Vizita e Papa Franceskut/Mediat ndërkombëtare vëmendje të veçantë për Shqipërinë

Shqipëria

Vizita e Papa Franceskut/Mediat ndërkombëtare vëmendje të veçantë për Shqipërinë

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 12:36

Media ndërkombëtare i ka kushtuar një vëmendje të veçantë vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.

Ajo që theksohet në disa prej mediave më prestigjoze në Botë është fakti se në këtë udhëtim pastoral, Ati I Shenjtë nënvizoi harmoninë mes besimeve fetare në vendin e vogël ballkanik.

”DEUTSCHE WELLE”

Papa Françesku mbërriti sot në Shqipëri, në vizitën e dytë papnore në këtë vend, pas asaj të papa Gjon Palit II, në vitin 1992, një vit pas rënies së regjimit komunist në vendin ballkanik.

Masat e sigurisë për vizitën e papës janë tepër të larta, ndërkohë që Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka garantuar ruajtje maksimale me dislokimin e 2 500 policëve dhe 29 pika të kontrollit në kryeqytetin e vendit në Tiranë.

ANSA

Bashkëjetesa paqësore mes besimeve fetare në Shqipëri është një shenjë e bukur për botën, deklaroi sot papa Françesku në përshëndetjen për gazetarët, ndërkohë që ishte në fluturim e sipër nga Roma për në Tiranë.

“Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë”, nënvizoi papa. ”Sidoqoftë, ajo arriti të gjejë paqen përmes besimeve të ndryshme. Dhe kjo është një shenjë e admirueshme për botën, për paqen dhe ekuilibrin në favor të qeverisjes”, theksoi papa Françesku.

”IL CORRIERE DELLA SERA”

Përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës janë vendosur fotografitë e 40 martirëve të regjimit komunist, të cilët do të shenjtërohen së shpejti.

Tashmë kohët kanë ndryshuar dhe pranë ”Opera”-s, me një pankartë ku lajmëron shfaqjen e “Traviata”-s, një kishë dhe një xhami ngrihen pranë njëra-tjetrës dhe papa Françesku do të ecë përmes mijëra njerëzve. Fjalët e para të papa Françeskut janë ”në këtë tokë heronjsh dhe martirësh”.

AFP

Papa Françesku mbërriti sot në Shqipëri për një vizitë njëditore, në këtë vend ballkanik që drejtohet nga një koalicion mes myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve.

Papa kërkon të paraqesë bashkekzistencën paqësore fetare në këtë vend si model edhe për evropianët. Avioni i Atit të Shenjtë mbërriti në aeroportin e kryeqytetit të Shqipërisë, ku Papa u prit nga kryeministri Edi Rama, një katolik edhe vetë ai.

Dhjetëra mijëra persona janë të pranishëm në qendër të Tiranës, në sheshin ”Nënë Tereza” ku Ati i Shenjtë do të mbajë një meshë.

“LE FIGARO”

Sapo mbërriti në Tiranë, Papa Françesku vlerësoi marrëdhëniet mes myslimanëve dhe të krishterëve. Tema e tolerancës mes feve do të jetë lajtmotivi i vizitës së parë në Evropë të papa Françeskut.

TGcom

“Shqipëria është një vend që ka vuajtur aq shumë, por pastaj arriti të gjejë paqe me dallimet fetare. Dhe kjo është një shenjë e mirë për botën, paqja dhe ekuilibri janë në favor të qeverisjes”- është shprehur Papa gjatë fluturimit shkruan Tgcom.

“Euronews”: Papa shkon të konfirmojë harmoninë fetare

Ndërsa “Euronews”, teksa ka vënë në pamje të parë një foto nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, i zbukuruar së fundi edhe me fotot e martirëve në sfond, i bën një analizë bashkëjetesës fetare në vendin tonë, të cilin e quan një vend kryesisht laik, por ku muslimanët vijnë pas tyre.

Siç thotë “Euronews”, kjo është vizita e parë dhe domethënëse e Papa Françeskut në një vend ku, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës nga 1944-1985, katolikët janë persekutuar dhe besimi ishte i ndaluar prej vitit 1967.

“Nuk është e rëndësishme për mua, nëse jam katolik, ortodoks apo musliman”, citon “Euroneës” një qytetar. “Papa vjen të shohë vendin tonë, një vend që ka vuajtur shumë dhe po vjen të thotë shumë gjëra, përfshi edhe sugjerimin për ta ruajtur bashkëjetesën paqësore fetare mes besimeve të ndryshme”.

Kisha në Derven, 30 kilometra në Veri të kryeqytetit, shihet si një simbol i harmonisë. Ajo u ndërtua për herë të tretë vitin e kaluar, me ndihmën e 15 familjeve lokale muslimane.

“Shqipëria është një shembull i mrekullueshëm i harmonisë dhe Papa Françesku vjen të konfirmojë këtë harmoni, paqe dhe vëllazëri mes të gjithë besimtarëve”, tha një famulltar me emrin Carmine Leuzzi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat