Reuters: Mrekullia e parë, bashkohet politika për sheshin

Shqipëria

Reuters: Mrekullia e parë, bashkohet politika për sheshin

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 08:38

Vizita e Papës në Shqipëri pritet të jetë një bekim për vendin tonë. Por pavarësisht se Ati i Shenjtë nuk ka mbërritur ende në Tiranë, agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se tashmë ka ndodhur mrekullia e parë për Tiranën, rikonstruktimi i sheshit “Nënë Tereza”.

“Reuters” shkruan se Papa Françesku, ende pa ardhur në Shqipëri, i ka bërë asaj një mrekulli të vogël: E ka nxitur bashkëpunimin ndërmjet “armiqve” politikë që të bashkojnë forcat për të rikonstruktuar një nga sheshet kryesore të Tiranës, në të cilën ai do të mbajë Meshën.

“Reuters” vë në dukje polarizimin e theskuar politik në vendin tonë, që kur komunizmi u shpërbë në vitin 1990. Sipas saj demokratët dhe socialistët shqiptarë kanë penguar në mënyrë të përsëritur planet e njëri-tjetrit për t’i rikthyer lavdinë, sheshit “Nënë Tereza”.

Por që me sinjalin e parë të njoftimit të Papës për ta nisur vizitën në Evropë nga Shqipëria, qeveria e drejtuar nga socialistët dhe bashkia e kryeqytetit nga demokratët, kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre për të ndërmarrë një rikonstruksion disa miliona dollarësh.

Rikonstruksioni i sheshit “Nënë Tereza” ka filluar prej disa javësh, dhe tashmë ai është gati për të mirëpritur Atin e Shenjtë.

Javët e fundit, punëtorët hoqën disa lokale të improvizuara si kafene. Fasadat dhe kolonat e projektuara nga italianët të godinës së Universitetit, Institutit të Arkeologjisë dhe Akademisë së Arteve, të nxira nga pluhuri dhe tymi i kohës, janë zbardhur dhe qindra pllaka të thyera janë zëvendësuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat