Nishani-Papës: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut

Shqipëria

Nishani-Papës: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 08:37

“Popullit fisnik shqiptar me respektin tim dhe admirim për dëshminë dhe vëllazërinë për çuarjen përpara të vendit”. Këto janë fjalët që Papa Françesku shkroi në Librin e Miqve në Presidencë. Sapo mbërriti në kryeqytet kreu i Vatikanit dhe Presidenti Nishani patën një takim privat ndërsa më pas Ati i Shenjtë dhe Nishani mbajtën nga një fjalim përpara autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar, Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, krerëve të bashkësive fetare si dhe personaliteteve të tjera të ftuar. Pasi përshëndeti të ftuarit Presidenti Nishani falënderoi Atin e Shenjtë që zgjodhi Shqipërinë si vendin hapës të turit të tij evropian. Presidenti çmoi tolerancën fetare ndërmjet shqiptarëve si një faktor kyç që ka sjellë ekzistencën e këtij shteti tashmë 102 vjeçar. “Shqiptarët bashkë i kanë kaluar të gjitha proceset historike si njësi unike etnike mbi të gjitha, Rilindjen Kombëtare, duke respektuar përkatësitë fetare të njëri-tjetrit, në evokim të të njëjtit identitet kombëtar. Si të tillë kemi mbërritur te Pavarësia më 28 Nëntor 1912 deri sot në vitin e 102 –të të shtetit shqiptar. Jemi krenarë për këtë! Mes nesh nuk ka diskriminim, nuk ka intolerancë, nuk ka ekstremizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi, harmoni e barazi të plotë të komuniteteve fetare të garantuara nga Kushtetuta e shtetit tonë laik” u shpreh Nishani.

Pasi dënoi krimet 50 vjeçare të epokës komuniste ndaj fesë Presidenti tregoi rolin e rëndësishëm mes shekujve të gjuhës shqipe, vlerat e autorëve të parë që shkruan në favor të fesë. Nishani ngriti lart rolin e Nënë Terezës dhe Gjergj Kastriot Skënderbeut si dy nga aleatët më të mëdhenj të Vatikanit. “Ne jemi populli i Nënë Terezës! Shenjtëri, Nga historia më rezulton që Selia e Shenjtë i ka ofruar ndihmë dhe mbështetje të pakushtëzuar gjithmonë kombit tim. Heroi ynë kombëtar, prijësi, simboli i lirisë kundër robërisë, një nga kolonat e civilizimit evropian, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ishte aleati i zgjedhur i Shtetit të Vatikanit”,- tha Nishani. Më tej Nishani foli për hapat e Shqipërisë drejt integrimit evropian dhe marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Vatikanit. “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja”, me fjalët e Kanunit të Lek Dukagjinit, Presidenti Nishani falënderoi Atin e Shenjtë. Ndërsa në fjalën e tij Papa Françesku vlerësoi bashkëjetesën fetare mes shqiptarëve dhe më pas bëri një lutje për mbarë popullin shqiptar. “Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme”, u shpreh Papa. Ati i Shenjtë kërkoi nga shqiptarët që të bëhen shembuj edhe për mbarë botën për sa i përket paqes, harmonisë dhe tolerancës fetare. “Është vlerë, që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike, të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve, duke e njohur dhe duke e nderuar njëri-tjetrin. Është dhuratë, të cilën duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit, në lutje. Uroj që Shqipëria ta vijojë këtë udhë, duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi”, nënvizoi Ati i Shenjtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat