Basha vetëm me Berishën për bojkotin

Shqipëria

Basha vetëm me Berishën për bojkotin

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 08:38

Bojkoti ka ngujuar për katër orë në godinën e SHQUPIt deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së dhe pjesën tjetër të opozitës së mbetur, për të diskutuar rreth vendimit që do të mbajë opozita. Mbledhja është shoqëruar me debate të forta mes disa deputetëve të PD-së dhe kreut të ri Lulzim Basha, i cili në krah kishte dhe ish-liderin “shpirtëror”, Sali Berishën. Mësohet se kundër vendimit parapërgatitur të Bashës dhe të pa konsultuar më parë janë hedhur Dashamir Shehu, Mesila Doda, Fatmir Mediu por dhe disa prej deputetëve të cilët mendohet se janë besnikët e kreut të PD-së. Vendimi kokëfortë i Bashës për vijimin e bojkotit është kundërshtuar për gjatë gjithë mbledhjes. Në këtë mënyrë dje brenda radhëve të Partisë Demokratike është shënuar dhe përçarja më e fundit pas zyrtarizimit të vendimit për bojkotimin e parlamentit. Dhe pse një vendim i paralajmëruar ky nga kryetari i kësaj partie, Basha si dhe nga ishkryetari Berisha, nuk janë evituar debatet. Ndoshta për herë të parë kanë qenë disa zëra kundër që jo vetëm kanë kundërshtuar vendimin, por dhe kanë kërkuar llogari ndaj këtij arbitrariteti të Bashës. Ndërkohë që debatet me tona të forta janë zhvilluar në mbledhjen e grupit parlamentar të PD dje në mesditë, pak orë para se të niste seanca e parë e parlamentit për këtë sesion të ri parlamentar. Burime brenda PD bënë me dije për detaje nga kjo mbledhje ku shumë deputetë dolën hapur kundër bojkotit të Kuvendit, ndërsa pro tij u shpreh kreu i partisë, Lulzim Basha dhe e miratuan një pjesë tjetër deputetësh. Mesila Doda tha se shqetësimet e saj i ka shtruar në diskutim në mbledhjen e grupit parlamentar. “I kam adresuar të gjitha shqetësimet para grupit parlamentar. Nuk kam lënë asnjë gjë pa shtruar”, tha shkurt në një prononcim për “Shekullin”. Ndërsa deputetja Jorida Tapaku e cila njihet si një ndër përkrahëset e Bashës e pyetur nga “Shekulli” në lidhje me vendimin që u ndërmor nga Basha dhe u kundërshtuar nga një pjesë e deputetëve hezitoi të përgjigjet. “Gjithçka që ishte për të thënë është thënë nga kryetari Basha”, tha deputetja demokrate.

Mbledhja me dyer të mbyllura

Pas largimit të gazetarëve nga mbledhja, ka pasur debate të ashpra nga ishfigurat kryesore të PD kundër Bashës. Të ashpër në qëndrimet e tyre kanë qenë ish-kryetari i grupit, Astrit Patozi, ishkryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, deputetja Mesila Doda e të tjerë. Në krah të Bashës ka dalë vetëm Berisha, i cili ka tentuar t’u përgjigjet personalisht deputetëve. Pas largimit te medieve në grup ka plasur një debat i ashpër. Burime nga mbledhja thanë se deputetët janë ndierë të fyer nga fjalimi i kryetarit Basha, pasi askush nuk i kishte pyetur për qëndrimin e tyre më parë. Kundërshtarë të bojkotit kanë qenë më shumë se gjysma e grupit parlamentar. Debate janë zhvilluar midis Lulzim Bashës dhe Mesila Dodës, kjo e fundit ka kërkuar që opozita të debatojë fort në Parlament dhe të mbajë qëndrimet e saj për ligjet që po kalojnë. Nga ana tjetër Basha ka shpjeguar se PD do krijojë struktura paralele me parlamentin dhe qeverinë, duke ngritur komisione si ato të Kuvendit, debate me grupet e interesit dhe seminare e konferenca për çdo ligj me grupin parlametar. Kundër bojkotit dhe një debat të fortë brenda parlamentit kanë qenë edhe Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Roland Keta etj. Debatin e ka ndezur deputeti Roland Keta, duke kërkuar që opozita të jetë në Parlament. Sipas tij kjo formë opozite sjell vetëm humbje. PD sipas Ketës, duhet të jetë në Kuvend dhe kjo është një kërkesë edhe e militantëve dhe intelektualeve që duan një opozitë të vërtetë dhe aktive. Ish-kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi, ka kërkuar që opozita që zhvillohet nga foltorja e Kuvendit. Ai ka theksuar se nuk ka ndonjë dëshirë të madhe të jetë në atë lloj parlamenti por PD-ja duhet të jetë atje për të thënë fjalën e saj dhe shpalosur e denoncuar mazhorancën. Një debat ka pasur edhe midis Jozefina Topallit dhe Lulzim Bashës. Pas qëndrimit të kreut të PD-së tani kjo forcë ka një bazë të dhënash të anëtarësisë, duke e shpallur si një punë të madhe dhe të suksesshme, Topalli ka reaguar duke theksuar se opozita në thelb duhet të ketë mesazhet dhe shpresën për qytetarët, diçka të tillë opozita nuk e ka bërë këto kohë. Në krah të Bashës për bojkotin dhe struktura paralele të komisioneve parlamentare dhe oponencë me konferenca ka qenë edhe kreu i komanduar i grupit Edi Paloka, që ka mbrojtur qëndrimin e Bashës. Jashtë debatit nuk ka qëndruar edhe ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu e cila ka qenë kundër bojkotit dhe ka mbajtur linjën e një opozite të fortë parlamentare. Ish-Kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha ka debatuar me Mesila Dodën, duke theksuar se bojkoti dhe krijimi i strukturave jashtë parlamentit, nuk është njësoj si veprimet e Ramës vite më parë. Sipas Berishës, kryeministri ka përgatitur të tjerë skenarë kundër opozitës, për më tepër dhuna që ndodhi ndaj Strazimirit, sipas Berishës, do të ndodhë edhe mbi deputetë të tjerë ideuar dhe parapërgatitur nga Edi Rama. Shumica e deputetëve kanë qenë kundër bojkotit, edhe ata që njihen si mbështetës të kryetarit Basha. Në heshtje apo takime ata pranojnë se bojkoti është një gabim i cili po përsëritet pa u pyetur deputetët, por bëhet fakt pa u diskutuar më parë. Kjo ka qenë dhe arsyeja që ata kanë heshtur, duke respektuar vendimin e Bashës dhe Berishës.

Aleatët kundër Bashës

Aleatët e PD-së, të pranishëm në mbledhjen grupit parlamentar të opozitës, të përfaqësuar nga Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi kanë qenë kundër bojkotit të opozitës në Parlament. Basha e ka mbrojtur qëndrimin e tij me faktin se dje pas 3 muajsh asgjë nuk ka ndryshuar nga vendimi i parë. Në këtë mënyrë Partia Demokratike me shumë gjasa do të mbetet e vetme në qëndrimin e palëkundur për mos u bërë pjesë e punimeve të Kuvendit. Përfundimi i mbledhjes së grupit parlamentar demokrat rreth orës 16:00 nxori detaje nga diskutimet me dyer të mbyllura në selinë blu. Burimet nga PD bënë me dije se një nga aleatët besnike të kësaj partie, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka kërkuar rishikimin e qëndrimit për bojkotin ndaj Kuvendit. Ndërkaq debate ka pasur në tërësi mes deputetëve për sa i përket afatit të bojkotit në Kuvend. Më herët Partia Demokratike përmes kreut të saj Basha bëri me dije se nuk do të hyjë në Kuvend, por ta vazhdojë nga jashtë opozitën e saj.

Basha: Protesta, referendum dhe ankimim në Kushtetuese

Ideja e vetme me të cilën Basha tentoi të bind deputetët është krijimi i strukturave paralele opozitare të cilat do të zëvendësojnë punën e deputetëve në Kuvend. Basha ka shpjeguar se PD-ja do krijojë struktura paralele me Parlamentin dhe Qeverinë, duke ngritur komisione si ato të Kuvendit, debate me grupet e interesit dhe seminare e konferenca për çdo ligj me grupin parlamentar. Basha bëri të ditur organizimin e protestave të fuqishme në të gjithë vendin. “Vendimi i Partisë Demokratike do të mbetet në fuqi: Ne nuk do të shkojmë në një Kuvend ku Rama dhe Meta nxjerrin mllefe. Nuk është Kuvendi, arena për të larë hesapet e tij. Le të flasë me vete sa të dojë, sepse ne do ta vazhdojmë denoncimin tonë dhe opozita jonë do të jetë non stop, dhëmb për dhëmbë me oligarkinë që është në pushtet”, theksoi Basha.

Ankimim në Gjykatën Kushtetuese

Kreu demokrat gjithashtu bëri të ditur se beteja e opozitës me mazhorancën do të zhvendoset në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij opozita do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese projektligjet e miratuara pa opozitën duke filluar me atë për ndarjen e re territoriale. “Ne do t’i ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese të gjitha ligjet e miratuar dhe të mosdekretuar nga presidenti Bujar Nishani, duke nisur nga reforma territoriale. Përshëndesim dekretet e Presidentit, sikundër na vjen keq që mazhoranca i rrëzoi dekretet, pa bërë asnjë debat mbi argumentet ligjore që çuan në rrëzimin e ligjeve nga ana e kreut të shtetit”, theksoi Basha. Në vijim ai akuzoi mazhorancën se bashkëjetesës politik dhe paqes politike iu përgjigjën me monedhën provokimit, arrogancës, luftës. Basha theksoi se opozita nuk do të lëshojë pe për të gjitha arritjet demokratike, të cilët të eturit duan ti restaurojnë. “Ne nuk do të lëshojmë kurrë asnjë fije nga arritjet demokratike, që të eturit duan ta restaurojnë. Për të mbrojtur lirinë, PD është dhe do të jetë në çdo çast në lartësinë e misionit të saj. Provokimet tona i kemi shmangur, ndonëse presionet e shtresave të ndryshme shoqërore vjen në rritje. Ne kemi kontribuar si asnjë forcë politikë për institucionet politike. Kemi punuar që të krijojmë institucione, por mbeten ende punë për të bërë. Nëse ne nuk do të mbështesim të punojmë më këto institucione, do të mohonim rolin tonë, ndaj mendojmë se këto institucione, do të arrijnë të qëndrojmë siç kanë qëndruar, duke i treguar vendin oligarkisë. Nuk ka dyshim se oligarkia Rama-Meta po bën dhe do bëjë dëme të mëdha. Varfëria, papunësia një rritje, janë pasqyra më e saktë e kësaj oligarkie. Fati i saj është dështimi i sigurt, humbja dhe shporrja. Rama dhe Meta duan të qeverisin si çifligar, por kjo nuk mund të ndodh. Në këtë mospërputhje, në këtë papajtueshmëri organike qëndron ngërçi. Për të realizuar këtë ëndërr të tyre, duhet të prishin themelet e demokracisë. Ne as i kemi soditur dhe as do i përcjellim duarkryq, por do i denoncojmë dhe ditë për ditë, e orë për orë”, shtoi kryetari i PD-së.

Paloka: Nuk na lejohet fjala, Rama ndjek modelin e Putinit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka dje komentoi rrugën e zgjedhur të opozitës përsa i përket jetës parlamentare. Për Palokën, bojkoti është një rrugë që opozita e ka zgjedhur e detyruar nga dhuna e mazhorancës. Paloka u shpreh se në këtë sesion të ri parlamentar demokratët nuk do jenë në Parlament, por do bëjnë opozitën jashtë sallës. Paloka shtoi më tej se Rama kërkon të vendosë në Shqipëri një regjim si të Putinit në Rusi, ku opozita është inekzistente dhe ai njëherë bën kryeministrin e më pas presidentin. “Po na çon në një kohë shumë të errët. E gjithë rruga që ky ka ndërmarrë, marrja e institucioneve, dhunimi i opozitës, arroganca ndaj qytetarëve të pafuqishëm tregojnë pikërisht këtë gjë. Ky kryeministër do ta çojë këtë vend drejt konfliktit. Njerëzit të mos e tolerojnë se diktatura vendoset më shpejt se një vit. Edhe Enveri dhe Hitleri me vota erdhën në pushtet. Ky s’ka aq forcë, por ky aty kërkon të shkojë. Kërkon të bëjë Putinin, do të jetë ky i përhershëm. Ky vend ose mbron demokracinë ose kalon situata aspak të mira”, shtoi ndër të tjera Paloka.

Patozi thumbon Bashën: Kundër bojkotit të Kuvendit dhe zgjedhjeve lokale

Ish-kryetari i grupit parlamentar Astrit Patozi, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së ka parashtruar arsyet përse duhet të jenë në Kuvend dhe përse nuk duhet të lënë idenë e një opozite që nuk përballet me problemet. Mësohet se Patozi ka thënë se në politikë nuk ka dh e nuk mund të ketë vendime të formës së prerë. Sipas burimeve deputeti ka thënë se edhe vetë historia e PD-së, por edhe ajo e çdo force tjetër politike në Shqipëri e në botë. PD-ja sipas tij nuk mund të justifikohet me dhunën në Kuvend sot për bojkotin, kur dikur ka shkuar në Parlament. Duke theksuar rëndësinë që ka për PD-në rikthimi në Kuvend Patozi mësohet të ketë thënë se “ikja nga Kuvendi pas asaj që ndodhi ishte një gjest politik, dhe sot ishte momenti i përshtatshëm për të nisur një stinë të re politike. Pas kësaj, duket sikur ne kemi marrë vendim për t’u larguar një herë e përgjithmonë nga Kuvendi dhe kjo nuk shkon”. Sekretariati i PD-së tha se deputeti demokrat ka thënë se “prania në Kuvend e PD-së është e pazëvendësueshme me çdo formë tjetër të të bërit opozitë. Vlera e gjërave që ne themi reduktohet shumë, në rast se qëndrimi i opozitës përmblidhet në konferencat për shtyp dhe deklaratat e zëdhënësve të saj. Vlera e gjërave që themi në sallën e Kuvendit dhe në Komisione është e pakrahasueshme me çdo gjë tjetër.” Duke theksuar pritshmërinë e elektoratit Patozi tha se “prania në Kuvend e deputetëve nuk është ndonjë kënaqësi personale, por detyrim ndaj zgjedhësve, të cilët presin prej nesh të bëjmë opozitë, aty ku është fronti kryesor.” Burime për “Shekullin” thanë se Patozi ka folur rreth betejave që duhet të zhvillojnë në Kuvend dhe ceku çështjen e referendumit për reformën territoriale. Mësohet se gjatë mbledhjes Patozi është shprehur po ashtu kundërshtimin e tij kategorik kundër zërave që paralajmërojnë bojkotin e mundshëm të zgjedhjeve lokale.

Ja një pjesë nga debatet

Dashamir Shehi: Dhuna nuk është argument për bojkot

Roland Keta: Nëse ndodh që të na dhunojnë sërish- fizikisht, burra jemi ne, burra janë dhe ata, përballemi. Parlamenti është tribuna e opozitës.

Paloka ndërhyn: Nuk shkojmë atje, do krijojmë grupet tona të punës.

Mesila Doda: Me këtë që bëjmë, bëjmë atë që bënte Rama dikur dhe ne e akuzonim për krijim të institucioneve paralele.

Dashamir Shehi: Nuk na dëgjon njeri po nuk folëm nga parlamenti

Fatmir Mediu: Unë dua të di një afat deri kur do vijojë ky bojkot

Mesila Doda: Vendimi t'u njoftua para fillimit të mbledhjes. Do ishte mirë të merrej njëherë vendimi, pastaj të komunikohej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat