Papa me krerët e komuniteteve fetare: “Ju jeni modeli dhe kam shumë nevojë për juve!”

Shqipëria

Papa me krerët e komuniteteve fetare: “Ju jeni modeli dhe kam shumë nevojë për juve!”

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 19:25

Papa Françesku zhvilloi sot pasdite një takim me krerët e besimeve dhe komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri, të organizuar në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë.
Papa Francesku e kishte vleresuar qe me pare bashkejetesen fetare ne Shqiperi. Bashkejetesa fetare ka qene edhe nje prej arsyeve te vizites se Papa Franceskut ne Tirane.
Ne mesazhin e tij, Papa Francesku, shprehu keqardhje per vuajtjet dhe veshtiresite qe ka kaluar populli shqiptar gjate historise se tij.
Papa Francesku u beri thirrje perfaqesuesve te besimeve fetare ne Shqiperi qe ta mbajne dhe ta thellojne traditën e marrëdhënieve të mira ndërmjet bashkësive fetare në Shqipëri dhe të ndjehen të bashkuar në shërbimin ndaj atdheut të shtrenjtë.
Më poshtë fjala e plotë e mbajtur nga Papa Françesku në këtë takim:
Të dashur miq,
Jam vërtet i gëzuar për këtë takim, ku janë mbledhur përgjegjësit e besimeve fetare kryesore të pranishme në Shqipëri. Përshëndes me respekt të thellë secilin prej jush dhe bashkësitë që përfaqësoni; e falenderoj nga zemra imzotin Massafra për fjalët e tij, me të cilat paraqiti dhe hapi takimin. Është e rëndësishme që jeni këtu së bashku: është shenjë e dialogut që jetoni ditë për ditë, duke u përpjekur të lidhni me njëri-tjetrin marrëdhënie bashkëpunimi vëllazëror, për të mirën e mbarë shoqërisë.
Për fat të keq, Shqipëria ka qenë dëshmitare e dhunës dhe e dramave që mund të shkaktojë përjashtimi përdhuni i Hyjit nga jeta vetjake dhe shoqërore. Kur, në emër të një ideologjie, synohet përjashtimi i Hyjit nga shoqëria, arrijmë të adhurojmë të tjerë idhuj e shumë shpejt edhe vetë njeriu përhumbet, i nëpërkëmbet dinjiteti e i dhunohen të drejtat. Ju e dini mirë çfarë mizorie mund të shkaktojë mohimi i lirisë së ndërgjegjes e i lirisë fetare dhe si, nga të tilla plagë, natyra njerëzore varfërohet gjer në palcë, sepse i mungon shpresa dhe pikësynimet ideale.
Një ndër rrjedhojat pozitive të ndryshimeve që filluan në vitet ’90 të shekullit të shkuar është edhe krijimi i kushteve për liri të mirëfilltë fetare. Kjo i krijoi secilës bashkësi kushtet të rigjallërojë traditat, të cilat nuk ishin shuar asnjëherë, pavarësisht nga përndjekjet e egra, dhe bëri të mundur që të gjithë të japin ndihmesën e vet në dobi të rindërtimit moral të vendit, para atij ekonomik, duke u mbështetur tek bindjet fetare përkatëse.
Në të vërtetë, sikurse pati pohuar Shën Gjon Pali II gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri më 1993, “liria fetare […] nuk është vetëm dhuratë e çmuar e Zoti për ata që kanë hirin e fesë: ajo është dhuratë për të gjithë, sepse është garancia që qëndron në themel të çdo shprehjeje tjetër të lirisë […] Asgjë më shumë se feja nuk na kujton se, po të kemi një krijues të vetëm, jemi edhe vëllezër, të gjithë! Liria fetare është mburojë kundër të gjithë totalitarizmave dhe ndihmesë vendimtare për vëllazërinë njerëzore” (Mesazhi drejtuar kombit shqiptar 25 prill 1993).
Por, duhet të shtojmë menjëherë: “Liria e vërtetë fetare i shmanget tundimit të mostolerancës e të sektarizmit dhe mbështet qëndrimet e respektit dhe të dialogut konstruktiv” (po aty). Nuk mund të mos e pranojmë se mungesa e tolerancës ndaj atij që ka bindje fetare të ndryshme nga tonat është armik posaçërisht tinëzar, që sot, fatkeqësisht, po shfaqet në rajone të ndryshme të botës. Si besimtarë, duhet të jemi veçanërisht syhapur, që shpirti fetar dhe etika, të jetuara me bindje dhe të dëshmuara me pasion, të shprehen gjithmonë me sjellje të denja për misterin që duan të nderojnë, duke i përjashtuar me vendosmëri si të pavërteta, sepse të padenja për Hyjin e për njeriun, të gjitha ato forma që përfaqësojnë përdorimin e shtrembër të fesë. Feja e vërtetë është burim paqeje e jo dhune! Askush nuk mund ta përdorë emrin e Hyjit për të ushtruar dhunë. Të vrasësh në emër të Hyjit është sakrilegj i madh! Të diskriminosh në emër të Hyjit është çnjerëzore.
Nga kjo pikëpamje, liria fetare nuk është një e drejtë që mund të garantohet vetëm me anë të sistemit ligjor në fuqi, gjithashtu i domosdoshëm: është hapësirë e përbashkët, mjedis ku mbizotëron respekti e bashkëpunimi, që duhet realizuar me pjesëmarrjen e të gjithëve, edhe të atyre që nuk kanë asnjë besim fetar. Më lejoni të paraqes dy qëndrime, që mund të jenë veçanërisht të dobishme për zhvillimin e kësaj lirie themelore.
I pari është ai, sipas të cilit shohim tek çdo burrë e grua, edhe tek ata që nuk i përkasin traditës sonë fetare, jo kundërshtarë, aq më pak armiq, por vëllezër e motra. Kush është i sigurt për bindjet e veta, nuk ka nevojë të imponohet, të ushtrojë trysni tek të tjerët: e di se e vërteta ndryn në vetvete forcën rrezatuese. Të gjithë, në fund jemi, shtegtarë mbi këtë tokë, e në këtë udhëtim, ndërsa dëshirojmë me gjithë shpirt të vërtetën dhe amshimin, nuk jetojmë si qenie të mëvetësishme dhe të vetëmjaftueshme, as si individë, as si grupe kombëtare, kulturore apo fetare, por varemi nga njëri-tjetri, i jemi besuar kujdesit të të tjerëve. Çdo traditë fetare, nga brendia e vet, duhet të jetë në gjendje të japë llogari për ekzistencën e tjetrit.
Qëndrimi i dytë është angazhimi në dobi të së mirës së përbashkët. Kur pjesëmarrja në traditën fetare përkatëse shërben si frymëzim për t’i shërbyer mbarë shoqërisë me më shumë bindje, me më shumë bujari e pa interes, aty gjendet ushtrimi i vërtetë i lirisë fetare dhe thellimi i saj. Ajo, atëherë, nuk shfaqet vetëm si hapësirë e autonomisë së kërkuar me të drejtë, por si një mundësi e fuqishme, që e pasuron familjen njerëzore, me ushtrimin e saj të mëtejshëm. Sa më shumë të jemi në shërbim të të tjerëve, aq më shumë jemi të lirë.
Le të shikojmë përreth nesh: sa nevoja kanë të varfrit, sa nevojë kanë shoqëritë tona të gjejnë ende udhët për tek drejtësia sa më e përhapur shoqërore, drejt zhvillimit ekonomik gjithëpërfshirës! Sa shumë ka nevojë shpirti njerëzor të mos e humbë kuptimin e thellë të përvojave të jetës dhe të rigjejë shpresën! Në këto fusha veprimi, burra e gra të frymëzuar nga vlerat e traditave të veta fetare mund të japin një ndihmesë të rëndësishme, madje të pazëvëndësueshme. Ky është një truall veçanërisht pjellor edhe për dialogun ndërfetar.
E pastaj, një gjë, pa identitet, nuk do të ishte dialog. Do të ishte dialog fantazmë, apo jo? Do të ishte… por, gjithçka është relative, relativizëm… Parimi është i qartë: nuk mund të dialogohet, nëse nuk nisemi nga identiteti vetjak, nuk shërben. Secili nga ne ka identitetin e vet fetar, është besnik ndaj tij. Por, Zoti e di sa mbart historia. Ecim duke u nisur nga identiteti ynë, pa u shtirë sikur kemi një tjetër: kjo nuk shërben, Nuk ndihmon. Ky është relativizëm. Ajo që na bashkon, është udha e së mirës… E kështu, si vëllezër, ecim së bashku. E secili nga ne ia ofron tjetrit dëshminë e identitetit të vet e dialogon me tjetrin. Pastaj, dialogu mund të shkojë përpara në çështje teologjike: e kjo është vërtet e bukur! Por ajo, që është më e rëndësishme, është të ecim së bashku, pa e tradhtuar identitetin tonë, pa e maskuar, pa hipokrizi…. Më bën mirë kur e mendoj këtë.
Të dashur miq, ju bëj thirrje ta mbani dhe ta thelloni traditën e marrëdhënieve të mira ndërmjet bashkësive fetare në Shqipëri dhe të ndjeheni të bashkuar në shërbimin ndaj atdheut tuaj të shtrenjtë. Eh? Me pak sens humorizmi, mund të themi se kjo duket si një skuadër futbolli, jo? Katolikët, kundër gjithë të tjerëve…
Të gjithë bashkë, për të mirën e Atdheut e të njerëzimit! Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shenjë që tregon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta dhe të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare. E, ju kërkoj një favor: të luteni edhe për mua. Edhe unë kam nevojë. Shumë nevojë.
Faleminderit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat