Të rinjtë pjesë e PD-së por edhe kushdo që e do këtë parti

Shqipëria

Të rinjtë pjesë e PD-së por edhe kushdo që e do këtë parti

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 09:47

Një nga zërat më aktiv të opozitës, Tritan Shehu ka komentuar situatën e re të krijuar në PD në prag të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të saj. Shehu thotë se ky kuvend do të riambientojë rolin e PD-së në opozitë. Në këtë konventë PDja do bëjë një reflektim dhe të 8 viteve të qeverisjes. Më tej ai tha se opozita nga kjo konventë do të dalë me përfaqësues të rinj që duan dhe kërkojnë përshtatje. Shehu ka saktësuar se PD-ja sot nuk e fillon vitin "zero". Ish-kryetari i PD-së ka analizuar edhe refuzimin që PD-ja ka mbajtur në raport me ndarjen territoriale. Sipas tij, ndarja e re u bë me mënyrë arbitrare, që lidhen me interesa elektorale. Këtë ligj, thotë Shehu do t a kundërshtojnë me të gjitha mjetet ligjore. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Shehu qartësoi se PD-ja do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore.

Vetëm dy javë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike kemi një interesim të madh të medieve dhe lexuesve për të qartësuar ato që do të ndodhin në këtë Kuvend...

Është i justifikueshëm dhe i kuptueshëm interesimi i medies për konventën demokratike, pasi është një forcë që ka udhëhequr interesat e sukseset ekonomike, politike dhe sociale më të mëdha të Shqipërisë. Që nga viti ‘90, që nga dita kur u krijua është forca më progresive, evropianiste e qendrës së djathtë me një vizion shumë të qartë për zhvillimin e vendit në të gjithë sektorët, qoftë dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qoftë dhe për rolin e madh dhe të rëndësishëm zhvillues, stabilizues dhe integrues që Shqipëria ka në rajon. Pra, dhe sot që Partia Demokratike është në opozitë, ajo është një forcë që i jep tonin jo vetëm opozitës shqiptare të cilën e udhëheq, por jep ton dhe në shumë zhvillime të rëndësishme të vendit. Kështu që për mua është e kuptueshme pritshmëria.

Çfarë do të sjellë ky Kuvend sa i përket organizimit, frymës që është predikuar nga kreu i ri Basha ?

Mendoj se kjo konventë do të transmetojë disa mesazhe e elementë të rëndësishëm të PD-së duke konfirmuar traditën e saj, potencialet e saj, bagazhet e saj, të krijuara në platforma dhe vizione që nga dita e themelimit të saj. Gjithashtu duke krijuar një riambientim, një ristrukturim të saj tashmë që ajo është dhe opozitë. Konventa vjen pas 8 vitesh në qeverisje ndërkohë që ne jemi në opozitë aktualisht. Dhe normalisht që konventa do të ketë elementë të rinj që duan dhe kërkojnë përshtatje. PD-ja në këtë konventë do të dijë të ndërthurë shumë mirë dhe shumë fort, shumë qartë atë që thashë, të kaluarën e saj të suksesshme me të ardhmen e saj. Pra do të dijë të ndërthurë ata elementë që trashëgon me vizionet dhe zhvillimet e reja, qoftë në nivelin e ideve, qoftë në ato të organizimit por dhe në atë të kapaciteteve njerëzore. Pra kjo konventë për mua karakterizohet nga dy elementë të rëndësishëm, vizioni progresiv për të ardhmen, e ndërthurja e bagazheve me prurjet e reja. Këto do të garantojnë fitoren e ardhshme.

Për çfarë mendoni se do të mbahet mend ky Kuvend ?

Unë mendoj që kjo konventë do të mbahet mend për disa gjëra. Së pari në këtë konventë nuk do të zgjidhet kryetari i PD-së. Ai është zgjedhur me mënyrën një anëtar një votë, gjë që kërkon dhe disa ndryshime organizative e funksionale për të ardhmen. Së dyti kjo konventë do të jetë shumë më e gjerë, shumë më kolegjiale dhe përfshirëse se çdo konventë tjetër e Partisë Demokratike. Duke u nisur jo vetëm nga numri, por dhe nga mënyra e përfaqësimit të njerëzve në të. Së treti, kjo konventë do të thelbësojë disa linja të rëndësishme programore të Partisë Demokratike në opozitë, në përpjekje për t’u rikthyer forca udhëheqëse e vendit në zgjedhjet e ardhshme politike. Po kështu do të analizohen dhe qëndrimet negative dhe arbitrarë që vihen re tek e majta që udhëheq sot. Pikërisht për t’u ballafaquar me të në mënyrë demokratike e fituese. Gjithashtu do të mbahet mend përsëri edhe për gatishmërinë e PD-së për të bashkëpunuar me maxhorancën në ato çështje, që e kërkojnë interesat madhore e vendit, për procesin e integrimit, rolin e Shqipërisë në rajon, dhe në NATO.

Ju thoni që opozita është e gatshme të kontibuojë për interesat madhore të vendit, ndërkohë që zonja Bregu u deklarua kundër marrjes pjesë në komisioni e integrimit?!

Të jesh kundër formatimit të një komisioni dhe mënyrës se organizimit të tij nuk do të thotë t’i kundërvihesh integrimit të vendit, përkundrazi nëse kërkon ndryshime dhe përmirësime, do të thotë që ti kërkon të shpejtosh këtë integrim. Në tërësi kërkohet që roli i PD-së të jetë më i qartë dhe më kontribues dhe mesazhi ynë ndaj komunitetit ndërkombëtar të jetë më bindës. Në fakt sa më shumë të lejohet që opozita të ketë zë të qartë, sa më përfshirës të jetë ajo, aq më mirë pritet kjo nga kolegët tanë në Bruksel, aq me pozitivisht na vlerësojnë ata në procesin e integrimit, ata që na japin votën aty për këtë. Tendenca për ta mbyllur këtë proces vetëm brenda mazhorancës është një veprim që pengon integrimin, dhe jam i bindur që keq interpretohet nga kolegët tanë evropianë. Pra problemi qëndron që PD-ja do hapësirën e saj për të kontribuar në këtë proces, ashtu si kontribuoi kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Dhe roli i PD-së ishte shumë i rëndësishëm, ajo investoi për këtë ditë.

Le të rikthemi te Kuvendi Kombëtar që pritet të mbahet. Cili do të jetë roli juaj në këtë Kuvend ?

Unë personalisht kam qenë kryetar i PDsë dhe jam anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Unë jam kontribuues në jetën politike shqiptare, sidomos brenda PD-së ku bëj pjesë, pasi vizioni i kësaj partie është më i domosdoshmëri për vendin, sepse ajo është më progresistja në vendin tonë.

A do të përfaqësohen në Këshillin Kombëtar që do të dalë nga Kuvendi, zërat skeptikë që kanë kundërshtuar herë pas here kreun e PD-së Basha?

Jam i bindur se gjithë kolegët kanë hapësirat e tyre brenda PD-së. Organizimi i kësaj konvente nuk lë dyshime për këtë, gjë që e thashë dhe pak më lart. Gjithkush ka rolin e tij të rëndësishëm në këtë parti. PD-ja ka hapësira dhe vend për të gjithë dhe duhet t’i zgjerojë dhe t’i shtojë për ata që duan të jenë pjesë e kësaj partie.

Ekipi që po krijon Basha duke parë dhe afatin e shkurtër të zgjedhjeve lokale, a do të mund të jetë aq kompetitiv sa për të dalë fitues në zgjedhjet vendore?

Unë do të përsërisja atë që thashë më lart. Për PD-në sot nuk fillon viti "zero". Ajo ka një bagazh e eksperiencë të madhe. Ne sot jemi në një proces fiziologjik rritje e përshtatje me kushtet e reja. Ky është themeli i sukseseve të ardhshme, qoftë dhe në zgjedhjet administrative që do të jenë vitin e ardhshëm. Unë jam optimist për ato, jo duke u bazuar në mosarritjet e të majtës, por kryesisht në shkaqet e mësipërme që lidhen me vetë PD-në, vlerat e mundësitë e PD-së.

Opozita kundërshton ndarje territorial dhe ka paralajmëruar mbajtjen e referendumeve lokale. Mendoni se zhvillimet e pritshme politike do të ofrojnë një zgjidhje për këto mosmarrëveshje mes palëve?

Pa asnjë dyshim ndarja territoriale u bë me mënyra arbitrare e të lidhura me interesa elektorale apo influencash të të majtës. Ne këtë ligj do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet ligjore. Dhe besojmë që do ta hedhim poshtë. Në zgjedhjet e ardhshme lokale, PD-ja do të transmetojë një trend të qartë në ngritje, që do të përbëjë një themel të fortë për fitoren në zgjedhjet e mëtejshme politike.

Papa në Tiranë, ngjarje madhore

Vizita e Atit të Shenjtë në Shqipëri është cilësuar një ngjarje madhore nga ish-deputeti i PD-së Tritan Shehu. Vizita e Papes sipas tij, është madhore për të gjithë shqiptarët, për rajonin tonë. Ky është një vlerësim i madh për vlerat tona. Kemi arritur kështu që pikat tona të forta, bashkëjetesa jonë fetare, kontributi për stabilitetin në rajon etj t'i ngremë lart. Kjo vizitë është një vlerësim i madh për këto e për të gjithë ne është një rikonfirmim i kontributeve tona, por dhe i pritshmërive të ardhshme pozitive nga ne. Kjo lidhet pa dyshim dhe me vuajtjet tona të të kaluarës e për mënyrën se si ka rezistuar Shqipëria gjatë diktaturës. Kjo vizitë në tërësi është jashtëzakonisht e rëndësishme për mesazhin që na jep ne, por dhe për atë drejt komunitetit ndërkombëtar duke na përforcuar pozitat tona. Po kështu kjo është dhe një inkurajim i madh dhe për Kishën tonë Katolike dhe vizionit të saj për vendin tonë, paqen, rajonin. Është dhe një shpërblim për vuajtjet dhe martirizimin e saj nga ideologjitë e të kaluarës. Unë jam i bindur se kjo vizitë do të na ndihmojë neve për të zgjidhur më mirë dhe problemet tona të brendshme, si dhe duke na prezantuar në mënyrë shumë pozitive ndaj komunitetit ndërkombëtar", tha Tritan Shehu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat