Universitetet e mbyllura mbajnë peng studentët

Shqipëria

Universitetet e mbyllura mbajnë peng studentët

Më: 31 gusht 2014 Në ora: 08:24

​Studentët të cilët janë të regjistruar në 18 universitetet private që u mbyllën me vendim qeverie kanë afat edhe nesër për të tërhequr dokumentacionin e çregjistrimit, në mënyrë që të regjistrohen në një universitet tjetër. Numri i studentëve që është prekur nga ky vendim është 5820, ndërkohë që pranë Ministrisë së Arsimit janë regjistruar me dhjetëra ankesa të këtyre studentëve, pasi nuk po arrijnë të marrin dosjet me dokumentacionin e domosdoshëm për të bërë çregjistrimin.

Ministria e Arsimit, e pyetur për këtë çështje, ka deklaruar se kanë një sërë ankesash që u kanë ardhur nëpërmjet postës elektronike të personave që janë përgjegjës për sqarimin e studentëve të universiteteve të mbyllura, por edhe që janë paraqitur zyrtarisht në MAS. Ankesat kryesore të studentëve kanë të bëjnë me mungesën e numrit të matrikullimit që duhet të ketë çdo student. Mungesa e këtij numri u ka sjellë studentëve probleme, pasi dosjet e tyre konsiderohen të pasakta në mungesë të këtij numri personal. Ndër shkeljet ligjore të 18 universiteteve të mbyllura, të bëra publike nga MAS ishte dhe mospajisja e studentëve me numrin e matrikullimit nga Agjencia Kombëtare e Provimit, pasi është AKP, e cila pajis studentët me këtë numër personal.

Problemet Duke iu referuar VKM-së, se institucionet e arsimit të lartë që ju është hequr licenca kanë detyrim të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore-shkencore për vitin akademik 2013-2014, të plotësojnë dosjet e studentëve që janë në vijim të studimeve deri në fund të muajit gusht. Afti i fundit është data 1 shtator dhe nëse ka studentë që nuk kanë kërkuar të marrin dosjet, universitetet private e kanë detyrim që ato t'i dërgojnë në Ministri të Arsimit deri në datë 10 shtator.

Plotësimi i dosjeve duhet të kryhet pa asnjë detyrim financiar për studentët, pasi duhet të mbulohen nga universitet. Por janë me dhjetëra studentë, të cilët nuk kanë mundur t'i plotësojnë dosjet, edhe pse janë në dy ditët e fundit të afateve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, shkak për këtë është bërë mungesa e numrit të matrikullimit, i cili është një ndër elementet që duhet të ketë dokumenti i çregjistrimit. "Ankesat kryesore janë nga studentë të Universitetit 'Vitrina' dhe 'Kristal'.

Ankesat më të shumta kanë të bëjnë me mungesën e numrit të matrikullimit. Ky numër personal i çdo studenti, jepet nga AKP, por universitetet duke qenë se kanë bërë regjistrimin në çdo periudhë të vitit akademik, një pjesë të studentëve nuk i kanë me numra matrikullimi, pasi regjistrimi dhe pajisja me këtë numër bëhet në afate të përcaktuara, me udhëzim të posaçëm nga Ministria e Arsimit", kanë sqaruar burime zyrtare pranë MAS.

Sipas tyre, problematika e këtyre studentëve do të verifikohet rast pas rasti. Ndërkohë që në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit në "Facebook", studentët janë ankuar pasi u kanë shkruar personave përgjegjës në adresat e tyre elektronike, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat