Disa tekste janë abuzive, të tjerat nuk trajtohen në shkolla

Shqipëria

Disa tekste janë abuzive, të tjerat nuk trajtohen në shkolla

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 09:21

Irritimi i njerëzve me tekstet e publikuara, që për hir të së vërtetës e ka justifikimin e vet, ka vënë në lëvizje organet e Ministrisë së Arsimit dhe drejtoritë rajonale, për të shuar kaosin e krijuar. E para që ka reaguar ka qenë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila tha se këtë vit nuk kishte asnjë mundësi manovrimi, pasi gjithçka ishte mbyllur nga ministri paraardhës dhe bëri të ditur se një pjesë e madhe e përmbajtjeve të shfaqura këto ditë nuk janë pjesë e lëndëve shkollore. “Ne do të kontraktojmë një shtëpi të huaj botuese prestigjioze evropiane, e cila do të mundësojë në partneritet me ekipet shqiptare përshtatjen e këtyre teksteve. Nuk do të ketë më një morì alternativash, po një tekst të vetëm. Një komision prestigjioz mendimtarësh, profesorësh, dijetarësh të vendit tonë do të përzgjedhin dhe autorët shqiptarë do jenë përgjegjës vetëm për tekstet që lidhen me historinë e Shqipërisë, me gjeografinë, letërsinë. Kjo do të ndodhë për vitin tjetër, do kemi tekste të reja”. Sipas Ministrisë së Arsimit, për të hartuar tekste cilësore do të angazhohen akademikë dhe profesorë për një kohë të gjatë.

Ja fëmijët që mësojnë tregimin skandaloz

Edhe Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës ka reaguar pas përhapjes me shpejtësi të skandalit përmbajtjesor të lëndëve shkollore. Gafat dhe formulimet qesharake, që më së shumti u shkojnë përshtat librave apo revistave komike, të lëshuara me foto, mohohen edhe nga DAR, Tiranë. Duke iu referuar shkollave në kryeqytet, citohet se libri problematik që në një nga faqet e tij ka tregimin e shkumësit magjik, gjendet në lëndën Gjuhë-Leximit të klasës së dytë dhe është botuar nga shtëpia botuese “Morava”. “Ky libër është porositur vetëm nga dy shkolla në Tiranë, nga 64 në total. Ai është i shpërndarë në 223 kopje. 120 prej tyre janë zgjedhur nga mësuesit shkollës 9-vjeçare “Pjetër Budi” ndërsa 103 kopjet e tjera nga shkollat 9-vjeçare “7 Marsi”.

Heqja nga qarkullimi kërkon kohë

Tregimi i shkumësit magjik, që mëson fëmijët se duke tretur një shkumës në ujë dhe duke e pirë më pas tretësirën, ngrihet temperatura dhe kështu gjen justifikim për të mos shkuar në shkollë, është pjesë e një prej alternativave të gjuhës shqipe për klasën e dytë. Ministria e Arsimit, pas publikimit të këtij teksti dhe disa të tjerëve në media e rrjete sociale, si pjesë e një skandali me tekstet shkollore, pranon se shembulli është i tepruar, por thotë se nuk mund ta heqë nga qarkullimi këtë vit mësimor. Në rrjetet sociale janë publikuar me dhjetëra foto, të marra nga tekste të ndryshme, por Këshilltari i ministres së Arsimit, Agim Leka, shprehet se disa janë abuzive ndërsa të tjerat i përkasin arsimit të lartë. Nxjerrja jashtë kurrikulave shkollore apo universitare të teksteve të tilla me gabime drejtshkrimore, apo në koncepte, është një proces që do të shtrihet në kohë. Sipas Ministrisë së Arsimit, për të hartuar tekste cilësore do të angazhohen akademikë dhe profesorë për një kohë të gjatë. I pyetur nëse këtë vit, nxënësit do të mësojnë me këto tekste a jo, Leka tha ka disa tekste me gabime por jo në atë pikë sa të konsiderohen skandaloze. “Jo nuk mund të themi që ka gabime skandaloze. Ka disa tekste që mund të kenë gabime, do të verifikohen secili, por nuk mund të themi që nuk është bërë korrigjimi. Shpesh ne bëjmë shumë zhurmë për pak gjë. Jemi konsultuar me mësuesit dhe na kanë thënë se tekstet e publikuara nuk janë marrë nga tekstet shkollore të fizikës”. Këshilltari i ministrisë së Arsimit shtoi se absurditeti i situatës nis nga fakti që vendi ynë ka 29 shtëpi botuese të librit shkollor dhe 3 shpërndarës ndërsa SHBA-të dhe Kroacia kanë përkatësisht 13 dhe 6 shtëpi botuese. “Këtu filtri është sistemi i ri që ne po ngremë”- tha Leka.

Nuk ka katalog për tekstet jashtë klase, i zgjedhin mësuesit

Deri në vitin 2012, Ministria e Arsimit publikonte në periudhën e fillimit të vitit shkollor katalogun e librave jashtëshkollorë, i cili u shpërndahej nxënësve. Por pas këtij viti duket se një listë e tillë ka munguar pasi bordi i përzgjedhjes së librave jashtëshkollorë nuk është mbledhur. Nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” na tregojnë se nuk janë pajisur me ndonjë listë të re të librave dhe kanë marrë titujt e librave, të cilët janë shpërndarë në shkollë edhe vitin e kaluar. Edhe pse një nga shkollat më të mira e të pajisura me bibliotekë, nxënësit shprehen se pjesën më të madhe të tyre i blejnë. Por ndryshe ndodh me shkollat e 9-vjeçare, ku kryesisht mësuesit e lëndës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, i udhëzojnë nxënësit me tituj, të cilët i nxjerrin duke u bazuar në programin e lëndës bazë. Në fakt, një mënyrë e tillë përzgjedhjeje lë vend për diskutim, nëse merret si bazë citimi i fundit i kryeministrit ku 50 për qind e mësuesve nuk e kanë specialitetin për të dhënë mësim në vendin e duhur. Kjo lidhet ngushtë me faktin se ata shpesh mund të japin direktiva të gabuara, sa i përket orientimit për libra jashtëshkollorë, të cilët i shërbejnë edukimit të tyre mësimor. Së dyti, mungesa e një katalogu të tillë, bie në kundërshti me reformën që ministria ka premtuar për heqjen e altertekstit. Nga njëra anë do të ketë tekste shkollore, të unifikuara dhe nga ana tjetër do të ketë me dhjetëra variante që do të hartohen nga mësuesit, për nxënësit që ata edukojnë.

Boissonnet në GKA, holografia dhe natyra e realitetit

Galeria Kombëtare e Arteve organizon sot një ligjëratë artistike me temë “Holografia dhe Natyra e Pasigurt e Realitetit” në sallën e Bibliotekës së GKA-së. Ligjërata mbahet nga Philippe Boissonnet, artist dhe profesor në Universitetin e Kebekut, Kanada. Artisti i cili përdor mediumet e reja për të krijuar instalacionet e tij do të ndajë përvojat dhe refleksionet e tij në këtë gjini krijuese me artistët, kritikët, studiuesit e artit, studentët, si dhe të interesuarit në këtë fushë. Artistët kanë hulumtuar holografinë, si një sistem paraqitjeje, që nga fillimi i viteve ‘60. Por ende edhe sot sistemi holografik i paraqitjes është radikalisht i ndryshëm nga perspektiva e zakonshme për shkak se duke bërë të mundur që nëpërmjet tij subjektet të shfaqen përpara, në skaj, apo prapa planit holografik, shpesh për vizitorin ato ngjajnë të padukshme duke i bërë të besojnë se po i shohin nëpërmjet një lloj magjie. Cilësitë estetike të imazhit holografik si përkohësia, ngjyra, vëllimi transparent, burimi i dritës dhe shikimi gjithmonë në dinamikë i shërbejnë artistit Philippe Boissonnet për të nënvizuar natyrën e pasigurtë të vetë paraqitjes.

Mes cilësive të ndryshme piktorike dhe fotografike, Boissonnet ka zgjedhur të nënvizojë artistikisht përvojën e veçantë trupore të ndërveprimit të shikuesit me imazhin holografik, si dhe aspektet psikologjike të perceptimit prej tij të thellësisë së këtij imazhi. Secili prej instalimeve të tij holografike është një instrument i vërtetë i shikimit, duke e ftuar spektatorin të bëhet më i vetëdijshëm për pjesëmarrjen e tij në këtë shfaqje. Boissonnet ndonjëherë përdor edhe sistemet interaktive të kontrollit të dritave për ta bërë shfaqjen më të rëndësishme. Duke u interesuar gjithashtu, që nga vitet 90-të, për paraqitjen e planetit Tokë, atij i pëlqen të nxjerrë në pah rëndësinë kulturore të natyrës tranzitore të imazheve në shoqërinë tonë aktuale. Për Boissonnet epoka jonë tashmë ka hyrë metaforikisht në ‘regjimin’ e një estetike holografike, duke zhvilluar një imagjinare kolektive të efekteve holografike, të cilat simbolikisht korrespondojnë me pamjaftueshmërinë e shikimit që ne kemi sot në këtë botë të perceptuar teknologjikisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat