Vrasja në Vlorë, hetimet shtrihen deri në Brazil

Shqipëria

Vrasja në Vlorë, hetimet shtrihen deri në Brazil

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 15:28

Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton mbi atentatin me eksploziv që ndodhi ditën e djeshme në qytetin e Vlorës. Burime nga grupi hetimor ngritur nga Prokuroria e Vlorës dhe policia e këtij qyteti konfirmojnë se viktima për disa vite ka jetuar në Brazil, prandaj hetimet mund të shtrihen deri atje.

Sipas hetuesve Brahimaj udhëtonte shumë. Ky fakt konfirmohet nga sistemi TIMS, ku hyrje-daljet e viktimës janë mjaft të shumta. Ai udhëtonte kryesisht në vendet e Evropës si Austri, Turqi, Maqedoni, Greqi dhe përdorte më shumë si aeroport transit atë të Selanikut për të kaluar në destinacionin përfundimtar.

Gjithashtu sipas burimeve të grupit hetimor janë sekuestruar kamerat e subjekteve rreth vendit të ngjarjes, ku ndodhi shpërthimi i makinës së bardhë tip “Mitsubishi” dhe vdekja e drejtuesit të saj, biznesmenit Isuf Brahimaj.

Janë marrë dëshmi të personave që ndodheshin në vendngjarje, por prej tyre është zbardhur vetëm dinamika e shpërthimit, dhe asgjë më tepër në lidhje me shkaqet e këtij atentati.

Nga hetimet mësohet se viktima gjatë 24-orëve para ngjarjes, ka qenë në hotelin të cilin sapo e kishte ndërtuar, e që po përgatitej për ta inauguruar. Madje mësohet se edhe mëngjesin e së enjtes, përpara se të ndodhte incidenti që do i merrte jetën, ishte nisur prej aty.

Prokuroria e Krimeve të Rënda po vijon bashkëpunimin me Prokurorinë e Vlorës, por ato ende nuk kanë një tablo të qartë të ngjarjes. Ajo çfarë zotërojnë deri më tani, janë materialet e filmimeve të kamerave si dhe dëshmitë e punëtorëve në hotel, të personave që kanë pasur kontakte me viktimën por edhe me të plagosurën 19-vjeçare, si dhe deklaratat e dëshmimtarëve.

Gjithashtu burimet konfirmojnë se ekspertë të kriminalistikës po punojnë për përcaktimin e mekanizmit të autobombës, dhe materialet e përdorura në të, pasi sipas tyre mund të orientohen drejt grupit apo individëve që i kanë përdorur ato më parë, për të ngushtuar kështu rrethin e të hetuarve.

Deri në këto momente asnjë nuk është shoqëruar nën cilësinë e të dyshuarit për atentatin. Nga ky i fundit mbeti i vrarë Isuf Brahimaj, 42 vjeç, mëngjesin e djeshëm, ndërsa u plagos rëndë 19-vjeçarja, Ornela Gjini, e cila ishte në makinë bashkë me viktimën në momentin e shpërthimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat