“Shefi i policisë donte të më puthte, iu largova dhe më puthi te krahu”

Shqipëria

“Shefi i policisë donte të më puthte, iu largova dhe më puthi te krahu”

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 10:05

“Shkova për të denoncuar dhunën që bashkëshorti ushtroi mbi mua në plazh, shefi i Policisë së Velipojës, Ernest Paluku, më kërkoi seks...
Gjatë gjithë kohës që ishim në zyrën e tij, ai më ka ngacmuar me fjalë, ndërkohë që mbante shënime në një letër, kur unë flisja. Në një moment, më kapi për krahu dhe tentoi që të më puthte. Unë u shmanga, por ai më puthi në krahë. Në një situatë të tillë, e vetmja gjë që duhet të bëja, ishte largimi nga zyra. Kur po tentoja të ikja, ai sërish këmbëngulte për të më puthur. Pas ikjes sime, ai më shqetësonte vazhdimisht në telefon dhe në faqen personale të ‘Facebook’”, – ka treguar Rudina M., në Policinë e Shkodrës, duke kërkuar marrjen e masave ndaj Palukut. Dje, Gjykata e Shkodrës, ka caktuar masën e arrestit burg pa afat, ndaj shefit të Stacionit Policor të Velipojës, pasi akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “ngacmim seksual”.

Aktakuza ndaj Palukut

Historia e ngacmimit seksual nga Paluku, ndaj shtetases Rudina M., ka nisur më 23 gusht 2014. Burimet zyrtare thonë se 32-vjeçarja ishte paraqitur në Komisariatin e Shkodrës, për të depozituar një kallëzim penal për bashkëshortin e saj. Ky i fundit e kishte ngacmuar dhe kërcënuar në plazhin e Velipojës. Çifti prej pak ditësh kishte ardhur nga Italia në Shqipëri. Ata po kalonin pushimet në plazhin e Velipojës, por gjatë kësaj kohe janë përfshirë në një debat të dhunshëm. Dyshohet se bashkëshorti e ka kërcënuar dhe në shenjë hakmarrje, ai i ka shkatërruar edhe automjetin personal, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar. Prej kërcënimeve serioze, Rudina është frikësuar nga bashkëshorti dhe ka kërkuar ndërhyrjen e policisë, në mënyrë që të shmangë përplasjen e radhës. Në Komisariatin e Shkodrës, ku ajo ishte drejtuar fillimisht, oficerët policorë i thonë se duhej të paraqitej në stacionin e Policisë së Velipojës, meqenëse ngjarja ka ndodhur atje. Për t’i ardhur në ndihmë 32-vjeçares, ata i kanë dhënë një shënim me emrin dhe numrin e telefonit celular të shefit të stacionit. Gruaja, pasi ka marrë orientimin, është paraqitur në stacionin e Policisë së Velipojës për të dhënë kallëzimin penal, duke kërkuar në mënyrë direkte Ernest Palukun. Rudina i ka treguar arsyen e vizitës së saj dhe fillimisht çdo gjë është dukur si një procedurë normale. Ai e ka pyetur për gjeneralitetet e saj dhe për problemin që kishte me bashkëshortin. Gruaja ka treguar me detaje gjithçka që ndodhi dhe shefi i stacionit policor, mbante shënime në një copë letër. Gjatë qëndrimit në zyrë, ai i ka dhënë numrin e tij personal, duke i thënë që ta kontaktonte në këtë numër. Më pas, ai i ka ofruar ndonjë natë në Velipojë, në një vend te hotel “A…”. Ngacmimi ka vazhduar dhe në bisedë e sipër, oficeri policisë, e ka ngacmuar me fjalë, duke i bërë komplimente. Në të njëjtën kohë ai e ka kapur nga krahu, duke tentuar që ta puthë. Rudina M., e ka refuzuar, duke u përpjekur që të largohet. Paluku ka mundur që ta puthë në krah. Në kushtet e mësipërme, 32-vjeçraja ka kërkuar të largohet, por sipas saj, ai ka vazhduar ta ngacmojë duke i kërkuar një puthje, përpara se të ikte. Pavarësisht këmbënguljes së pandalshme, nga ana e shefit të policisë, ajo ka mundur që të dalë nga zyra.

Denoncimi në Shkodër

Rudina nuk e ka lënë me aq ngjarjen, por në të njëjtën ditë, është nisur në drejtim të Shkodrës. Pas kësaj ngjarjeje, ajo kallëzon se oficeri e ka telefonuar disa herë në numrin e telefonit dhe i ka shkruar në “Facebook” duke i kërkuar Rudina M., që të takohen. Paluku i kërkonte gruas që të shkonin së bashku në hotel. Përndjekja ka qenë e padurueshme pasi oficeri i policisë e ka telefonuar disa herë, për të njëjtën arsye. Pas kallëzimit në Policinë e Shkodrës, rasti i ka kaluar Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Prokurorisë. Kjo e fundit ka bërë këqyrjen e telefonit celular të 32-vjeçares, si dhe i është bërë këqyrje e faqes sociale “Facebook”. Këto kanë qenë prova të pakontestueshme për grupin hetimor. Pavarësisht kësaj, Ernest Paluku është thirrur në prokurori për t’u pyetur paraprakisht, në lidhje me ngjarjen. Përveç pretendimeve të tij, ekspertët i kanë bërë këqyrje të telefonit dhe thirrjeve hyrëse e dalëse. Nga kjo procedurë rezultoi se ishin të gjitha thirrjet në numrin e telefonit të Rudinës. Gjithashtu është këqyrur edhe faqja sociale e “Facebook” e shefit të policisë, nga ku u provua se ishin dërguar të gjitha mesazhet në adresën e 32-vjeçares, që ajo kishte kallëzuar në polici. Burimet e prokurorisë thonë se nga biseda provohet fakti i ndodhur në zyrën e oficerit të policisë. Në kushtet si më sipër, është proceduar me arrestimin në flagrancë të oficerit të policisë, mbrëmjen e 25 gushtit 2014. “Ernest Paluku është vënë në pranga, pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën’. Punonjësi i policisë, duke shfrytëzuar detyrën e tij funksionale, ka kërkuar favore seksuale nga shtetësia R.M, e cila ishte paraqitur në Stacionin e Policisë së Velipojës, për të bërë një kallëzim për dhunë dhe keqtrajtim nga bashkëshorti i saj. Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se punonjësi i policisë Paluku, pas paraqitjes së shtetases R.M, për të bërë denoncim nuk e ka kryer detyrën funksionale sipas procedurave standarde, por duke shfrytëzuar postin i ka kërkuar asaj favore seksuale. Këto veprime i ka kryer jashtë dëshirës së shtetases R.M., së cilës i premtonte mbrojtje për shqetësimet që i sillte bashkëshorti i saj”, u shprehën burimet zyrtare të policisë.

Biseda në “Facebook”

Erneset Paluku
Oficeri i policisë e ka ngacmuar gruan 32-vjeçare në “Facebook”, duke këmbëngulur që emigrantja të shkonte në hotel, të cilin ai e kishte përcaktuar kohë më parë. “Kur do të dalësh këtej o yll bote, të marrim masa në hotel me pesë yje për darka e jetë nate”, i ka shkruar Paluku

Rudina M.

Ndërkohë, gruaja, pas ndodhisë në Postën e Policisë së Velipojës. Rudina M., ndër të tjera i është përgjigjur policit se: “Më duket se e ke marrë mbrapsht ardhjen time aty, se unë kisha problem serioz, nuk erdha te zyra me më puth, por me më zgjidh problemin”

Masa

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për shefin e Policisë së Velipojës, Ernest Paluku

Akuza

Paluku nuk e ka kryer detyrën sipas procedurave standarde, por duke shfrytëzuar postin i ka kërkuar denoncueses favore seksuale,

Avokati

Mbrojtja ka kërkuar gjykim në gjendje të lirë, pasi i pandehuri nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, ndërsa mësohet se vetë Paluku i ka mohuar akuzat

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat