Një ditë para vizitës, kërcënohet Papa

Shqipëria

Një ditë para vizitës, kërcënohet Papa

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 21:43

Vihet nën masa të rrepta sigurie sheshi “Shën Pjetri” në Vatikan, pas një plani sulmi të zbuluar nga shërbimet inteligjente ditën e shtunë.

Mediet raportojnë sot për një sulm të mundshëm ndaj Papa Françeskut, një ditë para vizitës së tij në Shqipëri.

Paniku është përhapur pas kapjes së një bisede të dyshimtë mes dy shtetasve arabë në Vatikan, ku flisnin për një akt demonstrativ ditën e mërkurë.

Kujtojmë që çdo të mërkurë, Papa mban fjalimin tij para një audience shumë të madhe, në sheshin para bazilikës së Shën Pjetrit.

Njësia e kundër-terrorizmit në Itali zbuloi se një nga bashkëbiseduesit arabë ka mbërritur në Itali tetë muaj më parë, duke shtuar shqetësimin se kërcënimi mund të jetë i vërtetë.

Kjo bëhet edhe më e dyshimtë, pasi më parë ekstremistët e Shtetit Islamik kanë kërcënuar me një komplot Papa Françeskun.

E përditshmja italiane “La Repubblica” njofton se forcat e operacioneve speciale bashkë me qentë e tyre nuhatës të trajnuar janë hedhur në kërkim të eksplozivëve, ndërsa hotelet në zonën përreth janë gjithashtu duke u mbajtur nën mbikëqyrje.

Lajmi shqetësues vjen një ditë para vizitës së Papës në Shqipëri, ku ai do të shoqërohet nga turmat e shumtë të njerëzve pavarësisht një rreziku të mundshëm që mund të vijë nga luftëtarët e kthyer nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Disa të tjerë kanë ngritur shqetësimin se, Papa me deklaratat e tij kundër ISIS-it e ka vënë veten në “shënjestër”.

Ambasadori i Irakut në Vatikan, Habib Al Sadr, pak ditë më parë deklaroi për të përditshmen italiane “La Nazione” se ekstremistët e Shtetit Islamik duan ta vrasin Papa Françeskun.

Vatikani njoftoi se masat e sigurisë ndaj Atit të Shenjtë do të jenë maksimale gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 21 shtator./shekulli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat