Lame: 14 mijë objekte rrezikojnë legalizimin

Shqipëria

Lame: 14 mijë objekte rrezikojnë legalizimin

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 14:21

Rreth 14 mijë objekte në vend rrezikojnë të penalizohen nga procesi i legalizimit, për shkak të planit rregullues. Këtë e bëri të ditur kreu i ALUINZI-t Artan Lame i cili theksoi nevojën e rishikimit të planit rregullues të Tiranës, bashkisë Kamëz dhe komunës Paskuqan.

Në këto zona regjistrohet numri më i madh i banesave informale, ndaj Lame deklaroi se do t’i dërgojë një letër kryeministrit për t’i kërkuar rishikimin e planeve rregulluese, sa i takon planifikimit të lartësisë në këto zona, rrjeteve infrastrukturore, dhe të përdorimit të tokës.

“Situata më problematike paraqitet në Kamëz dhe Paskuqan. Janë rreth 14 mijë objekte mund të penalizohen. Vetëm në Kamëz janë 4 mijë aplikues që rrezikojnë të përjashtohen nga legalizimi. Bulevardi “Berisha” në Kamëz ka shumë objekte të bllokuara. I kemi kërkuar bashkisë së Tiranës të bashkëpunojë për planin rregullues, dhe kemi kërkuar informacion nga ky institucion. Nuk duam që reforma jonë e legalizimeve të mbetet në duart e papërgjegjshmërisë politike. Për këtë do t’i dërgojmë një letër kryeministrit Rama ku do të kërkohet të rishikohet plani rregullues i Tiranës, plani i përgjithshëm rregullues i bashkisë Kamëz, dhe i komunës Paskuqan. Po kështu kërkojmë të bëhet një analizë reale në terren e ndërtimeve. Kjo kërkesë ka për qëllim rishikimin e planifikimit të lartësisë së ndërtimeve në këto zona, rrjeteve infrastrukturore, dhe të përdorimit të tokës”, tha Lame.

Njësitë 6 dhe 7, janë më problematike në këtë aspekt dhe rrezikojnë të penalizohen nga legalizimi. Vetëm në Tiranë, rrezikojnë të mos legalizohen 5 mijë objekte. Ndërsa, deri më tani sipas ALUIZNI-t rezultojnë të jenë bërë 36 mijë vetëdeklarime të objekteve informale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat