Dom Gjergj Meta: ''Duke ardhur këtu, Papa kthen vëmendjen e Evropës mbi Shqipërinë.''

Shqipëria

Dom Gjergj Meta: ''Duke ardhur këtu, Papa kthen vëmendjen e Evropës mbi Shqipërinë.''

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 21:08

DW: Me vizitën e Papa Françeskut më 21 shtator Shqipëria do të jetë në qendër të vemendjes ndërkombëtare. Çfarë do të thotë për Shqipërinë dhe njerëzit e këtij vendi vizita e Papës?

Gjergj Meta: Faleminderit për pyetjet tuaja që më lejojnë të shkëputem disi nga punët e shumta të këtyre ditëve. Pyetja juaj më jep shkas gjithashtu të them se janë akredituar shumë media të huaja dhe vendase, por edhe të rajonit të Ballkanit. Kjo tregon interesin e madh që lëvizjet e Papës përthithin rreth vetes. E nga ana tjetër për ne është një mundësi që të tregojmë faqe botës kush jemi. Janë raste, që nuk vijnë shpesh, ndaj edhe sprova është e madhe për të gjithë ne. Vizita e një Pape është e rëndësishme e sigurisht vizita e këtij Pape ka specifikat e veta duke qenë se menjëherë sapo u zgjodh, ky Papë tërhoqi simpatinë e shumë njerëzve edhe të shumë shqiptarëve. Prandaj për njerëzit e vendit tonë kjo vizitë tregon përkujdesjen, që një autoritet i tillë shpirtëror i kushton një populli të vuajtur, të cilin vjen për ta inkurajuar.

Si shpjegohet zgjedhja pikërisht e Shqipërisë si destinacion i vizitës së parë, që Papa Francesku bën në një vend evropian?

Papa vetë e ka thënë në momentin e shpalljes së këtij udhëtimi me datë 15 qeshor 2014 dhe e ka sqaruar më tej në udhëtimin e tij në Korenë e Jugut në gusht. Udhëtimi i tij në Shqipëri ka dy përmasa: Papa dëshiron t'i bëjë homazh vuajtjes së popullit shqiptar, të kishës shqiptare, nga regjimi i egër komunist. Gjithashtu ai dëshiron të inkurajojë edhe një kulturë dialogu, aq e nevojshme për ditët tona, sidomos në lidhje me gjeopolitikën e Lindjes së Mesme. Papa Françesku e vlerëson shumë realitetin e takimit midis kulturave dhe feve të ndryshme, por gjithashtu ai dëshiron ta inkurajojë e ta nxisë më shumë këtë marrëdhënie harmonike midis feve. Ne si shqiptarë mundohemi të jetojmë në paqe, por ky duhet të jetë një realitet që duhet ta ruajmë më shumë e ta zhvillojmë çdo ditë. Une nuk di të them, nëse Papa ka menduar për vendin e parë Europian, por në fakt është ashtu, që ne jemi vendi i parë europian, që Papa Bergoglio viziton. Duke ardhur këtu Papa e rikthen vëmendjen e Europës mbi Shqipërinë sidomos në këtë moment delikat, në të cilin ne jemi shumë afër Europës, por edhe shumë larg saj për shkak të historisë së kaluar, që na la për shekuj jashtë saj. Shpresojmë që kjo vizitë të shërbejë edhe për këtë.

Kjo është vizita e dytë e një pape në Shqipëri, para 21 vjetesh, menjëherë pas rrëzimit të komunizmit, Shqipërinë e vizitoi Papa Gjon Pali i Dytë. Në ç'fazë e gjen vendin, kishën dhe besimin vizita e Papa Françeskut sot?

Në përgjigje të kësaj pyetje mund të thuhen shumë gjëra. Nga pikëpamja pozitive mund të themi se Papa gjen një Kishë të gjallë, me plot të rinj, me struktura të rindërtuara pas rënies së komunizmit. Kanë kaluar 21 vjet nga vizita e Papës Gjon Pali i II dhe shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë. Kemi një kler shqiptar edhe pse jo shumë, kemi shkollat tona që u shërbejnë të gjithëve, strukturat e bamirësisë ku u shrëbehet të varfërve, të braktisurve dhe fëmijëve. Është një Kishë e cila po ecën, një Kishë në ecje.
Por sigurisht që ka ende shumë për të bërë. Ende laikët nuk kanë gjetur një rol të duhur brenda Kishës. Jemi ende një Kishë, e cila duhet të përthithë risitë e Konçilit II Vatikan në këtë aspekt të laikëve, sidomos sa i përket shërbesave laikale brenda Kishës. Po ashtu vlerësimi i organeve kolegjiale, që ndihmojnë në planifikimin e jetës baritore (këshillat baritorë dioqezane e famullitarë), ata që ndihmojnë në transparencën ekonomike (këshillat e çështjeve ekonomike), apo edhe senati i Ipeshkëvi, këshilli prezbiteral. Është një Kishë, që ende nuk arrin të ecë me nevojat e një frymëmarrjeje më të thellë dhe gjithpërfshirëse të besimtarëve. Ndoshta mbetet një kishë ende shumë klerikale, ose të themi klerikocentriste. Krishti është në qendër, jo kleri, as ipeshkëvi, as papa. Këta të fundit janë prijës, por jo qendra e Kishës. Shpesh edhe ato pak laikë, që janë të angazhuar, janë më shumë një dorë e zgjatur e klerikëve se sa protagonistë realë të jetës kishtare, do të thoja laikë të klerikalizuar. Ka shumë ende për t'u bërë në këtë rrugëtim, por dashtë Zoti e kjo vizitë e Papës na ndihmon në këtë drejtim.

Cilat janë sfidat kryesore, me të cilat përballet kisha katolike në Shqipëri tani, cilat nevoja e detyra janë më imediate për t'u përmbushur?

Kisha ka shumë sfida, pasi një popull në ecje, sfidën e ka bukën e saj të përditshme. Në momentin aktual mendoj se Kisha në Shqipëri ka nevojë për një moment vetëreflekimi dhe vetëkuptimi. Të shkojë në rrënjë, të shkojë te Krishti e aty të gjejë ushqimin. Mendoj se sot më shumë se kurrë Kisha ka nevojë të rikuperojë dimensionin njerëzor të saj. Si Krishti! Dua të them brenda Jezusit-njeri gjendet Krishti-Hyj, e anasjelltas. Nuk mund të shkëputen nga njëri-tjetri, janë të pandashëm. Kisha është e tillë, edhe ajo sa më shumë njerëzore të jetë, sa më afër njeriut të jetë, aq më shumë hyjnore është e anasjelltas. Për shekuj Kisha ka pasur nevojë të mbrojë dogmat. Ato nuk na i rrezikon njeri tanimë. Kisha ka nevojë të rikuperojë dimensionin baritor. Në jetën e njerëzve gjendet jeta e Hyjit.

Kisha ecën me nevojat e besimtarëve


Prandaj familja, shoqëria, varfëria, papunësia, dhuna ndaj grave dhe ndaj fëmijëve, përbëjnë sot detyra emergjente, drejt të cilave Krishti do të shkonte, e po ashtu Kisha duhet të shkojë për të shpallur mbretërinë e Hyjit. E prej këtyre problemeve Shqipëria ka shumë. Të rinjtë mendoj janë një problem e një pikë, ku Kisha duhet të këmbëngulë, familjet e divorcuara, fëmijët e tyre, plagët që hapen nga këto fenomene. Kisha nuk mund të rrijë e të thotë përballë dikujt, që ka problem, është i divorcuar, apo bashkëjeton: “je gabim, nuk mund të marrësh kungimin, as rrëfimin etj. etj.”, por duhet të ulet, të dëgjojë e të kuptojë, të shërojë e të përqafojë, sikurse Samaritani i mirë, sikurse Krishti.

Si po ecin përgatitjet për vizitën?

Deri tani mirë mendoj. Kemi një bashkëpunim të mirë me qeverinë. Ka probleme sigurisht se nuk është diçka e përditshme një gjë e tillë, por me vullnet e bashkëpunim kalojnë. Edhe kur ndodh ndonjë moment tendosjeje apo moskuptimi, rrugët hapen. Unë po punoj tash tre muaj me këtë gjë, por nuk harroj për asnjë moment, që duhet të kem hapësirën time për lutjen, e cila më ndihmon të shoh gjithçka me pozitivitet.

Cili është itinerari i vizitës së Papës?

Në mbërritje ai do të pritet nga Kryeministri i Shqipërisë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë” Tereza në Rinas. Më pas do të pritet në Pallatin presidencial prej Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Në orën 11.00 do të kremtojë bashkë me ipeshkëvinj, meshtarë e gjithë popullin Meshën e shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”. Një takim i rëndësishëm do të jetë pasdite në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” me liderët e komuniteteve fetare. Më pas në Katedralen Metropolitane të shën Palit në Tiranë, Ati i Shenjtë do të takojë klerin e rregulltarët e në fund para nisjes do të ketë një takim në qendrën Betania. Kjo e fundit është një qendër bamirësie, që pret fëmijë jetimë. Aty Papa do të takojë edhe persona të qendrave të tjera të vendit.
Papa ka thënë se nuk do të udhëtojë me automjet të blinduar? A ka preokupime për sigurinë?
Është theksuar disa herë që nga Vatikani nuk ka sinjale për kërcënime dhe rreziqe reale. E kështu besojmë edhe ne. Sa për çështjen makinë e blinduar apo jo, këtë e tha vetë At Lombardi në një konferencë shtypi me gazetarët më 15 shtator, se Papa do të udhëtojë me të njëjtin xhip si në Shën Pjetër, pasi ai nuk dëshiron të ketë distancë nga njerëzit.

Papa ka vlerësuar faktin që në Shqipëri fetë e ndryshme kanë jetuar dhe jetojnë në harmoni fetare me njëra-tjetrën. Çfarë theksesh, pikërendesash të posaçme, mendoni se mund te vërë Papa në këtë tematikë?

Dom Meta:Të theksojmë e të promovojmë vlerën e bashkëjetesës së mirë fetare.


Nuk mund të parashikoj se çfarë do të thotë Papa, por mendoj se ai do ta vlerësojë posaçërisht këtë moment. Takimi me liderët fetarë në fakt është një nga takimet, që ka tëhequr më shumë edhe vëmendjen e mediave në Shqipëri dhe jashtë saj. Ne duam ta theksojmë këtë vlerë e sigurisht ta promovojmë më shumë.

Harmonia fetare merr rëndësi të madhe sidomos në sfondin e veprimtarive të grupimit fundamentalist militant IS në Irak e Siri. Raste të përkrahjes së këtyre grupimeve ka pasur edhe në Shqipëri. A ndikojnë këto dukuri, ikjet e personave të veçantë për të luftuar në Siri e Irak, në dëmtimin e harmonisë fetare në vend?

Mendoj se janë situata njerëzore të mijëra të atyre, që marrin pjesë në këtë luftë. E kanë bërë dikur grupimet e majta në Europë, kujtojmë luftën e Spanjës, por kjo është vërtetë absurde. Njerëzit me logjikë nuk ndikohen prej këtyre fenomeneve dëshpëruese. Ka pasur disa raste ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por jo diçka në masë. Nuk mendoj se kjo cënon integritetin e dialogut ndërfetar në Shqipëri.

Gjatë vizitës së tij Papa do të takohet edhe me krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri. Si funksionon dialogu ikumenik me kishën ortodokse në Shqipëri e çfarë roli luan?

Dialogu ikumenik në Shqipëri është një pikë e rëndësishme. Aktualisht kemi disa forma bashkëpunimi me Kishën ortodokse, si p.sh. bashkëpunimi ndërmjet dy shkollave teologjike, që përgatisin klerikë. Po ashtu ndërmjet krerëve dhe popullit në përgjithësi pavarësisht nga përkatësia konfesionale apo fetare, mbizotëron një frymë e mirë dhe e paqtë bashkëjetese. Janë të shpeshta edhe martesat ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, por edhe ato ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Një sfidë e përditshme, por një sfidë e bukur ajo e bashkëjetesës./dw.de

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat