Papa bekon Shqipërinë, mesazh Botës: Merrni shembull nga kombi i shqiponjave!

Shqipëria

Papa bekon Shqipërinë, mesazh Botës: Merrni shembull nga kombi i shqiponjave!

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 15:31

(E plotësuar) Ati i Shenjtë, Papa Françesku prek tokën shqiptare për të bekuar njerëzit e saj. Papa i të thjeshtëve zgjodhi për të filluar vizitën e tij në Evropë një vend si Shqipëria. Ati i Shenjtë zgjodhi Tiranën më shumë se sa një nga kryeqytetet e mëdha, për të përgëzuar një kishë në rritje në një vend që ka dalë nga një diktaturë e tmerrshme dhe që ka një bashkëjetesë të përsosur fetare.
Ati i Shenjtë, përshkoi me makinën e tij Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u përshëndetur me duartrokitje nga rreth 300 mijë qytetarë dhe besimtarë, pa dallim feje e kombësie që kishin mbushur si asnjëherë tjetër rrugët e sheshet e Tiranës për të pritur me entuziazëm Papa Françeskun, në këtë vizitë historike në vendin tonë. Automjeti me të cilin lëvizi në Tirane Papa ishte tërësisht e zbuluar dhe pa xhama të blinduar.

Gjatë rrugëtimit në Bulevard, Papa dha shenjë të ndalohej, duke i kërkuar rojes së sigurisë ti afrojë një vogëlushe rreth 2 vjec që ndodhej me prindërit në turmë. Ky moment u përsërit dhe për disa vogëlushë të vegjël që patën fatin që Papa ti puthë dhe japë bekimin. Njërit prej tyre, Papa i vari dhe shallin e tij të veladonit të bardhë që mbante veshur.

Entuziazëm, emocione të mëdha dhe kaq shumë duartrokitje, fotografi, buzeqeshje, teksa Papa Francesku levizi në Bulevardin kryesor të Tiranës ku mijëra persona e pershendeten me shume dashuri.

Gjatë meshës së mbajtur në sheshin 'Nënë Tereza', i cili i ngjasoi sot sheshit 'Shën Pjetër' të Vatikanit, Papa predikoi paqe në shtëpitë e çdo shqiptari, në zemrat e tyre dhe për gjithë kombin e shqiponjave, siç i cilësoi ai.

Disa nga mesazhet kryesore ne fjalimet e Papa Franceskut ne Tirane
-“Ka kaluar një çerek shekulli që kur Shqipëria ka gjetur rrugëtimin e saj drejt rindërtimit. Do ketë bashkëpunim me Europën dhe botën mbarë, kemi mundësi të shikojmë me besim dhe shpresë se si rritet bashkëjetesën me fqinjët e më shumë. Bashkëjetesa paqësore mes besimeve fetare, klima e respekti mes ortodoksëve, katolikëve dhe myslimanëve është një dukuri speciale në kohën e ekstremistëve, në kohën kur besimi po kthehet në faktor përplasjesh dhe dhune”.

Zoti ju ishte pranë shqiptarëve, ju priu e ju ngushëlloi, ju ngriti në krahë shqiponje'.

-Eshtë për tu përgëzuar bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve në kohën kur bota rrezikohet nga ekstremistët që përdorin fenë për të përhapur dhunë e urrejtje.

-Askush nuk duhet ta përdorë fenë si pretekst për të kryer akte të dhunshme.

-"Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur në këmbë. Ai ju priu e ngushëlloi e së fundi ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit. Uroj që Shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, tju kujtojë gjithnjë shpresën për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira"
-Nuk mund të vlerësosh, nëse nuk nisesh nga identiteti. Pa identitet nuk ekziston dialog. Me dialog ne ecim përpara, dhe është e bukur.
-Të mbajmë dhe të zhvillojmë traditën e marrëdhënieve midis komuniteteve fetare që ekzistojnë në Shqipëri.

PAPA FRANESKO MBYLL VIZITËN E TIJ NË SHQIPËRI, PËRCILLET NGA KRYEMINISTRI RAMA
Ora 19:50- Papa Francesko ka mbyllur zyrtarisht vizitën e tij historike në Shqipëri, duke u drejtuar drejt Romës. Pas një vizite 1 ditorë, avioni i Atit të Shenjtë ka nisur fluturimin për në Itali rreth orës 19:47 minuta të mbrëmjes së sotme. Teksa i është drejtuar aeroportit të Rinasit, ai është pritur nga kryeministri Edi Rama, sëbashku me bashkëshorten e tij. Për pak çaste të dy, kryeministri Rama sëbashku me Atin e Shenjtë, janë ulur në dhomën e veçantë ku priten vipat. E më pas janë drejtuar drejt pistës së avionit, ku është pritur nga përfaqësues të kabinetit, si Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

PAPA FRANCESKO I DREJTOHET AEROPORTIT TË RINASIT
Ora 19:10- Papa Francesko i drejtohet aeroportit të Rinasit, për të mbyllur sot vizitën e tij historike në Shqipëri. Që prej orës 9 kur Ati i Shenjtë shkeli tokën e shenjtë shqiptare, zhvilloi disa takime, mes të cilat kulmoi lëvizja e tij mes bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe mesha e shenjtë.

PAPA FRANCESKU: JU KËRKOJ TË LUTENI PËR MUA DHE NGA ZEMRA JU BEKOJ!
Ora 19:00- Diferenca fetare nuk pengon harmoninë. Ky ishte mesazhi i qartë i Papa Françeskos nga qendra ‘Betania’. Duke falënderuar të gjithë drejtuesit për krijimin e kësaj qendre, Ati i Shenjtë tha se besimi në Zot është e vetmja zgjidhje për të shpëtuar nga e vuajtjet. “Të dashur miq, në momente si këto kemi besim tek feja dhe Zoti. Kjo qendër, dëshmon se është e mundshme se mund të ketë një bashkëjetesë paqësore mes njerëzve të bashkësive të ndryshme fetare. Këto diferenca nuk e pengojnë harmoninë. Edhe përballë vuajtjeve dhe sulmeve, tregon se heq dorë nga hakmarrja. Në vend që të shijojmë çdo gëzim të çdo jete, na mbështet në vështirës, e mira shpagon shumë herë me tepër se paraja. Drejtuesja juaj tregoi dhe etapat e ngritjes së kësaj qendre dhe e përgëzoj për mikpritjen tuaj. Këto fjalët mund të duken paradoksale për shumë vende, të cilat kërkojnë pasuri dhe argëtim. Jezusi dhe virgjëresha Maria bekofshin qendrën tuaj dhe bekofshin të gjithë vullnetarët. U hapshin zemrat tuaja për vepra që sjellin gëzim të vërtetë. Ju kërkoj të luteni për mua dhe nga zemra ju bekoj!.”-tha Papa Francesko.

Themeluesja e kësaj qendre, Antoneta Vitale ka treguar para Papa Franceskos, se kisha u ndërtua nga duart e vullnetarëve. “Bëjmë jetë bamirësie pa kushtëzime. Lutje për ndihma për njerëzit në nevojë”-tha Vitale. Nga ana e tij në shenjë simboli dhe mirënjohje për punën dhe iniciativën me fëmijët në nevojë, Papa Francesku dhuroi për Kishën e qendrës ‘Betania’ statujën e “Shën Antonit”.

ATI I SHENJTË NISET DREJT QENDRËS “BETANIA” NË BUBQ
Ora 18: 00-Pas mbylljes së ceremonisë së lutjes së Mbrëmësores në Katedralen e “Shën Palit”, Papa Francesku është nisur drejt Bubqit të Fushë-Krujës, ku do të vizitojë qendrën “Betania”. Mësohet se në këtë qendër janë strehuar 70 fëmijë, shumica e të cilëve jetimë. Qendra “Betania” do të jetë dhe ndalesa e fundit e Atit të Shenjtë.

PAPA: KUPTOVA VUAJTJET TUAJA, POPULL MARTIRËSH
Ora 17: 50- Nga Kisha Katolike e “Shën Palit”, Papa Francesku tregoi se teksa vinte nga aeroporti drejt Tiranës, dhe shihte të varura në qendër portretet e martirëve të rënë gjatë kohës së komunizmit, kishte kuptuar vuajtjet e mëdha që kishte kaluar ky vend. Papa tha mes të tjerash se ‘Ju jeni popull martirësh’. “Më erdhi në mendje t’ju them dhe diçka tjetër. Zoti na ngushëllon me vështirësitë tona dhe ne ngushëllojmë ata që kanë nevojë. Në këto dy muaj jam përgatitur për këtë vizitë, duke lexuar historinë e Kishës së Shqipërisë në periudhën e persekutimit. Jam befasuar, se dija se populli juaj nuk kishte vuajtur kaq shumë gjatë historisë së tij. E nga aeroporti deri në shesh pash disa nga fotot e martirëve, e duket qartë, se jeni popull martirësh. Sot i pamë dy. Ato që ata thanë me fjalët e tyre të thjeshta, tregonin me thjeshtësi, por me shumë dhimbje. Ata kanë qëndruar, e kanë jetuar gjithnjë me ankth, nëse do pushkatoheshin apo jo dhe zoti i ngushëllonte.

E gjithë kisha lutej për Pjetrin dhe zoti po ashtu. Zoti ngushëllon përvuajtshmërisht dhe në heshtje dhe fshehurazi. Ngushëllon në intimitet dhe me fortësi. Ata, janë të sigurt që nuk krenohen për atë që kanë jetuar, pasi ata kanë vuajtur për zotin. Ata na thonë një gjë të rëndësishme, se për në që jemi thirrur nga zoti dhe i vetmi ngushëllim. Mjerë për ne nëse kërkojmë ngushëllim tjetër, mjerë priftërinjve dhe murgeshave nëse kërkojnë ngushëllim larg zotit. Nuk dua të bëhem xhelati juaj dhe t’ju bie me shkop, por mjerë ata që kërkojnë ngushëllim diku tjetër, pasi nuk do jeni të lumtur.”-tha Papa Francesku.

PAPA FRANÇESKU BEKON KAMBANAT NË KATEDRALEN E “SHËN PALIT”
Ora 17: 00-Papa nuk mund të ik nga ky vendi i shenjtë pa u lutur për të. Ndaj ai zgjodhi të jap bekimin e tij në Katedralen e “Shën Palit”. Në shenjë simbolike, Ati i Shenjtë ka prekur kambanat në katedralen e kësaj kishe.
‘Zoti bëri për ju, atë që bëri dhe për popullin e zgjedhur të Izraelit‘-kështu tha në fjalimin e tij madhështor për popullin shqiptar. Ky ka fjalë më të ngrohta se këto!
Imzot Rrok Mirdita: Po rilindim nga persekutimi ateist
Me fjalë të zgjedhura, të ndjera, duke treguar vuajtjet ndër vite të Kishës Katolike, Imzot Rrok Mirdita, tha se paqja është arritur përmes flijimit.
“Jemi këtu me mendje dhe zemër të hapur. Jemi kishë e Lashtë. Shpirti i zotit i nxit burrat dhe gratë drejt bashkimit. Kështu kisha për këto 2 mijë vjeçar vijoj të punoj përmes pushtetit që nuk njeh kufi. Identiteti jonë shihet përmes flijimit. Paqja që kemi arritur është fryt flijimi që kemi arritur ndër vite. Jemi kishe e lashtë, pasi lindëm nga persekutimi ateist. Jemi kishë që shpirtin zoti e mblodhi nga katër anët. Vizita e Papa Gjon Palit të Dytë dhe vizita e të Atit të Shenjt sot, tregojnë dashurinë e madhe që kanë për këtë popull.”-tha imzot Rrok Mirdita

PAPA FRANCESKU VIZITON UNIVERSITETI “ZOJA E KËSHILLIT TË MIRË”: PA IDENTITET NUK EKZISTON DIALOG
Ora 16:34- Stacioni i radhës në këtë vizitë historike të Papa Franceskut në Tiranë ka qenë Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Mësohet se Ati i Shenjtë është takuar me përfaqësues nga komunitetet fetare të ndryshme. Siç ishte paralajmëruar dhe më parë, pjesëmarrës në këtë takim janë Kryegjyshi Botëror, Baba Edmond Brahimaj, kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj dhe Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse në Shqipëri, Anastas Janullatos.

Ati i Shenjtë, në shenjë mirënjohje dhe vlerësim ka takuar një për një të gjithë përfaqësuesit fetar të pranishëm në takim, duke rrezatuar shumë nga përulja e tij. Nga salla mes të pranishmëve, Ati i Shenjtë lëshoi mesazhe të forta për të gjithë komunitetet fetare, duke theksuar se ‘Të gjithë jemi në fund të fund pelegrinë në këtë tokë’.
Papa Francesku shtoi se liria fetare në Shqipëri është një dhuratë për të gjithë, pasi është një garanci e lirisë. Sipas Atit të Shenjtë, çdo fe duhet të jap llogari për ekzistencën e gjithsecilit nga ne.

“Të dashur miq, ju përshëndes me një respekt të madh dhe të gjitha komunitetet që hu përfaqësoni. Ju falënderoj personalisht zotin Anxhelo Masafra. Faleminderit për atë që bëni, të gjithë ju përfaqësues të bashkësive fetare. Kur në emër të një ideologjie, largohesh nga Zoti, për shkak të një idhulli. Ju e dini mirë se cilat gabime mund të dëmtojnë lirin në ndërgjegje dhe ato fetare. Në të vërtetë, liria fetare në Shqipëri është një dhuratë për të gjithë, pasi është një garanci e lirisë. Vrasja nuk është në emër të Zotit. Se pari duhet të çojmë tek njerëzit që manifestojmë elementë që nuk janë të besimit tonë, por vëllezër dhe motra. Të gjithë jemi në fund të fund pelegrinë në këtë tokë. Varemi nga njëri tek tjetri dhe çdo fe duhet të jap llogari për ekzistencën e tjetrit. Shpirti njerëzor nuk duhet të humbasë shpresat, ndaj njerëzit mund të ofrojnë një kontribut të pazëvendësueshëm. Nuk mund të vlerësosh, nëse nuk nisesh nga identiteti. Pa identitet nuk ekziston dialog. Ajo që na bashkon është rruga e jetës dhe vullneti i mirë pra, është që ti bësh mirë vëllezërve dhe motrave, dhe në këtë mënyrë ne ecim përpara. Ndaj secili prej nesh ofron dëshminë tek tjetri. Pra, me dialog ne ecim përpara, dhe është e bukur.”-u shpreh Papa Francesku.

Me modestinë që e karakterizon, Papa Francesku iu drejtuar të gjithëve në sallë se ka nevojë për të gjithë ata. “Por pa tradhtuar identitetin tonë. Pa hipokrizi dhe kjo na bën mirë të gjithëve të dashur miq. Pra të mbajmë dhe të zhvillojmë traditën e marrëdhënieve midis komuniteteve fetare që ekzistojnë në Shqipëri. Duket se katoliket janë kundër të tjerëve, por jo, të gjithë sebashku për të mirën e njerëzimit. Jo vetëm me marrëdhënie midis njerëzve të fesë. Po ju kërkoj një nder: Unë kam shumë nevojë, tepër nevojë për ju!”-përfundoj fjalën e tij Papa Francesku.

Papa Françesku takim me Ipeshkvinjtë shqiptarë
Ora 13:30- Pas Meshës së Shenjtë e cila zgjati rreth dy orë, në mjediset e Nunciaturës Apostolike,Papa Françesku ka nisur rreth orës 13:30 një takim dhe drekë me Ipeshkvinjtë Shqiptar, dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike.

Por, pak para nisjes me makinën papnore, Ati i Shenjtë doli jashtë protokollit duke takuar personalitetet e pranishme në Meshën e Shenjtë.

Papa Francesku ka zhvilluar takime dhe me zyrtarë të lartë në Tiranë, ku ndër ta ishte dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Mësohet se takimi mes Atit të Shenjtë dhe ministrit Tahiri u mbajt pranë Ambasadës së Vatikanit në kryeqytet.

Predikimi i Atit të Shenjtë gjatë meshës në Sheshin Nënë Tereza: Paqe për kombin e shqiponjave
Ora 12:00- Ungjulli i sotëm na thotë se përveç 12 Apostujve Jezusi thërret shtatëdhejtë e dy nxënës të tjerë dhe i nis ndër fshtara e qytete për të kumtuar mbretërinë e Hyjit. Ai erdhi për të sjellë në botë dashurinë e dëshiron ta përhapë përmes bashkimit e vëllazërisë. Prandaj formon menjëherë bashkësinë e dishepjve, bashkësi misionare, e atje i stërvit për mision për të shkuar. Metoda misionare është e qartë dhe e thjeshtë dishepujt shkojnë nëpër shtëpi e kumti i tyre nis me një përshëndetje plot kuptim”Paqe në këtë shtëpi”. Nuk është thjesht përshëndetje, është edhe dhuratë, paqja. Duke ardhur sot mes jush të dashur motra e vëllezët të Shqipërisë, në këtë shesh kushtuar bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës, Dëshiroj ta përsëris këtë përshëndetje, Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj.
Në misionin e shtatëdhjetë e dy dishepujve pasqyrohet përvoja misionare e bashkësisë së krishterë të të gjitha kohëve: Zoti i ringjallur e i ngjallë nuk nis vetëm të dymbëdhjetët, por nis Kishën mbarë, nis çdo të pagëzuar për ti’a u kumtuar Ungjillin gjithë popujve. Në rrjedhë shekujsh jo gjithnjë u pranua kumti i paqes i sjellë nga lajmëtarët e Jezu Krishtit: nganjëherë ia mbyllën portat. Në një të kaluar jo të largët edhe porta e popullit tuaj u kyç, u mbyll me vargonjtë e mohimeve e ndalimeve të një sistemi që mohonte Zotin e pengonte lirinë fetare.
Ata që kishin frikë nga e vërteta e liria , bënin ç’ështe e mudnur që të dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj, ndonëse ai qe ndër më të hershmit që mori dritën e Ungjillit. Në leximin e dytë dëgjuam të përmendet Iliria, që në kohët e apostullimit të Palit, përfshirë edhe troejt e Shqipërisë së sotme.
Duke sjellë përsëri në vëmendje dhjetëvjeçaret e vuajtjeve e të persekutimeve të egra kundër katolikëve , ortodoksëve e myslimanëve mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të pandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar !. Shkoj sot , shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet dhe i prekur thellë në shpirt , vë lulen e lutjes e të kujtimit.

Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër emotra , për t’ju mbajtur në këmbë. Ai ju priu e ngushëlloi e së fundi ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit. Uroj që Shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, tju kujtojë gjithnjë shpresën për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira.

Sot portat e Shqipërisë janë të hapura e përparon stina e protagonizmit të ri misionar për të gjithë ata që bëjnë pjesë në popullin e Hyjit. Secili i pagëzuar e ka një vend e një detyrë për ta kryer në Kishë e në Shoqëri. Secili duhet të ndjejë veten të thirrur për të punuar bujarisht në kumtimin e Ungjillit e në dëshmimin e dashurisë: për të fuqizuar lidhjet e solidariteti, për të krijuar kushte jete më të drejta e më vëllazërore për të gjithë. Sot erdha t’ju jap zemër e ta përforconi shpresën në ju e rreth jush: t’i vini në lëvizje breznitë e reja; të ushqeheni përherë me fjalën e zotiti, duke ia hapur zemrat Krishtit: Ungjilli i Tij ku tregon udhën! Feja juaj duhet të jetë ngazëlluese e rezatuese, duhet të tregojë se takimi me Krishitn i jep kuptim jetës së njerëzve të çdo njeriu.

Me frymën e bashkimit ndërmjet ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e besimtarëve, laikë ju inkurajoj t’i jepni hov të ri veprimtarisë baritore e të vijoni kërkimin e formave të reja të pranisë së Kishës në gjirin e shoqërisë.

Posaçërisht ju drejtohem të rinjve: mos keni frikë t’i përgjigjeni bujarisht Krishtiti, që ju fton që ta ndiqni!.
Në thirrjen meshtarake e rregulltare do të gjeni pasurinë dhe gëzimin e dhurimit të vetvetes për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve tuaj. Shumë burra e gra presin dritën e Ungjillit e hirin e sakramenteve
Kishë që jeton në tokën e Shqipërisë, faleminderit për shembullin e besnikërisë ndaj Ungjillit! Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin edhe deri në flijimin e jetës. Uroj që dëshmia e tyre t’i mbështesë hapat tuaj, të sotëm e të nesërm në udhën e dashurisë, të lirisë e drejtësisë e të paqes. Amen!

Ora 11:30- Papa Françesku, po kremton Meshën e Shenjtë së bashku me 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminarista dhe 4 diakonë.
Në meshë marrin pjesë të gjithë besimtarët dhe pelegrinët nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si dhe nga vende të ndryshme të botës.

Në hapësirën para altarit, janë të vendosur një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Françesku ka gjithmonë kujdes të veçantë, disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këtë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite. Pjesëmarrësit kanë zënë vend në shesh që prej orëve të para të mëngjesit.

PAPA BEKON SHQIPËRINË ME FJALËT E PAPA GJONPALIT

Ora 10:53- Një fjalim mbreslënës dhe një bekim për gjithë shqiptarët. E çfarë më shumë se kaq mund të na gëzojë në këtë ditë!

Fjalët e Papa Françeskut dukeshin sikur buronin nga thellësia e shpirtit të tij të bardhë, e ishin zgjedhur për të na bërë më shumë se krenarë.

“Jam shumë i gëzuar që gjendem në tokën e fisme të Shqipërisë. Në një tokë heronjsh që u flijuan për pavarësi. Është tokë e martirëve. Ju falenderoj për ftesën në atdheun tuaj të quajtur toka e shqiponjave”, tha Ati i Shenjtë në nisje të fjalës së tij.

Bashkëjetesa fetare në Shqipëri, - tha më tej Ati i Shenjtë,- është një shembull nga i cili duhet të frymëzohemi të gjithë! Në bekimin e tij Papa Françesku citoi lutjen e bërë para 21 vitesh nga Papa Gjon Pali në Shqipëri. "Falenderoj me gjithë zenmër secilin prej jush për mikpritjen e ngrohtë dhe si Shën Gjon Pali i II , në prill të 1993 , i lutem Marisë , Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe i besoj asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar. Hyji dikoftë mbi Shqipërinë hirin dhe bekimin e vet!.

Më poshtë fjala e plotë e Atit të Shenjtë:

Zoti President,
Zoti Kryeministër,
Të nderuar anëtarë të trupit diplomatik,
Shkëlqesi, zonja e zotërinj

Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat të vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe për pritjen tuaj kremtore.

Ka kaluar tashmë gati një çerek shekulli që kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme, por edhe joshëse të lirisë. Kjo udhë i krijoi mundësitë shoqërisë shqiptare të niste ecjen e rindërtimit material e shpirtëror, të vinte në lëvizje shumë energji e nisma, të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Evropës e të mbarë botës.

Liria, të cilën e gjetët përsëri, ju ka lejuar ta shikoni ardhmërinë me besim e shpresë, të nisni projekte e të rilidhni marrëdhënie miqësore me kombet e afërta e të largëta.

Respektimi i të drejtave njrëzore, ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror e ekonomik të një vendi.

Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët.

Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje; e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme.

Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për persiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij.

Askush të mos mendojë se mund të përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!

Kjo që ndodh në Shqipëri tregon, përkundër, se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive me përkatësi të ndryshme fetare jo vetëm që urohet, por është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në të vërtetë është pasuri e paçmueshme për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm.

Është vlerë që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve duke e njohur dhe nderuar njëri- tjetrin.Ështe dhuratë që duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit , në lutje. Uroj që Shqipëia ta vijojë këtë udhë duke u bërë për shumë vende shembulll frymëzimi.

Zoti President, pas dimrit të izolimit e të përndjekjeve , erdhi më në fund pranvera e lirisë. Përmes zgjedhjeve të lira e strukturave të reja insitucionale është përfocuar pluralizmi demokratik dhe kjo ka ndihmuar në rihapjen e veprimtarive ekonomike. Shumë vetë, veçanërisht në fillim të shtyrë nga kërkimi për punë e kushte më të mira jetese, morën rrugën e emigrimit dhe ndihmojnë si e sa munden për përparimin e shoqërisë shqiptare.

Shumë të tjerë i gjetën arsyet për të ndenjur në atdhe e për ta ndërtuar nga brenda . Mundimet dhe flijimet e tyre kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme.
Kisha Katolike nga ana e vet mundi të rinisë jetën normale duke rindërtuar hierarkinë e saj dhe duke rilidhur fijet e një tradite të lashtë.
U ndërtuan ose rindërtuan vendet e kultit, ndër të cilët spikat Shenjëtorja e Zonjës së Këshillit të Mirë në Shkodër, u hapën shkolla dhe qendra të rëndësishme edukimi e asistence në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prania e Kishës dhe veprimi i saj shikohen me të drejtë, prandaj jo vetëm si shërbim ndaj bashksëisë katolike, por ndaj mbarë kombit.

E lumja Nënë Terezë bashkë me martirët që e dëshmuan fenë me heroizëm -atyre u takon mirënjohja jonë më e thellë e lutja jonë – sigurisht galdojnë në Qiell, për punën e burrave e të grave vullnetmira në rilulëzimin e shoqërisë dhe të Kishës në Shqipëri.

Mirëpo tani paraqiten të tjera sfida , që presin përgjigje. Në një botë që priret ndaj globalizmit ekonomik e kulturor, duhet bërë çdo përpjekje që rritja e zhvillimi të jenë në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një pjese të popullsisë. Gjithashtu ky zhvillim nuk do të jetë i vërtetë, nëse nuk do të jetë i përballueshëm dhe i barabartë, dmth nëse nuk do t’i ketë mirë parasysh të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin.

Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e shtetit me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen.

Falenderoj me gjithë zenmër secilin prej jush për mikpritjen e ngrohtë dhe si Shën Gjon Pali i II , në prill të 1993 , i lutem Marisë , Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe i besoj asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar. Hyji dikoftë mbi Shqipërinë hirin dhe bekimin e vet!.

Nishani-Papës: Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut, sot është dy herë e juaja
Ora 10:00- Pasi ka lënë mesazhin për shqiptarët në Librin e Përshtypjeve në Presidencë Ati i Shentë Papa Françesku dhe Presidenti Bujar Nishani kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat. Harmoni fetare ku krishterimi dhe islamizmi dinë të dialogojnë dhe bashkëjetojnë më së miri në Shqipëri ishte mesazhi thelbësor i fjalës së Presidentit të Republikës Bujar Nishani. Ai theksoi se Shqipëria është një vend me vetëdije të fortë kombëtare. “Fort i nderuar At i Shenjtë. Është nder dhe privilegj, është emocion i madh për mua të kem si më të shquarin e miqve në Presidencë. Është një ngjarje e madhe historike për kombin, për të gjithë shqiptarët të cilët një zëri ju thonë mirë se erdhët në Shqipëri!

Faleminderit nga zemra që na zgjodhët ne të parët për udhëtimin tuaj në Evropë dhe çdo bashkëkombasi mund të identifikoj vetëm mirënjohje te ju Shenjtëri! At i Shenjtë ne shqiptarët jemi një popull i vjetër, me vetëdije të fortë kombëtare, kemi një gjuhë të rrënjosur e përbashkuese, por i falemi zotit me mënyra të ndryshme. Këtë akt themelor e kemi bërë në paqe me njëri- tjetrin. Krishterimi dhe Islamizmi këto dy besime të cilat në gjirin e këtij populli të lashtë dinë veç të dialogojnë”- u shpreh Presidenti Nishani.

Më tej Presidenti Nishani renditi vlerat e vendit tonë dhe përpjekjet që ajnë bërë për të mbrojtur besimin deh krishterimin edhe gjatë diktaturës komuniste. “Si të tillë kemi mbërritur te pavarësia jonë në 28 nëntor 1912 deri sot në vitin e 102-të të shtetit shqiptar, jemi krenar për këtë. Mes nesh nuk ka diskriminim, nuk ka intolerancë, nuk ka ekstremizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi. Harmoni dhe barazi të plotë të komuniteteve fetare, të garantuar nga kushtetuta e shtetit tonë laik. Ne përjetuam për 50 vite një diktaturë të egër ku komunizmi tentoi të ndryshojë antropologjinë humane, të krijoj njeriun e ri pa zot, pa besim, pa kulte. Unë dhe bashkëkombësit mendojmë se kisha katolike dhe komunitetet fetare i kanë rezistuar në mënyrë heroike komunizimit duke i dhënë kombit martirë të denjë në jetë të jetëve për këtë status. Fjalët e fundit të shumë prej priftërinjve katolikë para skuadrave të pushkatimit ishin; “Rroftë Shqipëria! Rroftë Papa!”.

Në emër të binomit atdhe e fe, ishin me dhjetra klerikë që dhanë jetën e tyre. Ky eksperiment fatkeq, kundër natyrës së njeriut na rezulton pa etalon, krahasimi në epokën e modernitetit. Fal zotit ai dështoi. Ishte një sfidë që shqiptarët e përballuan të gjithë së bashku si vëllezër, si bij të të njëjtit zot. Myslimanë e të krishterë u ringritën nga hiri i lirisë dhe besimit. Krishterimi zu fill herët në Shqipëri, me gjasë që në kohën e Apostullit Pal. Historia katolicizmit shqiptar pjese e rëndësishme e historisë së katolicizmit botëror. Ne të gjithë jemi krenarë që gjuha shqip e shkruar ngjizet me një formulë të shenjtë; “Unë të pagëzoj në emër të atit, të birit dhe shpirtit të shenjtë!”, ky bekim e ruajti atë nga zhdukja që i kanosej. Jo rastësisht libri i parë i gjuhës shqipe është një meshar i murgut Gjon Buzuku”- u shpreh presidenti.
Presidenti nuk harroi ti kujtojë Atit të Shenjtë se populli shqiptar është populli i misionares “Nënë Tereza”. “Po ashtu nga tradita e kësaj kishe dhe e këtij vendi doli modeli madhështor i besimit, sakrificës, mirësisë që modifikoi fytyrën e një shekulli të mbarsur me luftë, ajo është e lumja “Nënë Terezë”. Ne jemi populli i Nënë Terezës. Shenjtëri nga historia më rezulton që selia e shenjtë i ka ofruar gjithmonë ndihmë të pa kushtëzuar kombit tim. Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti ishte aleat i zgjedhur i Vatikanit”- theksoi Nishani.

Më tej ai bëri me dije se populli shqiptar ka një histori tragjike por që në asnjë moment nuk i ka humbur virtytet siç është mikpritja. Ai falënderoi Atin e Shenjtë për ndihmën që Vatikani i ka dhënë Shqipërisë në gjithë rrjedhën e historisë. ”Ne jemi një popull me histori tragjike, por kemi mbijetuar jemi ringritur dhe me besim ecim drejt të ardhmes. Virtytet nuk na kanë braktisur asnjëherë dhe një prej tyre është mirënjohja. Ne e kemi ndjerë dorën e Vatikanit kur miqtë nuk i kishim të shumtë.

Ndjej kënaqësi të thellë tek ju falënderoj për mbështetjen që na dhatë për Pavarësinë Kombëtare. Kaq e rëndësishme ka qenë mbështetja dhe zëri i selisë së shenjtë kundër tiranisë gjatë stinës së vetmisë së madhe në komunizëm. Mbështetja vinte në emër të zotit ,në emër të lirisë. Kemi marrë prej jush një zë shprese, një horizont lirie nga valët e Vatikanit. Në memorien time është skalitur kujtimi i Pappa Gjon Palit të Dytë që thirri fuqishëm kundër dhunës ateiste dhe totilitarizmit. Ishte ky burrë i ndritur dhe i shenjtë që në vitin 1993 erdhi në Shqipëri për të bekuar një popull të vuajtur për të ringritur kishën katolike dhe nxitur paqen. Kam ndjekur ligjërata tuaja nga sheshi “Shën Pjetër”, janë një leksion i ndritur besimi dhe humanizmi.

Janë një reflektim i madh shpirtëror dhe etik mbi fatet e njeriut dhe perspektivën e tij. Individi dhe shoqëria ,pasuria dhe skamja, shoqëria dhe institucionet, besimi dhe e drejta për ta ruajtur atë, shteti dhe demokracia, bashkëjetesa mes religjioneve, tema të mëdha të trajtuara nga ju janë tepër të dobishme për demokracinë dhe botën mbarë. Shqipëria sheh tek ju një personalitet të madh të gjithë njerëzimit, një mik të shtrenjtë. Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja”- u shpreh Presidenti Nishani.

“Janë një reflektim i madh shpirtëror dhe etik mbi fatet e njeriut dhe perspektivën e tij. Individi dhe shoqëria ,pasuria dhe skamja, shoqëria dhe institucionet, besimi dhe e drejta për ta ruajtur atë, shteti dhe demokracia, bashkëjetesa mes religjioneve, tema të mëdha të trajtuara nga ju janë tepër të dobishme për demokracinë dhe botën mbarë. Shqipëria sheh tek ju një personalitet të madh të gjithë njerëzimit, një mik të shtrenjtë. Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja”- u shpreh Presidenti Nishani.

Shqipëria në 24 vite liri ka bërë progres të madh. Nga vendi më i izoluar në Evropë sapo kemi marrë statusin kandidat fal edhe mbështetjes suaj. Nga një vend ateist, jemi një vend i besimeve fetare. Pak vite më parë jemi bërë anëtarë të NATO-s . Sot kemi një ekonomi dinamike që nuk i është dorëzuar krizës dhe një demokraci të re funksionale që është në kërkim dhe aplikim të standardeve ndërkombëtare. Kemi vullnet dhe energji për tu përballur në emër të së ardhmes evropiane të Shqipërisë. Integrimi është kryefjala e politikës shqiptare. Në këtë kontekst Shqipëria marrëdhëniet me shtetin e Vat

Ora 09:50- Një pritje madhështore, një popull që brohoret dhe gëzohet për ardhjen e një Pape. Në çdo rrugë Papa përshëndetet dhe nderohet. Nga Rinasi ai iu drejtua Presidencës ku u prit me të gjitha nderimet nga kreu i shtetit.

Në takimin e Papa Françeskut me Presidentin e vendit Buajr Nishani, është ekzekutuar fillimisht himni i Vatikanit e më pas ai i Shqipërisë. Më tej Papa është shoqëruar në ambientet e brendshme të Presidencës ku ka lënë një mesazh për popullin shqiptar në librin e përshtypjeve të Presidencës. Kreu i Shtetit e ka shoqëruar më pas të takojë një pjesë të të ftuarve e më pas janë zhvendosur në sallën Skëndërbeg.

Ora 09:46- Një pritje madhështore, një popull që brohoret dhe gëzohet për ardhjen e një Pape. Në çdo rrugë Papa përshëndetet dhe nderohet. Nga Rinasi ai iu drejtua Presidencës ku u prit me të gjitha nderimet nga kreu i shtetit.

Papa drejt Tiranës, në shesh mijëra besimtarë
Ora 09:24- Pamje madhështore vijnë nga sheshi Nënë Tereza, aty ku qindra e mijëra shqiptarë por jo vetëm, presin Papën e të thjeshtëve, i cili tashmë është nisur nga Rinasi, në drejtim të Tiranës.

Ora 09:16- Në takimin e hapur për mediat kryeministri Edi Rama i ka dhuruar Atit të shenjtë, kupën me dheun e tokës së shqiptarëve. Kjo kupë mbante këtë mesazh: “Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku, me lutjen e zjarrtë që duke bekuar këtë grusht dhe, nga trualli që shkeli në këtë ditë, të shtrijë mirësinë e Zotit mbi të gjithë vendin e shqiptarëve”.

Ishte ora 09:06 minuta kur Ati i Shenjtë Papa Françesku preku tokën shqiptare. Ai u takua me kryeministrin Rama si dhe delegacionin që e priste në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa pritet që për rreth minuta në ambientet e këtij aeroporti do të zhvillojë një takim prej 15 minutash me kreun e qeverisë.

Ora 08:51- Avioni, tip ”Airbus A321”, i kompanisë ”Alitalia”, është ulur në Rinas në orën 08:51 minuta, ndërsa në pritje të Papa Françeskut ka dalë Kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati si edhe përfaqësues të Kishës Katolike.

Ndërkohë që edhe në sheshin 'Nënë Tereza' mijëra besimtarë të krishterë e myslimanë janë në pritje të Atit të Shenjtë.

Mesazhi i parë i Papa Françeskut: Paqja mes feve shenjë e mirë për botën
Ora 08:40-Vizita e Papa Françeskut ka bërë jehonë në mbarë botën. Mediat po transmetojnë hap pas hapi vizitën e Atit të Shenjtë në tokën shqiptare. Shqipëria është një vend që ka vuajtur aq shumë por pastaj arriti të gjejë paqe me dallimet fetare. Dhe kjo është një shenjë e mirë për botën, paqja dhe ekuilibri janë në favor të qeverisjes”- është shprehur Papa gjatë fluturimit shkruan Tg com.

Ora 07:30- I hipur mbi një makinë, tip ”Ford”, me targa SCV, papa Françesku iu drejtua sot aeroportit të Fiumicinos për t’u nisur për në Shqipëri, vizita e tij e parë në Evropë që nga koha kur u zgjodh në krye të Kishës Katolike. Përpara se të hipte në avionin, tip ”Airbus A321”, i kompanisë ”Alitalia”, papa Bergoglio u përshëndet personalisht me të gjithë përfaqësuesit e aeroportit dhe të policisë. Pasi u përshëndet edhe me gazetarët dhe fotoreporterët, të vendosur rreth 100 metra larg avionit, gjithmonë me çantën e tij të zezë në dorën e majtë, papa Françesku hipi në avionin e pagëzuar “Piazza della Signoria – Gubbio”.

Besimtarë nga i gjithë Ballkani në Tiranë për Papën

Ora 07:15- Mijëra besimtarë të krishterë nga të gjitha trojet shqiptare dhe Ballkani janë nisur me autobusë prej orëve të para të mëngjesit për të pritur dhe përshëndetur Papa Françeskun në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Rreth 2000 qytetarë të Kosovës kanë kaluar pikën kufitare të Morinës. Po në këtë pikë kufitare kanë kaluar edhe sy autobusë me ushtarë të KFOR-it. 3 autobusë me rreth 250 besimtarë janë nisur nga qyteti i Fierit, rreth 280 besimtarë janë nisur nga Berati ndërsa 4 autobusë me besimtarë janë nisur nga qyteti i Durrësit. 200 autobusë me besimtarë janë nisur nga i gjithë Qarku i Lezhës. Ati i Shenjtë pritet të zbresë në tokën shqiptare në orën 09:00.

Dom Gjergj Meta: Lutjet e besimtarëve do lexohen nga një i verbër e një vajzë rome
Ora 07:00- Shefi i zyrës së shtypit për vizitën e Papa Françeskut, Dom Gjergj Meta bëri me dije detajet e fundit për pritjen e Papës. Ndërsa ripërmendi pikat kryesore të axhendës së vizitës njëditore të Papës në Shqipëri, Dom Gjergj Meta tha se leximet gjatë meshës do të lexohen nga dioqeza të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa lutjet e besimtarëve do të lexohen nga një person i verbër dhe nga një vajzë romë. Leximet do të jenë nga Ungjilli, fjalimi misionar i Lukës, si dhe letra e Shën Palit. Ai bëri të ditur edhe detaje për meshën që do të mbahet në sheshin ‘Nënë Tereza”. “Në meshë do të lexohet libri i “Daljes” dhe letra drejtuar “Romakëve”, - u shpreh Dom Gjergj Meta. Më tej ai sqaroi se pas meshës Papa do të takojë Ipeshkvijtë dhe krerët fetarë. Ai theksoi se ditën e sotme vizita e Papës do të ndiqet me regji qendrore përmes satelitit të RTSH. Lëvizjet e mediave sqaroi ai do të jenë të kufizuara. Dom Gjergj Meta theksoi se Papa vjen në Shqipëri për inkurajim. Sikundër është bërë e ditur sot në ora 16:00 në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Papa do të takohet me krerët e besimeve të tjera dhe komuniteteve të krishtera. Ati i Shenjtë, duke vlerësuar bashkëjetësën fetare në Shqipëri ka shprehur dëshirën të takojë personalisht përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit tonë. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues nga komuniteti mysliman, ortodoks, bektashian, katolik dhe protestant. Ky takim do të zhvillohet pa praninë e mediave.

Vizita maratone 11 oreshe

Vizita do të jetë një maratonë prej 11 orësh, gjatë së cilës Françesku do të takojë krerët shqiptarë, do të celebrojë një meshë në sheshin Nënë Tereza në Tiranë, më pas në Universitetin e Këshillit të Zonjës së Mirë do të përshëndesë krerët fetarë, dhe do të mbledhë në katedralen e re rininë katolike për mbrëmësoren. Kjo ditë, historike për gjithë shqiptarët do të përfundojë në një qendër sociale, “Bethanie”, rreth 20 kilometra larg nga Tirana, ku do të takojë jetimë handikapatë.

Papa me NishaninVizita e tij është një bekim i madh sot për cdo shqiptar, të cilët Papa i ka përshkruar si “njerëz që kanë ditur të ndërtojnë një qeveri të unitetit kombëtar mes myslimanëve, ortodoksve dhe katolikeve, me një këshill ndërfetar të ekuilibruar”. Prania e tij këu do shërbejë për t’i thënë gjithë popujve se mund të punohet së bashku. Pra një mesazh për Evropën, e tunduar nga islamofobia dhe Lindja e Mesme e tronditur nga luftërat ndërfetare. Papa do të takohet gjithashtu me krerët e feve të tjera, ortodoksë, protestantë, mysliman, bektashinj dhe hebrenj.

Ky udhëtim i Papa Françeskut ndodh 21 vite pas vizitës historike dhe të paharrueshme të bërë nga Papa Shën Pali i II, më 25 prill 1993, në agimin e asaj “dite të re” që për Shqipërinë, pas rënies së komunizmit, shënoi hapjen e demokracisë, të lirisë fetare dhe të të gjitha të drejtave themelore të burrit dhe të gruas. Eshte udhëtimi i katërt i Tij ndërkombëtar që kur u zgjodh Ipeshkëv i Romës më 13 mars 2013. /bw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat