Gjobë 100 milionë fshatarit, se i kapi gruan

Shqipëria

Gjobë 100 milionë fshatarit, se i kapi gruan

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 11:54

Burrë e grua kurth dhe shantazh me foto dhe video fshatarit nga Pinari i Zall- Herrit. I kishin marrë 87 milionë lekë, por kërkonin 100 milionë. Policia arreston gruan e dyshuar të përfshirë në historinë e marrëdhënies së dashurisë me fshatarin nga Zall- herri, të cilit bashkë me të shoqin e dënuar, i kishin marrë që prej muajit prill të këtij viti 87 milionë lekë. Elinela Smaqi, 38 vjeçe nga Mirdita banuese në Tiranë, u arrestua dje nga Drejtoria e Policisë së Tiranës në bazë të një vendimi arresti të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, me akuzën e “shtrëngimit me dhunë për dhënien e pasurisë”, apo siç njihet ndryshe edhe si gjobëvënie.

Lajmi u bë i ditur dje në mbrëmje nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës që thanë se Smaqi, akuzohet se në bashkëpunim me të shoqin, kanë shtrënguar me dhunë për dhënie pasurie shtetasin B. Sh, 65 vjeç nga fshati Pinar i Zall- Herrit. Arrestimi mësohet se është kryer dje në mbrëmje nga efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Tiranës në bashkëpunim me hetuesit e zyrës së Grabitjeve me Armë dhe me Dhunë. Po dje hetuesit e Policisë së Tiranës, i komunikuan në burgun e Vaqarrit, bashkëshortit të Elinela Smaqit, Niko (Ardian) Smaqit, i akuzuar se ka kërcënuar dhe shantazhuar 65- vjeçarin B. Sh., me faktin se i moshuari kishte pasur një histori rozë me bashkëshorten e të dënuarit, po ashtu për të njëjtën vepër penale.

Marrëdhënia e të dëmtuarit me Elinela Smaqin, sipas burimeve të policisë mësohet se ka nisur një vit më parë, kohë gjatë së cilës policia dyshon se gruaja mund t’i ketë marrë para të tjera të dëmtuarit, duke luajtur rolin e dashnores që kërkonte para. Ndërkaq në muajin prill të këtij viti Smaqi, la qelitë e burgut të Vaqarit me leje të posaçme dhe takoi 65-vjeçarin nga Pinari, duke e kërcënuar se do të bënte publike lidhjen e të moshuarit me të shoqen. Madje mësohet se Smaqi, kishte kërcënuar plakun se do t’i dërgonte në shtëpi, fotot dhe dokumente të tjera që faktonin lidhjen me bashkëshorten e Smaqit. Nëse paratë nuk paguheshin Smaqi i ka pohuar “pengut” të tij se këtë punë do ta ndante vetëm kanuni. Në se ai nuk e donte këtë burri i moshuar duhej të paguante një sasi parash prej 100 milionë lekësh. I detyruar nga presioni dhe turpi i fshatit dhe i familjes, burri i moshuar është detyruar të paguajë në mënyrë të herë pas hershme bashëkshortin e gruas, ku ishte bërë kodosh.

Skema si u shlye borxhi

Sipas hetuesve, burri i moshuar, nuk ka pasur asnjë qindarkë që të mund të shlyente borxhin e majmë, por se ka shfrytëzuar mirë, faktin se ishte anëtar i bordit të një prej organizatave qeveritare që kreditonin fermerët e zonave të ndryshme në vend dhe ai ishte anëtar për Zall- Herrin, një komunë që përfshinte afërsisht 600 anëtarë. Për çdo fshatar që kërkonte kredi, në një masë prej 5 milionë lekësh të vjetra, B. Sh. i ndihmonte ata për të marrë kredi, por se në këmbim të kësaj ai kërkonte si komision 2 milionë lekë. Kjo ka bërë që ai të mund të grumbullonte paratë, dhe më pas të paguante “taksën” e Smaqit. Fillimisht sipas burimeve të policisë, burri i ka marrë plakut gjysmën e parave, ndërsa më pas i ka marrë gjysmën tjetër, duke e çuar shumën e paguar në 87 milionë lekë.

Në muajin gusht Smaqi, ka dalë sërish nga burgu dhe i ka kërkuar një shumë parash sërish plakut. “E kishim lënë për 100 milionë”,- mësohet t’i ketë thënë Smaqi, plakut. I gjendur ngushtë plaku ka pranuar fillimisht, por para nuk kishte më. Në këto kushte ai trokiti në Policinë e Tiranës, ku sqaroi hallin e tij. Menjëherë hetuesit rregjistruan procedimin dhe kërkuan autorizim nga prokuroria për përgjimet. Disa herë, policia mësohet se kishte përgatitur takimet me burrin apo me bashkëshorten e tij, ku dokumentohej fakti i marrjes së parave dhe fakti se ai kërkonte të tjera. Pas hetimeve të policisë dhe vëzhgimeve të hetuesve është konfirmuar se ata i kërkonin edhe një pagesë tjetër prej rreth 13 milionë lekësh të vjetra. Sipas hetimit paratë do të dërgoheshin dhe liheshin në Kinostudio në shtëpinë e vjehrrës së Smaqit, nënës së Elinelës. Pikërisht aty dje policia i vuri prangat gruas me akuzën e shtrëngimit me dhunë të dhënies së pasurisë. Gruaja ka pranuar pjesërisht gjobëvënien ndaj dashnorit të moshuar, por jo se ia kishte marrë ajo pjesën tjetër të parave. Pritet që policia të pyesë në ditët në vazhdim bashkëshortin e të arrestuarës për të sqaruar të plotë kuadrin e hetimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat