, qytetarë të shumtë të vendosur në anë të rrugës pritën me duartrokitje Papa Françeskun, ndërsa eskorta e tij i drejtohej Presidencës. Vetë Ati i Shenjtë iu përgjigj duke hapur xhamin e makinës, duke përshëndetur kështu mijëra besimtarët e ndodhur në Tiranë. Gjatë kohës që Papa përshëndeste besimtarët në shesh, truprojat që e shoqëronin i kanë afruar disa vogëlushë për t’u dhënë atyre bekimin. Pas takimit me Presidentin Bujar Nishani, Ati i Shenjtë ka nënshkruar një mesazh për popullin shqiptar në librin e artë të Presidencës: “Popullit fisnik shqiptar, me respektin dhe admirimin tim për dëshminë e tij dhe vëllazërinë në çuarjen para të vendit”, ndërsa ka vendosur edhe firmën e tij, Françesko. Me të përfunduar takimi, Ati i Thjeshtë bëri një shëtitje me makinën kabriolet tip “Mercedes Benz”, ngjyrë e bardhë, mes bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa nga lart i buzëqeshur dhe i emocionuar nga pritja madhështore që i bënë shqiptarët, përshëndeste me dorë, besimtarët që duartrokisnin pambarimisht, duke krijuar një melodi të mrekullueshme, që dukej sikur ndryshonte njësoj si shpejtësia e lëvizjes së makinës, që herë lëvizte me shpejtësi e herë ecte me ngadalë. Me të zbritur nga automjeti i tij, Papa Françesku u takua me kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij, e cila i dhuroi papës Çelësin e Tiranës, mes disa fjalëve të shkëmbyera bashkërisht. Rreth orës 11:00, Papa Françesku mbajti Meshën e Shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”, së bashku me dy kardinalë, 18 ipeshkvij, 240 meshtarë, 10 seminarista dhe katër diakonë përpara mijëra besimtarëve, të krishterë e myslimanë, shqiptarë e pelegrinë nga Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Italia, Serbia, Gjermania, Kroacia e të tjera shtete të botës. Në orën 13:30, sipas axhendës, Papa Françesku u takua dhe drekoi me ipeshkvijtë shqiptarë dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike, në mjediset e të cilit u takua edhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe me një grup bashkëpunëtorësh të këtij institucioni. Pas kësaj, vizita e tij u përqendrua në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku Ati i Shenjtë u takua me krerët e besimeve të tjera dhe komuniteteve të krishtera. Siç edhe ishte parashikuar, në orën 17:00, Ati i të Thjeshtëve mbërriti në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku kremtoi lutjen e mbrëmësores, përpara rreth 800 meshtarëve, motrave, rregulltarëve e rregulltareve, si dhe përfaqësuesve të lëvizjeve laike në Shqipëri. E ndërsa Ati i Shenjtë respektonte pikë për pikë oraret e planifikuara nga Vatikani, për vizitën e tij në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, por edhe bota mbarë, ndiqnin çdo lëvizje të tij, nëpërmjet ekraneve televizive, që kanë raportuar e komentuar minutë pas minute mbi zhvillimet e kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Ndalesa e fundit e Papa Françeskut, ishte fshati Bubq në Fushë-Krujë, ku u takua e bekoi fëmijët jetimë të qendrës “Betania”, ndërsa orëve të tij në tokën shqiptare po u vinte fundi, eskorta mbërriti në Aeroportin e Rinasit, ku mori pjesë në ceremoninë prej 15 minutash, të organizuar për largimin e tij, nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Ka qenë pikërisht ora 19:49, kur avioni i Papa Françeskut ka lënë tokën shqiptare, duke u lënë shqiptarëve shijen më të ëmbël që mund të kenë provuar ndonjëherë, atë të dashurisë për njëri-tjetrin./shqip

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat