Zgjerohet hetimi për Bankën, 3 dosje të reja për qiratë dhe hotel “Dajtin”

Shqipëria

Zgjerohet hetimi për Bankën, 3 dosje të reja për qiratë dhe hotel “Dajtin”

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 16:22

Një tjetër hetim i nisur nga prokuroria pritet t’i bashkëngjitet dosjes “Fullani”, por këtë radhë në fokus të akuzës janë shpenzimet e Bankës së Shqipërisë. Janë të paktën tri çështje hetimore, të nisura pas zbulimit të skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve, të cilat sipas burimeve të akuzës do të përfshihen në një dosje të vetme. Bëhet fjalë për shpenzimet që Banka ka paguar për qiratë e ambienteve të ndryshme, të cilat kapin shifra të konsiderueshme, rikonstruksioni i selisë qendrore, si dhe blerja e hotel “Dajtit” në vlerën 30 milionë eurove në vitin 2009. Të tria këto çështje kanë nisur pasi prokuroria u vu në dijeni të faktit se Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte kryer një kontroll mbi shpenzimet e Bankës së Shqipërisë, ku mësohet se janë konstatuar shkelje dhe abuzime të natyrës financiare. Prokuroria kërkoi zyrtarisht nga KLSH raportin e auditit, i cili u vu në dispozicion të akuzës vetëm pak ditë më parë. Nisur nga këto të dhëna, drejtuesit e prokurorisë kanë vendosur që tri çështjet që lidhen me abuzimet e dyshuara financiare dhe vjedhja e 713 milionë lekëve të bashkohen në një dosje të vetme, që do të hetohet nga prokurori Ramadan Troci. Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani konsiderohet si personi kyç në gjithë çështjen, që tashmë përfshin edhe operacionet financiare të Bankës së Shqipërisë për disa vite me radhë. Referuar raportit të KLSH-së, burimet thonë se bëhet fjalë për vlera të konsiderueshme parash. Qiratë që Banka paguan për ambientet ku ushtron veprimtarinë llogariten në rreth 6 milionë euro në vit, pasi aktualisht Banka e Shqipërisë disponon rreth 3900 metra ambiente me qira në vende të ndryshme. Vetëm për njërin prej ambienteve që ndodhet në një kompleks privat në “Rrugën e Dibrës”, Banka paguan rreth 500 mijë euro qira. Sipas të dhënave të KLSH-së për këtë ambient paguhen 135 euro për çdo metër katror që banka ka marrë me qira. Po ashtu me qira është marrë edhe godina e ish-Vefas në sheshin “Avni Rustemi” në Tiranë, e cila shërben si seli qendrore e Bankës së Shqipërisë, pasi rikonstruksioni i godinës kryesore i ka tejkaluar afatet prej më shumë se një vit e gjysmë. Kjo është një tjetër çështje që po hetohet nga prokuroria, pasi rikonstruksioni kap shifrën e 75 milionë eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë nuk ka marrë asnjë masë për kompaninë që kryen punimet, edhe pse ato duhet të kishin përfunduar rreth një vit më parë. Të gjitha pagesat që bëhen për qira ambientesh, apo dëmet financiare të ardhura nga mosrespektimi i afatit për rikonstruksionin e selisë qendrore konsiderohen si abuzime financiare nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, të cilat tashmë do të hetohen nga prokuroria. Dosja e tretë që i bashkëngjitet vjedhjes së Bankës së Shqipërisë është blerja e hotel “Dajtit” në vlerën e 30 milionë eurove. Mënyra e blerjes, mungesa e një procedure prokurimi dhe vlera me të cilën është blerë ky objekt që aktualisht është në gjendje të mjerueshme, do të jenë pjesë e hetimit të prokurorisë në kuadër të dosjes hetimore të nisur menjëherë pas denoncimit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Degën e Thesarit në Linzë. Në kuadër të këtyre hetimeve, prokuroria pritet të rimarrë në pyetje anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, të cilët me vendime të posaçme kanë përcaktuar pagesat e qirave për ambientet ku ushtron veprimtarinë Banka e Shqipërisë dhe blerjen e hotel “Dajtit”./mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat