Vatikani: Nuk jemi të shqetësuar për sigurinë e Papës në Shqipëri, do udhëtojë me makinë të hapur

Shqipëria

Vatikani: Nuk jemi të shqetësuar për sigurinë e Papës në Shqipëri, do udhëtojë me makinë të hapur

Nga: Nga Nicole Winfield, AP Më: 15 shtator 2014 Në ora: 23:28

Vatikani tha se nuk do të ndërmarrë masa shtesë sigurie për mbrojtjen e Papa Françeskut gjatë vizitës së tij në fundjavë në Shqipërinë me shumicë myslimane, pavarësisht raportimeve se militantët islamikë po kthehen nga Lindja e Mesme.

Zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi tha se Papa do të udhëtoje më të njëjtin mjet të hapur që përdor në sheshin “Shën Pjetër” kur të përshëndesë turmat në vendin e varfër ballkanik të dielën.

Zyrtarët e sigurisë në Vatikan janë të qetë përpara vizitës 11-orëshe, tha ai.

Françesku ka thënë se do të vizitojë Shqipërinë për të nxjerrë në pah rilindjen e Krishterimit, që ishte fshirë në mënyrë brutale gjatë sundimit komunist dhe për të treguar se si katolikët, ortodoksët dhe myslimanët mund të punojnë së bashku për të qeverisur vendin.

Mediat italiane, referuar burimeve të paidentifikuara, thonë se forcat e sigurisë në Shqipëri i kanë përcjellë Interpolit shqetësimin se militantët islamikë që janë stërvitur në Siri dhe Irak janë kthyer dhe mund të përbëjnë rrezik për Françeskun.

Lombardi tha se ndërsa ka një shqetësim të përgjithshëm në lidhje me kërcëimin nga Shteti Islamik, “nuk ka asnjë kërcënim specifik ose rrezik që mund të ndryshojë sjelljen e Papës ose mënyrën se si do organizohet udhëtimi”.

Vendimi i Françeskut që të vizitojë Shqipërinë e vogël përpara ndonjë kryeqyteti të madh europian përkon me dëshirën e tij që kisha të shkojë drejt periferive. Po ashtu kjo konfirmon dëshirën e tij për të inkurajuar komunitetet e krishtera, të persekutuara dikur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat