​Kisha Katolike: Sinjalet për sulm ndaj Papës, të pavërteta

Shqipëria

​Kisha Katolike: Sinjalet për sulm ndaj Papës, të pavërteta

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 18:48

Katedralja Katolike e Shën Palit në Tiranë e cila po merret me organizimin e vizitës së Papa Françeskut më 21 shtator, dhe që është në kontakt të vazhdueshëm me Vatikanin, mohon të ketë ndonjë rrezik të mundshëm për sulme ndaj Papës. “Nuk kemi asnjë sinjal për rrezik,” thotë Dom Gergj Meta, përfaqësues i Kishës Katolike në Shqipëri.
Madje sipas tij lajmet e publikuara deri më tani në media të ndryshme se pjesëtarë të ISIS kanë planifikuar një sulm ndaj Papës janë të pavërteta. Dom Gjergj Meta nga Kisha Katolike në Shqipëri, tha se asgjë nuk është e vërtetë dhe nuk ka asnjë rrezik për Papën ditën e vizitës së tij Shqipëri. Madje ai shtoi se në kontaktet e vazhdueshme që ata kanë pasur së fundmi me Vatikanit, gjithçka është e qetë, për më tepër vetë Papa nuk ka dashur të ndryshohet asgjë nga programi i tij për të ardhur në Shqipëri.
“Papa do vazhdojë planin e tij për të ardhur në Shqipëri më 21 shtator. Nga kontaktet që kemi pasur me Vatikanin, vetë Papa nuk ka dashur të ndryshojë asnjë nga programi i tij dhe agjenda e paralajmëruar më herët do të qëndrojë e tillë. Madje Papa do udhëtojë me një xhip të hapur sepse dëshira e tij, gjithmonë ka qenë që të jetë në kontakt me njerëzit e thjeshtë dhe sa më afër tyre. Kështu që nuk ka asnjë sinjal për rrezik. Madje siguria vjen nga vetë Vatikani, pasi Padre Lombardi nga Vatikani ka sqaruar se nuk ka sinjale për rrezik,” tha Dom Gjergj Meta për agjencitë.
Ditët e fundit mjaft media shqiptare dhe të huaja kanë shkruar për sigurinë e Papës në Tiranë. Madje ajo që ka përhapur më shumë panik duket se ka qenë një deklaratë e ambasadorit iraken në Vatikan, i cili mësohet të jetë shprehur se: “Papa është një shënjestër. Analistët tanë të shërbimeve inteligjente japin indicia në këtë drejtim”. Edhe sipas “Il Giornale” në Itali, vizita e Atit të Shenjtë në Shqipëri është shqetësim. Por lidhur me të gjitha këto deklarata ka reaguar edhe vetë Vatikani. Zëdhënësi i Vatikanit At Federico Lombardi u tha gazetarëve se nuk do të ketë masa shtesë të sigurisë gjatë vizitës së Atit të Shenjtë në një vend musliman si Shqipëria. Sipas Lombardit, Papa do të shëtitë sërish me makinën e tij të hapur që përdor në sheshin “Shën Pjetër” të cilën do ta përdorë edhe në sheshin qendror të Tiranës.
Sipas Lombardit ka një shqetësim të përgjithshëm që vjen nga Lindja e Mesme dhe ISIS por “nuk ka asnjë kërcënim specifik që të na detyrojë të ndryshojmë agjendën e Papës gjatë këtij turi”. Më 29 dhe 30 nëntor Papa Françesku do të vizitojë Turqinë, një tjetër vizitë me rrezik të lartë ndërsa vitin e ardhshëm ai do të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat