Modernizohet ndriçimi i rrugëve, Rama: Merr fund vandalizmi dhe vjedhja e kabllove (VIDEO)

Shqipëria

Modernizohet ndriçimi i rrugëve, Rama: Merr fund vandalizmi dhe vjedhja e kabllove (VIDEO)

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 16:12

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në testimin e vendosjes për herë të parë në vendin tonë të një teknologjie të re për ndriçimin, gjatë inspektimit të rikonstruksionit të rrugës Prush-Gropaj të komunës Vaqarr në Tiranë.

Pasi u njoh nga afër me avantazhet e sistemit të ri, Kryeministri Rama, duke vlerësuar projektin theksoi se futja e një teknologjie të re për Europën synon t'i japë zgjidhje përfundimtare disa problematikave dhe e shndërron Shqipërinë në një model.

"E para, kjo është energji e gjelbër e plotë që futet. E dyta, do të na zgjidhë problemin e tmerrshëm të vandalizmit dhe të vjedhjes së vazhdueshme të kabllove nëpër rrugë. E treta, kjo na zgjidh problemin e shpenzimeve të pushtetit vendor, që praktikisht i ka të detyrueshme dhe që, nga ana tjetër, është një akumulim i madh borxhesh në raport me kompaninë e shpërndarjes, sepse nuk paguajnë. Nuk paguajnë për pamundësi kryesisht. Sidomos komunat e kanë të pamundur që të paguajnë shpenzimet”, nënvizoi Rama.

Ndërsa Drejtori i FSHZH-së, Benet Beci tha se “është hera e parë që ne po eksperimentojmë një teknologji të re të ndriçimit rrugor. Është fjala për fotovoltaikët. Kanë independencë disaditore, edhe në kohë me shi. Siguron një autonomi dhe s’ka nevojë për ndriçim dhe për pagesat që duhet të bëjë komunat, që shpeshherë janë të rënda për buxhetin e komunës. Kjo s’ka asnjë pagesë gjatë gjithë periudhës dhe siguron pavarësi të plotë të ndriçimit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat