Legalizimi, pagesat për shtesat anësore në të gjithë vendin

Shqipëria

Legalizimi, pagesat për shtesat anësore në të gjithë vendin

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 10:34

Shtesat që janë bërë në objektet e banimit dhe jo vetëm në to, do të legalizohen me çmimet e truallit sipas listës që qeveria ka miratuar para pak javësh. Sipas formulës së përcaktuar për ato shtesa anësore, horizontale, pagesat e legalizimit do të jenë vetëm për sa i përket truallit që ato kanë zënë. Madje në formulën e përllogaritjes do të jetë, sipërfaqja e tokës herë çmimi i vendosur, i cili do të përpjesëtohet më pas, sipas numrit të kateve që është bërë shtesa. Ndërsa shtesat e bëra në katet e sipërme, të cilat nuk kanë marrë sipërfaqe anësore trualli, do të legalizohen falas. Kjo pasi Shqipëria ende nuk ka një ligj për menaxhimin e hapësirave ajrore. Në ato godina, ku është shtuar kat pa marrë lejen e ndërtimit, shtesat do të legalizohen falas. Gazeta “Shekulli” ka zbardhur të gjithë listën e çmimeve të legalizimit në të gjitha bashkitë e vendit. Edhe në këtë rast, nuk do të ketë një ndarje fikse të pagesës, për zona rurale apo urbane. Çmimi i legalizimit do të jetë në varësi të vlerës që ka trualli, pavarësisht nëse është në qytet apo në fshat. Edhe për shtesat do të kenë të njëjtat rregulla si edhe ndërtimet e plota. Ato shtesa që janë bërë në tokë shtet ose në tokë me pronarë, pas 15 janarit të viti 2009, nuk do të legalizohen. Edhe pse është vendosur lista e çmimit të legalizimit për shtesat informale, sërish mbetet për t’u parë në terren verifikimi i shtesave informate.

Vendimi i qeverisë

Merret vendimi për përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik në terren të ndërtimeve pa leje, shtesave në ndërtime me leje dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale. Këshilli i Ministrave, në organizimin e punës për evidentimin faktik në terren ka kërkuar hartimin e dokumentacionit që duhet të plotësohet, jo vetëm nga të interesuarit, por edhe nga drejtoritë e varësisë së ALUIZNI-t. Në procedurat e evidentimit e të hartimit të dokumentacionit të gjendjes faktike përfshihen: përditësimi i të dhënave të gjendjes ndërtimore të ndërtimeve informale, plotësimi i procesverbalit të konstatimit, sipas modelit të miratuar me urdhër të drejtorit të ALUIZNI-t, si edhe harta e përditësuar e ndërtimeve informale në formatin elektronik dhe dokumentacioni teknik. Për ndërtimet informale, që përfshihen për herë të parë në procedurat e legalizimit, plotësohet deklarata për përfshirje në këtë proces nga subjektet poseduese. Forma, mënyra e administrimit dhe afati kohor i plotësimit të deklaratës përcaktohen me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI). Ndërsa, për sa i përket verifikimit të ndërtimeve informale, brenda periudhave kohore të përcaktuara, bëhet nëpërmjet përdorimit të produktit të fotografimit ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë, për periudhën kohore që ai mbulon. Gjithashtu do të bëhet edhe nëpërmjet imazheve satelitore ose ajrore të përdorimit të përgjithshëm, sipas kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara nga subjektet zotëruese. Ndërsa, përdorimi i planrilevimeve në kuadër të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, të administruara nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, do të jetë një tjetër mënyrë. Po kështu do të përdoren edhe vërtetimet me mënyra alternative, nëpërmjet çdo dokumenti tjetër, juridikisht të vlefshëm, që provon ekzistencën e ndërtimit informal në momentin kohor të dhënë, në një datë dhe vend të caktuar. Për kryerjen e procedurave të përcaktuara, ALUIZNI është i lejuar të autorizojë subjekte private, të licencuara, në fushat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.

Kushtet e hartës së re

Harta e zonës informale e përditësuar në shkallën 1:1000 deri 1:2500 ku të pasqyrohet:

a) vija kufizuese e re e propozuar.

b) vija kufizuese e rishikuar e zonës informale në lidhje me atë të mëparshme.

c) vija kufizuese administrative e njësisë/ve të qeverisjes vendore.

d) kufiri i zonave kadastrale.

e) kufiri i territoreve dhe objekteve që gëzojnë cilësi juridike të veçanta.

f) Tabela përmbledhëse, ku pasqyrohen të dhënat për ndërtimet informale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat