Motra e Golemit: Faji i vetëm i Elivarit është se nuk ka para (Video)

Shqipëria

Motra e Golemit: Faji i vetëm i Elivarit është se nuk ka para (Video)

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 23:34

"Faji i vetëm i Elivar Golemit është se nuk ka mbështetje shumë të fortë e nuk ka para", ka qenë kjo deklarata e Valjeta Golemit, motrës së Inspektores të Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemit, e cila këmbëngul se kjo e fundit nuk ka bërë asnjë krim në lidhje me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit.

Paraditen e sotme për herë të dytë një grup grash dhe vajzash por dhe ata që kanë punuar me Golemin protestuan paqësisht në sheshin “Nënë Tereza” në Shkodër duke kërkuar lirimin e saj dhe zbatimin e njëjtë të ligjit për të gjithë, ku mes protestuesve ishte dhe e motra e Elivarit, Valjeta Golemi, e cila kërkon që motra e saj të gjykohet me arrest shtëpie, si një person me dinjitet dhe jo si një kriminele.

“Kërkojmë që drejtësia të funksionojë për të gjithë njëlloj. Gjërat nuk janë të drejta. Isha atë ditë në sallën e Apelit. Ishte hera e parë që iu dha e drejta për të folur. Kur gjykatësi e pyeti për auditet ajo dha sqarime se auditet ishin zhvilluar dhe protokulluar pranë Këshillit Mbikëqyrës, dhe një kopje pranë komisionit të Ekonomisë. Ndërsa prokurori deklaronte se nuk ishte në dijeni të tyre. Si mund të bëhet një akuzë kur prokuroria nuk është në dijeni të dokumentit që ekziston?

A mund të zhvillohet akuza kur prokuroria nuk ka marrë të gjithë informacionin e nevojshëm. Të zbatohen të drejtat e njeriut për motrën time. Nëse ligjet shqiptare parashikojnë që shkallet e ndalimit janë të ndryshme, ajo mund të hetohet në një masë më të lehtë. Mund të ndalohej për mos prishje të dokumenteve. Por ato janë depozituar pranë organeve përkatëse dhe nuk kishte si ti dëmtonte.

Faji i saj i vetëm është se nuk ka mbështetje shumë të fortë e nuk ka para. Nuk jam kundër lirimit të Fullanit sepse është e drejtë e tij, por siç u bë për të drejtësia të veprojë për motrën time. Për motrën time jam shumë e bindur që është e pafajshme. Por megjithatë ti lihet hetimit, drejtësia të jetë e njëllojtë”, është shprehur Valjeta Golemi.

Golemi u arrestua së bashku me Guvernatorin Ardian Fullani mbrëmjen e 5 shtatorit për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve nga thesari i BSH-së.

Por ndryshe nga Fullani, i cili u lirua pas 10 ditësh nga qelia duke qëndruar nën arrest shtëpie, Elivar Golemi vazhdon të qëndrojë prapa hekurave te 313-ta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat