Veliaj: Bursa për nxënësit që studiojnë në shkollat e mesme bujqësore

Shqipëria

Veliaj: Bursa për nxënësit që studiojnë në shkollat e mesme bujqësore

Më: 31 gusht 2014 Në ora: 11:08

Studentët që këtë vit do të zgjedhin të studiojnë në degët e bujqësisë dhe blegtorisë në shkollat profesionale, do të përfitojnë bursa nga qeveria shqiptare.

Lajmin e bëri të ditur sot Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë një inspektimi në shkollën e mesme bujqësore “Rakip Kryeziu” në Fier.

“Dhënia e bursës nënkupton mbulimin e të gjitha shpenzimeve rezidenciale, ushqimin dhe fjetjen, ç’ka do t’u lejonte shumë të rinjve nga zonat rurale, të cilët duan të arsimohen në këtë shkollë model të Qarkut të Fierit, të kenë mundësi ta bëjnë këtë pa asnjë kosto shtesë për prindërit, por përkundrazi duke marrë një bursë të plotë për ta kthyer investimin e tyre në shkollë, në ferma apo biznese që ne presim të hapen në bujqësi e blegtori”, deklaroi ministri.

Dhënia e bursave për studentët e degës së blegtorisë dhe bujqësisë do të bëhet për të promovuar e mbështetur vendimmarrjen e atyre prindërve që i orientojnë fëmijët e tyre në këto degë.

Duke qenë se nga nesër, datë 1 shtator, fillojnë regjistrimet në të gjitha shkollat profesionale të vendit, ministri Veliaj ftoi të rinjtë e zonës së Myzeqesë të investojnë në këto dy fusha:

“Dua t’i ftoj të rinjtë e zonës së Myzeqesë që të investojnë në këto dy fusha, të cilat nuk i kanë zhgënjyer asnjëherë të parët tanë”.

Veliaj, tha se këto dy fusha janë sektorët ku investimet po rriten vazhdimisht në vendet e Bashkimit Europian.

“Shumë investitorë të huaj po kërkojnë të përdorin tokat dhe klimën në Shqipëri, por nuk gjejnë staf të kualifikuar as në bujqësi, e as në blegtori”, nënvizoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat