Kuvend, sot diskutohen dekretet e Nishanit

Shqipëria

Kuvend, sot diskutohen dekretet e Nishanit

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 09:10

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë seancën e tij parë sot në orën 17:00, për sesionin e ri parlamentar. Në këtë seancë të shumëdiskutuar do të kalojnë për votim pesë dekretet e kthyera nga Presidenti i vendit Bujar Nishani.

Pesë dekretet, ajo për Policinë e Shtetit, Shkollën e Magjistraturës, Gjykatën Administrative, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe reformën e re territoriale, u diskutuan dhe u rrëzuan në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ditën e premte.

Axhenda e ditës së sotme parashikon gjithashtu miratimin e programit të punës për periudhën 1 shtator – 9 tetor 2014, dhe kalendarit trejavor (1–18 shtator 2014) të punimeve të Kuvendit.

Gjithashtu në seancën e sotme do të diskutohen edhe dekretet për shkarkimin e Ilirjan Celibashit nga detyra e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe për emërimin e Ermonela Felajt, në këtë detyrë.

Jo më larg se dje, në Durrës u mblodh grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe kabineti i tij, për të diskutuar dhe shpërndarë detyrat para nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Në përfundim të mbledhjes u ngritën disa grupe pune të cilat do të përgatisin raportet dhe strategjinë e nevojshme, jo vetëm për punimet e sesionit parlamentar, por edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Ndërkohë që Partia Socialiste i ka shpërndarë detyrat para nisjes së sesionit të ri parlamentar, ende nuk dihet nëse Partia Demokratike do të marrë pjesë apo jo në punimet e Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat