Nishani, Erdoganit: Forcim të miqësisë dhe bashkëpunimit

Shqipëria

Nishani, Erdoganit: Forcim të miqësisë dhe bashkëpunimit

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 12:09

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uroi nëpërmjet një mesazhi, Presidentin e ri të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan me rastin e zgjedhjes së tij në postin e lartë në krye të vendit.

Nishani i dërgoi urimet e përzemërta Erdoganit, dhe shprehu besimin se lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë do të forcohen dhe pasurohen më tej.

Mesazhi i plotë:

“I nderuar Zoti President,

I nderuar mik,

Zgjedhja Juaj në postin më të lartë, atë të Presidentit të Republikës së Turqisë më jep kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju dërgoj urimet më të mira e më të përzemërta për suksesin tuaj në këtë post të lartë!

Më lejoni, zoti President, të shpreh besimin tim se, lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit të shkëlqyer që karakterizojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë, gjatë mandatit tuaj presidencial, do të forcohen dhe do të pasurohen më tej, në fusha të reja me interes të përbashkët, në të mirë të dy popujve tanë miq.

Duke shprehur bindjen në angazhimin dhe kontributin tonë të përbashkët në intensifikimin e bashkëpunimit shumëplanësh, si edhe duke ju uruar edhe një herë suksese në punën tuaj, ju lutem pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat