Buxheti, Bode: Rama mashtron, fsheh dështimet

Shqipëria

Buxheti, Bode: Rama mashtron, fsheh dështimet

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 15:26

Vazhdojnë akuzat e Partisë Demokratike ndaj kryeministrit Edi Rama. Ditën e sotme ish-ministri i Fanancave, Ridvan Bode e cilësoi buxhetin shtesë të qeverisë si një mashtrim të radhës të kryeministrit, që bëhet për qëllime elektorale.

Bode u shpreh se deklarata e djeshme e Ramës për buxhetin ishte një mashtrim propagandistik, menjëherë pas largimit të misionit të FMN-së.

“Dje kryeministri Rama bëri gënjeshtrën e radhës elektorale, një mashtrim shtesë për një buxhet shtesë që s’qenka parë prej 5 vitesh. Ky mashtrim propagandistik vjen fill pas largimit pa deklaratë publike të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili shprehur hapur pakënaqësinë që ritmika e të ardhurave nuk plotësonte pritshmërinë e tyre. Kryeministri shprehet për rishikim të buxhetit me rritje, por nuk tha se sa dhe si, dhe ende nuk ka publikuar projektin e vet”, deklaroi Bode.

Sipas Bodes, Rama mashtroi kur tha se do të rrisë me 152 milionë dollarë investimet publike dhe e gjithë kjo bëhet bën për të fshehur dështimet e qeverisë dhe borxhin gjithnjë e në rritje të saj.

“Kryeministri pa ju dridhur zëri mashtroi me zë të lartë në ditën me diell se do të rrisë me 152 milionë dollarë investimet publike. Zanati i tij i vjetër i sharjes dhe i përbaltjes së ish-mazhorancës, i sheqerosur me histori borxhesh nuk vjen më dot në ndihmë. Të dhënat e 8-mujorit flasin për 220 milionë dollarë investime publike me pak, krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar. Edhe pse borxhin e kanë rritur në mënyrë galopante, edhe nëse thërret në ndihmë alibinë e tij të preferuar tashmë bajate, atë të borxheve të qeverisë së mëparshme, të cilat i deklaron se i ka shlyer tërësisht, përsëri i duhen rreth 120 milionë dollar që të hedhë lumin”, tha Bode.

Ish-ministri theksoi se deklarimi i një buxheti shtesë, është një mashtrim shtesë i qeverisë Rama përballë rritjes së pakënaqësisë publike dhe dështimeve në ekonomi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat