Meta: Mësimi i gjuhëve të huaja nuk është luks, por domosdoshmëri

Shqipëria

Meta: Mësimi i gjuhëve të huaja nuk është luks, por domosdoshmëri

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 13:12

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, i pranishëm në ceremoninë e certifikimit të një grupi të rinjsh në Paskuqan, të cilët përfunduan me sukses një trajnim disamujor për gjuhët e huaja, në përpjekje për t’u përgatitur për tregun e punës, tha se ky është vetëm fillimi i një projekti afatgjatë, që lidhet me prioritetin që do t’i jepet formimit profesional.

“Mësimi i gjuhëve të huaja për të rinj dhe të reja nuk është thjesht luks, nuk është thjesht demonstrim i kulturës dhe njohurive, por është një domosdoshmëri për t’u integruar në tregun e ri të punës, sidomos në sektorin e shërbimeve, i cili ka nevojë për kualifikimin e të rinjve dhe të rejave në mënyrë që të marrim një zhvillim akoma më të madh, pasi potencialet dhe mundësitë që Shqipëria ofron janë të jashtëzakonshme.

Tregu i kufizuar i punës ka qenë një pengesë serioze deri tani, ndaj formimi profesional i këtyre muajve për të rinjtë e Paskuqanit do të ndihmojë shumë shpejt për krijimin e vendeve të reja të punës në këtë zonë”, u shpreh Meta.

Ndër të tjera, lideri i LSI-së tha se jo të gjithë mund të punojnë në administratë, pasi kjo është e pamundur, ndaj zgjerimi i sektorit privat është një prioritet për të realizuar objektivin kryesor, që është punësimi.

“Mbështetja e këtij sektori do të bëjë të mundur punësimin e të gjithë atyre që duan të punojnë. Këtu ka një popullsi mjaft aktive, ka një rini mjaft aktive, e cila kërkon të integrohet në tregun e punës në shoqëri dhe ne do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë mbështetjen më të plotë”, u shpreh Meta në takimin me të rinjtë.

Meta u premtoi gjithashtu se kjo është një nga detyrat, e LRI-së dhe e LSI-së, që të jetë krijuese në gjetjen e formave dhe alternativave për të ndihmuar të rinjtë dhe të rejat për t’u integruar në tregun e punës dhe për t’i mbështetur që të ecin më shpejt në një rrugë më të sigurt për të ardhmen e tyre.

Kreu i LSI-së u shpreh i bindur se këta dhjetëra të rinj dhe të reja sot kanë hyrë në një rrugë më të sigurt për të ardhmen e tyre.

Të rinjtë e Paskuqanit që u pajisën me certifikata, iu nënshtruan një kursi intensiv gjatë muajve të verës për gjuhët e huaja. Pritet që shumë shpejt, me ardhjen e një kompanie të huaj që do të hapë një filial në këtë zonë, ata do të kenë mundësi të ushtrojnë aftësitë e tyre në biznesin e call-center-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat