Tirana në festë për Papa Françeskun, Ati i Shenjtë shpallet “Qytetar Nderi”

Shqipëria

Tirana në festë për Papa Françeskun, Ati i Shenjtë shpallet “Qytetar Nderi”

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 11:59

Entuziazëm dhe atmosferë festive si asnjëherë tjetër në sheshet dhe rrugët e kryeqytetit shqiptar, teksa Papa Françesku përshkon bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përshëndetet me qytetarët që kanë mbushur sheshet.

Ati i Shenjtë, nga makina e tij e bardhë, përshëndeti dhe bekoi mijëra qytetarë dhe besimtarë që kanë ardhur nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga vende të tjera, për të përshëndetur Papa Françeskun, në këtë vizitë historike në Shqipëri.

Makina e tij ka lëvizur me ngadalë drejt altarit ku do të mbahet Mesha, e përcjellë nga thirrje gëzimi dhe mijëra duar që e fotografonin dhe filmonin pa pushim me celularë.

Emocionues ishte veçanërisht momenti kur Ati i Shenjtë ndaloi makinën dhe bekoi dy fëmijë që ndodheshin mes turmës së njerëzve në sheshin “Nënë Tereza”, ku Papa Françesku do të mbajë edhe Meshën e Shenjtë.

Një tjetër moment i rëndësishëm në ceremonialin për pritjen e Papës ishte edhe nderimi i Atit të Shenjtë me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” nga Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, i cili i dorëzoi Atit të Shenjtë edhe “Çelësin e Tiranës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat