Nishani fton shqiptarët për postin e guvernatorit

Shqipëria

Nishani fton shqiptarët për postin e guvernatorit

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 13:17

Presidenti i Republikës Bujar Nishani njoftoi fillimin e procedurave për emërimin e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, pas shkarkimit të Ardian Fullanit ditën e djeshme në Kuvend.

Presidenti u kërkoi shtetasve shqiptarë dhe nga diaspora, të dërgojnë kandidaturat e tyre, duke i garantuar se kandidimi do të mbetet konfidencial.

Në një deklaratë për mediet, Florian Nuri, drejtori i kabinetit të presidentit tha se kandidatët do të kenë afat deri më 5 tetor për të dërguar kërkesat në faqen zyrtare të Presidencës. Shprehja e interesit duhet të shoqërohet me dokumentacion të skanuar në përputhje me ligjin “Për Bankën e Shqipërisë.

Në njoftimin e Presidencës, u bëhet thirrje veçanërisht shqiptarëve nga vendi dhe diaspora, pavarësisht deklaratës së kryeministrit Edi Rama se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mund të jetë edhe i huaj.

“Për këtë qëllim, Presidenti i Republikës fton të gjithë shtetasit shqiptarë dhe shqiptare si dhe ata nga diaspora të shprehin interesin e tyre pranë Institucionit të Presidentit të Republikës. Kandidaturat duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat