PD: Rama hesht për çdo rast inkriminimi

Shqipëria

PD: Rama hesht për çdo rast inkriminimi

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 15:54

Partia Demokratike ka denoncuar sërish kryeministrin Rama për heshtjen ndaj rasteve të politikanëve të inkriminuar, që opozita pretendon se i ka dëshmuar me prova dhe fakte.

Deputeti demokrat Flamur Noka kritikoi ashpër qeverinë, që sipas tij reagon vetëm në rastet kur i shkon për shtat. Ai renditi një sërë rastesh, të personave të administratës që sipas tij mbartin precedentë penalë.

“Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se Edi Rama ka bërë deputet të Kuvendit një të dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe rrëmbim personi, dhe Edi Rama ka heshur, Partia Socialiste ka heshtur.

Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se me Edi Ramën është bërë drejtor rajonal transporti një person i kapur me 750 kg kanabis, është bërë drejtor i ujësjellësit një person i dënuar me 16 vite burg për trafik droge, ka marrë një pozicion kyç në Drejtorinë e Lojërave të Fatit dikush i kapur me 200 kg heroinë, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur.

Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se Edi Rama bëri kryetar të Këshillit të Qarkut personin e arrestuar nga policia italiane dhe të akuzuar nga mediet më të mëdha atje për rrëmbimin e një fëmije, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur.

Kemi denoncuar me dhjetëra raste të personave me precedentë penalë që kanë kapur zyrat e administratës, me prova e me fakte, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur”, u shpreh Noka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat