Operacioni në Shkodër, Tahiri: Luftë deri në rrënjën e fundit, "grupi i zjarrit" të dorëzohet

Shqipëria

Operacioni në Shkodër, Tahiri: Luftë deri në rrënjën e fundit, "grupi i zjarrit" të dorëzohet

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 19:55

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka vlerësuar si të shkëlqyer punën e Policisë së Shtetit në aksionin e fundit në Shkodër, duke theksuar se lufta ndaj kanabisit do të vijojë deri në rrënjën e fundit.

Tahiri ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e policisë në zonë, me drejtuesit e policisë së Qarkut dhe me banorë të zonës, në kuadër të aksionit antikanabis të nisur në Malësinë e Dukagjinit në Shkodër.

Në fjalën e tij, Tahiri rikonfirmoi vendosmërinë e këtyre strukturave për të hequr Shqipërinë nga lista e kopshteve të kanabisit në Ballkan.

"Ne jemi shumë të vendosur që këtë operacion ta mbyllim me sukses ashtu siç jemi shumë të vendosur që luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike ta çojmë deri në fund. Kemi trashëguar një Shqipëri të mbjellë çdo pëllëmbë me drogë dhe jemi mjaft të vendosur ta pastrojmë një herë e mirë Shqipërinë nga zaptimi i çdo hapësire të gjelbër dhe të mbjellë me lëndë narkotike. Po i japim fund një herë e mirë praktikës së deri tanishme që e njihte botërisht Shqipërinë si vendi i lulëzimit të lëndëve narkotike. Gjithçka do bëhet sipas ligjit. Aksioni do vijojë deri në rrënjën e fundit." theksoi Ministri Tahiri.

Lidhur me të shtënat me armë ndaj policisë nga ana e kultivuesve, Ministri u shpreh se personat janë identifikuar dhe se askush nuk do të mund t’i shmanget përgjegjësisë ligjore. Në këtë kuadër Tahiri nënvizoi se vetë dikasteri që ai drejton po bashkëpunon në mënyrë intesnive me Prokurorinë, dhe se do të ketë ndjekje penale ndaj aktivitetit kriminal.

Prononcimi i ministrit Saimir Tahiri për mediet

Ministri Tahiri: Operacioni i Policisë, i nisur prej disa ditësh po afrohet drejt fundit. Pas operacionit në Lazarat, nga përmasat dhe përfshirja e forcave të Policisë, dhe nga rezultatet e aktivitetit kriminal në kultivimin e lëndëve narkotike, është operacioni i dytë më i madh. Policia ka kryer një punë të shkëlqyer, mbetet për të parë si do të vijojë punë edhe me ata njerëz të cilët janë identifikuar si të përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të bimëve narkotike.

Unë ju bëj thirrje të dorëzohen, as të mos e çojnë ndër mend se mund të përballen me Policinë e Shtetit dhe as të mos e çojnë ndërmend se mund t’i bëjnë bisht përgjegjësisë penale, që lidhen me aktivitetin kriminal që kanë kryer deri tani, por edhe me kundërshtimin me armë të forcave të Policisë.

Në jemi shumë të vendosur që këtë operacion ta mbyllim me sukses, ashtu siç jemi shumë të vendosur që luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve ta çojmë deri në fund. Kemi trashëguar një Shqipëri të mbjellë në çdo pëllëmbë me drogë dhe jemi të vendosur ta pastrojmë njëherë e mirë Shqipërinë, nga zaptimi i çdo hapësire të gjelbër të mbjellë me lëndë narkotike. Po i japim fund praktikës së deritanishme që e njihte Shqipërinë si vendi i lulëzimit të lëndëve narkotike.

Pyetje: Ka persona të identifikuar që kanë mbjellë lëndë narkotike?

Ministri Tahiri: Policia e Shtetit ka bërë me dije një listë me persona që dyshohen si të implikuar, bashkë me Prokurorinë jemi në fazë hetimesh intensive. Dimë shumë më shumë ne, për aktivitetin e atyre që deri tani kanë mbjellë lëndë narkotike, sesa ja u merr mendja vetë atyre që mund t’i bëjnë bisht përgjegjësisë penale, që do të mbajnë para ligjit.

Pyetje: A do të ketë procedime penale ndaj drejtuesve vendorë që nuk kanë kryer detyrën për t’i denoncuar këto parcela?

Ministri Tahiri: Gjithçka sipas ligjit, askush nuk do t’i shmanget përgjegjësisë ligjore.

Pyetje: Sa ditë do të zgjasë ky operacion?

Ministri Tahiri: Deri në rrënjën e fundit.

Pyetje: Ju po flisni për aksion në zonën e Shkodrës, por ditën e parë të aksionit në qytet, ka pasur një sulm me maska brenda një argjendarie dhe u vërejt se ka reduktim të forcave të policisë në qytet. Brenda qytetit dhe në zonë të tjera shihen makina me xhama të zinj, për të cilën ju jeni zotuar se nuk do të ketë më.

Ministri Tahiri: Përsa i takon pjesës së parë të pyetjes, sigurisht ka aktivitet kriminal përsa kohë ka njerëz që mendojnë se mund të sfidojnë ligjin, por mund t’ju siguroj se Policia e Shtetit është në krye të detyrës dhe askush nga këta nuk mund t’ja hedhi dot për përgjegjësinë penale që ka dhe që do të mbajë. Është e vërtetë që operacioni kundër kultivimit të bimëve narkotike ka angazhuar një numër të madh forcash policore, por kjo nuk do të thotë që ata që kanë përgjegjësi për vepra penale do t’i bëjnë bisht drejtësisë.

Pyetje: Jeni zotuar se do të hiqni gjithë xhamat e zinj.

Ministri Tahiri: E para zotimet e mia citoji tamam; e dyta, është shumë më komplekse çështja e makinave që në mënyrë të paligjshme përdorin xhamat e zinj. Kemi një plan për këtë, në momentin që do të fillojë do t’ju bëjmë me dije.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat