Basha: Rama ka reduktuar në zero çdo hapësirë demokratike për opozitën

Shqipëria

Basha: Rama ka reduktuar në zero çdo hapësirë demokratike për opozitën

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 14:12

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Owen Jenkins.

Gjatë këtij takimit Basha i shprehu Jenkins mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmesën që Britania e Madhe i ka dhënë në vijimësi demokracisë në Shqipëri dhe procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Ai u ndal edhe në zhvillimet e fundit politike në vend që lidhen me bojkotin e opozitës, që sipas tij erdhi nga reduktimi i hapësirës demokratike duke sjellë ndërprererjen e marrëdhënieve të kësaj të fundit me parlamentin.

Sipas Bashës, reduktimi i hapësirës demokratike për opozitën në vend, ka ardhur si pasojë e një sërë faktorësh mes të cilëve: shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës, refuzimi i kontrollit demokratik opozitar përmes komisioneve parlamentare hetimore, injorimi dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatave të vendit, mohimi i fjalës së lirë të opozitës përmes ushtrimit të dhunës verbale dhe fizike nga elemente kriminalë të mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë.

“Të gjitha këto elemente të orkestruara nga kryeministri Rama, kanë reduktuar në zero çdo hapësirë demokratike për opozitën duke e detyruar atë të ndërpresë marrëdhënien me Kuvendin”, u shpreh Basha.

Basha deklaroi se pavarësisht thirrjeve të përditshme të opozitës, mazhoranca Rama-Meta “kanë vijuar dhe intensifikuar fushatën e kapjes së institucioneve të pavarura, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, dhe gjykatat e vendit, pavarësisht kundërshtisë së hapur e publike edhe të partnerëve strategjikë ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat