Kryeministri Rama: Krenar për vizitën e Papës

Shqipëria

Kryeministri Rama: Krenar për vizitën e Papës

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 23:50

Pak pasi përcolli Papa Franceskun, Kryeministri Rama doli në një konferencë për shtyp ku shprehu krenarinë e tij për mbarëvajtjen e të gjithë vizitës së Atit të Shenjtë. Rama shprehu bindjen se kjo vizitë do bëjë që bota të fillojë të mos ta shohë më Shqipërinë përmes paragjykimeve fetare.
Cdo gjë shkoi mirë dhe Edi Rama nuk e fsheh krenarinë. Pak pasi përcolli Papa Franceskun, Kryeministri është i bindur se pas vizitës së Atit të Shenjtë, bota do ta shikojë Shqipërinë me një sy tjetër, ndryshe nga stereotipet me të cilat është mësuar të paragjykojë.
“Fakti se shqiptarët janë myslimanë e krishterë e besojnë jetojnë në harmoni, dhe Shqipëria nuk është vend mysliman por evropian, është një shembull që u pa sot. Një shembull që tërhoqi gjithë botën sot, mbas përmbajtjes themelore, që është bashkëjetesa fetare, e të cilën e bënë Shqipërinë të jetë ndryshe në hartën e Evropës, por dhe në hartën e rrugëtimit të vendeve të lira dhe demokratike. Ka faqe dhe vullnet për transformim. Zor se përfytyrohet një gjë e tillë në një vend tjetër. Por dhe si në asnjë realitet tjetër, feja dhe kleri nuk u gjymtuan dhe shkatërruan si askund tjetër në Shqipëri. Ja ku jemi, feja dhe Kleri janë pjesë e të njëjtës vatër. Asgjë nuk mund ta përcaktojë më bukur sesa pamja e liderëve të komuniteteve të ndryshme fetare, në pritej të Papës dhe shprehja e përbashkët e vullnetit për ta ruajtur si sytë e ballit që është bashkëjetesa mes nesh. Padyshim që ajo çka vjen pas, jam i sigurt se do të vazhdojë të përcjellë në sytë dhe veshët e mbarë botës dhe posaçërisht dhe në të gjithë atë pjesë të Evropës së madhe që i ka parë shqiptarët me skepticizëm dhe i ka prerë shkurt këndvështrimet për të”, u shpreh Kryeministri Rama.
I lumtur me ecurinë e të gjithë ditës, Rama falënderoi disa prej ministrave të tij si dhe qytetarët e Tiranës, pa harruar Presidentin e Republikës dhe Bashkinë e Tiranës.
Kryeministri iu përgjigj edhe kuriozitetit se nga vita dheu i tokës shqiptare që i dhuroi Papa Françeskut.
“Kupa është mbushur me dhe është marrë të pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare. Është dheu ku banojnë shqiptarë dhe ku rriten fëmijët e shqiptarëve që iku sëbashku me Atin e Shenjtë drejt Vatikanit, duke marrë dhe bekimin e tij”, tha Rama
Para se të largohej nga gazetarët, Kryeministri theksoi se mbarëvajtja e vizitës së Papës vërtetoi edhe njëherë se asgjë nuk është e pamundur nëse punohet se bashku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat