Integrimi, Gjosha: Opozita të lërë bojkotin

Shqipëria

Integrimi, Gjosha: Opozita të lërë bojkotin

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 15:28

Është zhvilluar sot takimi i parë për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës Shqipëri-BE, për 5 prioritetet e Komisionit Evropian. Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha prezente në takim, tha se kontributi i opozitës është i rëndësishëm për të plotësuar ëndrrën e shqiptarëve.

“Është shumë e rëndësishme gjithëpërfshirja, dhe unë e vlerësoj vendimin që Komisioni ka marrë dhe shpresoj që opozita të reflektojë e të paktën t’i rikthehet Komisionit parlamentar të Integrimit sepse me të vërtetë ka bërë një premtim që do të jetë aty për të gjitha çështjet që i përkasin.

Këtu nuk bëhet fjalë për çështjen se kush kryeson këshillin dhe nuk besoj se publiku që na dëgjon është i interesuar tek fakti se kush e drejton këshillin. Të gjithë në jemi të interesuar në funksionimin e këshillit dhe që ai të monitorojë, këshillojë gjithë procesin dhe të ndjekë reformat që duhet të ndjekë vendi për procesin e integrimit”.

Në prag të takimit të radhës së nivelit të lartë Shqipëri-BE, Gjosha bëri me dije se do të shpalosen arritjet e deritanishme duke vënë theksin në rëndësinë e reformës në drejtësi.

“Do të diskutohen të gjitha arritjet që ka pasur vendi, reformat që ka ndërmarrë gjatë kohëve të fundit dhe mbi të gjitha do të diskutohet vazhdimësi e reformës në drejtësi, që është një nga pikat kyçe të diskutimit të sotëm por edhe ajo që do të jetë vendimmarrëse përsa i përket hapjes së negociatave”.

Pesë grupe punë janë ngritur për plotësimin e prioriteteve, në të cilat do të ketë përfaqësues edhe nga Bashkimi Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat