Ashpërsohen gjobat. Rregulla të reja për të marrë patentën

Shqipëria

Ashpërsohen gjobat. Rregulla të reja për të marrë patentën

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 10:18

Dhjetëfishohen gjobat ndaj kundërvajtësve të qarkullimit rrugor, ndërsa shtohen kriteret për ata që duan të pajisen me një leje drejtimi. Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin për disa ndryshime në Kodin Rrugor duke ashpërsuar masat ndaj shkelësve të ligjit me gjoba nga 4-fish deri në 10-fishin e gjobave aktuale. Kështu do të paguajë një gjobë të dhjetëfishuar çdokush që shkarravit apo dëmton sinjalistikën rrugore apo krijon zona shërbimi apo lidhje hyrëse e dalëse të paautorizuara në sistemin rrugor. Sa u përket lejeve të drejtimit, tashmë çdokush që do të pajiset me patentë fillimisht duhet të bëjë kontrollin shëndetësor, psikik si dhe testin psikofizik. Me ndryshimet e bëra Qeveria ka për detyrë të raportojë, dhe jo thjesht të informojë, në Kuvendin e Shqipërisë për rezultatet e arritura dhe masat që duhen marrë për përmirësimin e sigurisë rrugore. Ndryshimet në Kod do të detyrojnë shoferët të pajisin mjetet me ndenjëse të posaçme për transportin e fëmijëve deri në 12 vjeç.

Marrja e patentës

Vendimi i djeshëm i ekzekutivit sjell ndryshime në rregullat dhe kriteret për marrjen e lejes së drejtimit. Me ndryshimet e bëra do të ketë kontrolle shëndetësore, psikike por dhe test psikofizik për kandidatët që do pajisen me leje drejtimi. “Aftësimi i duhur dhe përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve është parakusht për rrugë më të sigurta. Për këtë, disa prej ndryshimeve të miratuara në Kodin Rrugor konsistojnë në përafrimin e legjislacionit evropian për lejet e drejtimit të mjeteve rrugore. Më konkretisht, do të ketë kërkesa të përmirësuara ndaj kandidatëve për leje drejtimi për sa i përket kontrollit shëndetësor dhe psikik”, - sqaron ministria e Transportit. Gjithashtu, sistem i ri i lejeve të drejtimit do të konsistojë në zbatimin e sistemit të pikëve për lejet e drejtimit, duke synuar kështu rritjen e përgjegjshmërisë së drejtuesve. Lejet e drejtimi sipas modelit të Bashkimit Evropian do të ndahet sipas kategorive: AM, A1, A2, A, B1, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe kategoria DE. Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës në vitin 2013 u regjistruan 773 aksidente të rënda, ndër të cilat 295 ishin fatale. Ndërkohë nëpërmjet ndërhyrjeve me investime dhe me masa të tjera, veçanërisht në mirëmbajtje dhe standardizimi me elemente të sigurisë rrugore të disa segmenteve kyç, numri i aksidenteve u ul përkatësisht me 20 për qind për fatalitetet dhe 27 për qind për aksidentet e rënda.

Kundërvajtësit

Projektligji i miratuar dje nga Qeveria synon të përmirësojë më tej sigurinë në qarkullimin rrugor me qëllim zvogëlimin e numrit të aksidenteve në vend. Ndryshimet përfshijnë rritjen e masave të gjobave, deri në dhjetëfishimin e sanksioneve ndaj kundërvajtësve. “Dëmtimet, shkarravitjet apo çdo shënim në sinjalistikën rrugore ka rezultuar të ketë ndikim direkt në sigurinë rrugore, prandaj ndryshimet e miratuara nga qeveria të Kodit Rrugor përfshijnë dhjetëfishimin e gjobave ndaj kundërvajtësve dhe detyrim për sjelljen në gjendjen e mëparshme të rrugës. Krijimi i zonave të shërbimit të paautorizuara me akses në rrjetin rrugor dhe lidhjet hyrëse dhe dalëse të paautorizuara në objekte apo territore që lidhen me sistemin rrugor, kanë qenë një nga burimet kryesore të aksidenteve në rrugë, prandaj edhe masat administrative me gjobë do të 10-fishohet për kundërvajtësit e kësaj natyre”, - sqaroi Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e cila është dhe propozuesja e ndryshimeve në Kod. “Cilido që kryen shkeljet e parashikuara në pikat 17, 18, 20 e 21 dhe është përgjegjës me faj në ndodhjen e një aksidenti, që ka sjellë dëme të rrugës apo pjesëve që i përkasin asaj, është i detyruar t’ia paguajë entit pronar të gjitha shpenzimet për risjelljen në gjendjen fillestare”, - shtohet një pikë e re në nenin 10 të Kodit Rrugor. Ndërsa me ndryshimin e pikës 2 të nenit 15, parashikohet se në rast dëmtimesh të llojeve të ndryshme të akseve rrugore masa administrative nuk është më gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë por nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Gjithashtu me gjoba të 4-fishuara do të ndëshkohen ata që vendosin reklama apo njoftime të paautorizuara në perimetrin e rrugës. “Një nga shqetësimet me pasoja për drejtuesit e mjeteve janë vendosja e çdo lloj reklame apo njoftimi të paautorizuar në perimetrin rrugor, veprim i cili me ndryshimet në Kodin Rrugor do të ndëshkohet më gjoba sa katërfishi i atyre aktuale. Për më tepër subjektet apo individët kundërvajtës do të detyrohen të paguajnë dëmet e shkaktuara të infrastrukturës rrugore”, - sqaron ministria.

Ndryshimet e miratuar dje nga Këshilli i Ministrave

Neni 15

Ishte

2. Cilido që nuk respekton ndalimet e paraqitura në pikën 1, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.

Bëhet

2. Cilido që nuk respekton ndalimet e paraqitura në pikën 1, kur nuk përbën vepër penale ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Shkelja e mësipërme, sipas rastit, shoqërohet edhe me masa plotësuese administrative për rivendosjen e gjendjes fillestare në ngarkim të autorit të shkeljes dhe me shpenzimet e tij.

Neni 22

Ishte

11. Cilido që hap hyrje a degëzime të reja ose cilido që transformon a ndryshon mënyrën e përcaktuar të përdorimit të atyre ekzistuese pa autorizimin e entit pronar të rrugës, apo që mban në përdorim hyrje ekzistuese të paautorizuara, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë lekë deri dyzet mijë lekë. Shkelja e mësipërme sjell edhe masa plotësuese administrative për rivendosjen e gjendjes fillestare në ngarkim të autorit të shkeljes dhe me shpenzimet e tij. Masat plotësuese nuk zbatohen, në qoftë se veprat e realizuara mund të rregullohen nëpërmjet një autorizimi përkatës. Lëshimi i këtij autorizimi nuk heq gjobën administrative. 12. Cilido që shkel normat e tjera të këtij neni dhe aktet përkatëse në zbatim të tij, është subjekt i masës administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.

Bëhet

11. Cilido që hap hyrje a degëzime të reja ose cilido që transformon a ndryshon mënyrën e përcaktuar të përdorimit të atyre ekzistuese pa autorizimin e entit pronar të rrugës apo që mban në përdorim hyrje ekzistuese të paautorizuara, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëqind mijë deri në katërqind mijë lekë. Shkelja e mësipërme, sipas rastit, ndëshkohet edhe me masën plotësuese administrative për rivendosjen e gjendjes fillestare në ngarkim të autorit të shkeljes dhe me shpenzimet e tij. Masat plotësuese nuk zbatohen në qoftë se veprat e realizuara mund të rregullohen nëpërmjet një autorizimi përkatës. Lëshimi i këtij autorizimi nuk heq gjobën administrative. 12. Cilido që shkel normat e tjera të këtij neni dhe aktet përkatëse në zbatim të tij, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.

Neni 23

Ishte

11. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe kushtet e autorizimeve të parashikuara nga ky nen gjobitet me një shumë nga njëzet e pesë mijë deri njëqind mijë lekë dhe zbatohen masat plotësuese administrative që e detyrojnë autorin e shkeljes të heqë, me shpenzimet e tij, të gjitha veprat, tabelat, parullat dhe çdo tip impianti e formë reklame.

Bëhet

11. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe kushtet e autorizimeve të parashikuara nga ky nen, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me gjobë nga njëqind mijë deri në katërqind mijë lekë dhe zbatohen masat plotësuese administrative që e detyrojnë autorin e shkeljes të heqë, me shpenzimet e tij, të gjitha veprat, tabelat, parullat dhe çdo tip impianti e formë reklame.

Shtohet testi psikofizik

Neni 114

Ishte

1.Cilido që drejton mjete ose kafshë, duhet të plotësojë kërkesat fizike e psikike dhe të ketë mbushur moshën: a) katërmbëdhjetë vjeç për drejtimin e mjeteve të tërhequra me kafshë, ose të drejtojë kafshë tërheqëse, barre ose shale, si dhe tufa, kope ose grupime të tjera kafshësh; b) gjashtëmbëdhjetë vjeç për drejtimin e çiklomotorëve me cilindrat deri 50 ç;

Bëhet

1. Cilido, që drejton mjete rrugore ose kafshë, duhet të plotësojë kërkesat fizike e psikike dhe testin psikofizik, si dhe të ketë mbushur moshën: a) katërmbëdhjetë vjeç, për drejtimin e mjeteve të tërhequra me kafshë apo të drejtojë kafshë tërheqëse, barre ose shale, si dhe tufa, kope ose grupime të tjera kafshësh; b) gjashtëmbëdhjetë vjeç, për drejtimin e mjeteve me motor, të kategorisë AM; c) tetëmbëdhjetë vjeç, për drejtimin e mjeteve me motor, të kategorive A1, A2, B1 dhe B, sipas nenit 115, të këtij ligji.

Neni 119

Ishte 8. Prova e kontrollit të njohurive teorike jepet pas përfundimit të programit teorik, sipas kategorisë së lejes së drejtimit. Pas kalimit të provës së njohurive teorike me rezultat pozitiv, kandidati pajiset nga drejtoria rajonale e shërbimit të transportit rrugor me autorizimin për ushtrimin e drejtimit të mjetit.

Bëhet

8. Prova e kontrollit të njohurive teorike jepet pas përfundimit të programit teorik, sipas kategorisë së lejes së drejtimit. Brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e regjistrimit në autoshkollë, kandidati duhet të japë provat teorike për atë kategori të lejes së drejtimit për të cilën aplikon dhe, brenda këtij afati, ka të drejtë të paraqitet në prova deri në pesë herë. Pas kalimit të provës së njohurive teorike me rezultat pozitiv, kandidati pajiset nga drejtoria rajonale e shërbimit të transportit rrugor me autorizimin për ushtrimin e drejtimit të mjetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat