Vizita e Papës në Tiranë, komentojnë studiuesit (Video)

Shqipëria

Vizita e Papës në Tiranë, komentojnë studiuesit (Video)

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 22:24

Në Tiranë kanë përfunduar tërësisht përgatitjet për mikpritjen e Papa Franceskut, i cili do ta vizitojnë nesër Shqipërinë. Mesazhet e tij gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza po priten mjaft interesim nga opinioni publik dhe nga qarqet akademike shqiptare. Historianë dhe sociologë mendojnë se vizita e Papa Franceskut është një mbështetje e madhe për zhvillimin europian të Shqipërisë pa harruar të shkuarën diktatoriale të vendit.

Vizita e Papa Franceskut në Shqipëri po pritet me mjaft interes nga qarqet shkencore akademike. Studiuesit komentojnë mënyra të ndryshme këtë ngjarje, si nga pikëpamja historike ashtu edhe aktuale. Historiani i njohur Romeo Gurakuqi thotë se vizita e Papa Franceskut bëhet për të mbështetur popullin shqiptar në përpjekjet për të dalë nga errësira dhe për t'u zhvilluar si shtet dinjitoz demokratik.

“Është një vizitë që po kryehet në kuadrin e frymës së re europianizuese të promovuar nga kryeministri aktual i Republikës së Shqipërisë, frymë e cila në fakt po gjen pengesa të shumta të brendshme të shkaktuara nga trashëgimia e kaluar dhe mbi të gjitha nga rrymat e brendshme integriste dhe puniste brenda maxhorancës së sotme” - tha zoti Gurakuqi.

Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj, thotë se kjo është një vizitë e rrallë dhe historike, që merr parasysh të shkuarën dhe të sotmen e këtij vendi. “Papa Francesku besoj se ka patur parasysh të kaluarën e këtij vendi. Ne e dimë shumë mirë se çfarë ishte Shqipëria sidomos pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990 kur u rihapën institucionet fetare. Së dyti besoj se ai ka patur parasysh multi-religjiozitetin e shoqërisë shqiptare. Shqipëria duke qenë një vend multi-fetar paraqet në vetvete një panoramë komplekse fetare” - tha zoti Gjuraj.
Prof. Gurakuqi thotë se Papa e viziton Shqipërinë për të mbështetur popullin shqiptar në rrugën e integrimin europian dhe për të ndihmuar forcimin e rrymave progresiste, sepse vendi nuk duhet të ketë më kthime prapa. “Është një mbështetje për shoqërinë dhe popullin shqiptar në rrugën europianizuese, një mbështetje për pjesën progresiste të politikës shqiptare në rrugën e ndërtimit të shtetit të sa drejtës, të ligjit, të proceseve integruese në Europë, gjë që herë pas here është penguar dhe vendi ynë ndodhet në një udhëkryq shumë të vështirë dhe të mundimshëm për shkak të hapave para dhe prapa që janë bërë në këto 24 vite në Shqipëri” - tha zoti Gurakuqi.
Duke e krahasuar me vizitën e Papa Gjon Palit të Dytë dy dekada më parë, prof. Gjuraj thotë se vizita Papa Franceskut regjistron ndryshimet mëdha të Shqipërisë nga vitit 1993. “Shumë gjëra kanë ndryshuar nga ai vit; sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka marrë statusin e vendit kandidat, por dy gjëra nuk kanë ndryshuar në këtë vend: modeli ikumenik, çka besoj i intereson Papa Franceskut, sepse kemi të bëjmë me një model të qëndrueshëm ikumenik dhe besoj është ruajtur përtej kushtetutës apo ligjeve të tjera në këtë vend, por në mënyrë të natyrshme ndarja e fesë nga shteti, ndarja e kishave nga shteti” - tha zoti Gjuraj.
Zoti Gurakuqi thotë se vizita dhe mesazhet e Papa Franceskut për të kthyer vëmendjen tek vlerat e kombit dhe të besimit dhe për të nxjerrë mësime nga historia e përgjakshme janë një ftesë për të reflektuar që bijtë më të mirë të Shqipërisë të kthehen në atdhe dhe të punojnë për zhvillimin e vendit të tyre.
“Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë maksimumin për ta orientuar këtë vend. Mund të them se bashkësia ndërkombëtare ka dhënë mbështetjen maksimale Shqipërisë në këtë proces, por Shqipëria është një vend i vështirë, është një vend me vektorë të përkundërt në rrugën e vet zhvillimore, një vend me një trashëgimi shumë të ndërthurur e cila nuk ka mundësuar daljen e elitave progresiste në krye. Herë pas here elitat progresiste pengohen, janë të ndrydhura dhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare ka marrë rrugët e emigracionit. Pjesa më e ndritur e intelektualëve shqiptarë në fakt e gjejnë hapësirën e nevojshme për të ecur para në këtë shoqëri. Kthimi i bijve të Shqipërisë të shkolluar jashtë është një prej proceseve të munguara që duhet të riplotësohet në mënyrë graduale dhe të njëmendtë dhe jo për fasadë, por për hir të përparimit të vendit dhe të kombit tonë në rrugën e progrsit europian” - tha zoti Gurakuqi.
Nga ana tjetër, prof.Gjuraj thotë se vizita e Papa Franceskut është një thirrje për të vlerësuar traditën dhe për të ripërcaktuar përkatësinë europiane të Shqipërisë. “Shteti i Vatikanit, Papa Francesku dhe papët më parë besoj e kanë parë Shqipërinë edhe kur vendi ka qenë i izoluar si një vend europian kulturalisht, nga pikëpamja e vendosjes dhe e përkatësisë dhe e qytetërimit. N këtë aspekt unë them që Shqipëria nuk është asgjë tjetër veçse një vazhdim i qytetërimit perëndimor. Besoj që Papa vjen për ta ripërforcuar pozicionin e Shqipërisë në kontinetin e Europës, ku kristianizmi ka kontributin e vet në zhvillimin e botës perëndimore, ku edhe Shqipëria shumë shpejt do të jetë pjesë e saj” - tha ai.
Sipas profesorëve, vizita nderon klerikët e martirizuar shqiptarë dhe po ndriçon plotësisht përmasat e dhunës kundër klerikëve patriotë, dhe u kujton atyre që i kryen këto krime se asnjëherë nuk është vonë për pendesë dhe për të kërkuar falje. Shëtitorja “Dëshmorët e Kombit” deri te sheshi “Nënë Tereza” është mbushur plot me foto të klerikëve të pushkatuar nga diktatura komuniste thjesht për besimin e tyre fetar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat