PS: KKT bëri mirë

Shqipëria

PS: KKT bëri mirë

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 16:47

Për të gjashtën ditë radhazi Partia Socialiste vazhdoi denoncimin e lejes së dhënë me 1 gusht nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për ndërtimin e 5 kullave 17 –katëshe pranë digës së Liqenit Artificial. Deputetja Esmeralda Shkjaku tha se kjo leje është abuzive dhe se dhjetra leje të tjera në kundërshtim të plotë me interesin publik presin të marrin firmën e kryebashkiakut Basha.

Në vend të parkut sportiv kryebashkiaku i Tiranës ka dhënë lejen për të ndërtuar një mur gjigand betoni, me pesë kulla njëzetkatëshe vrojtimi, që ndan qytetin e qytetarët nga parku i mbetur i liqenit.

Po nuk është vetëm kaq dhe nuk mbaron vetëm tek kjo leje abuzive, shpërdorimi i detyrës dhe i besimit të qytetarëve nga kryebashkiaku Lulëzim Basha. Dhjetëra leje të tjera të dhëna në kundërshtim të plotë me interesin publik e qytetar, kanë marrë apo presin të marrin firmën e Lulëzim Bashës.
Por lejeve të tilla, sipas saj, do t’u vihet fre me vendimin e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili i pezullon ato deri pas zgjedhjeve të vitit 2015.

Vendimi i djeshëm i qeverisë do ta ndalojë jo Lulëzim Bashën, po fenomenin Lul në mbarë Shqipërinë, që të vazhdoje të shkatërrojë e shëmtojë qytetet, bregdetin, pejsazhin anës rrugëve, tokën bujqësore, ullishtat, me leje abuzive që pjellin masivisht shëmtira prej betoni.
Fenomeni Lul nuk fillon e as mbaron në kufijtë e autoritetit vendor. Por së paku, vendimi i djeshëm i qeverisë shqiptare ka vënë një cak të qartë për këtë fenomen duke ndaluar shkatërrimin e mëtejshëm të territorit nga duart e këtij soji kryebashkiaku që tjetër thotë e tjetër bën.
Socialistët e kanë akuzuar Kryetarin e Bashkisë edhe për marrje rryshfeti, ndërsa janë shprehur se me lejet e dhëna për ndërtimin e kullave 17 katëshe, atij i dolën gënjeshtrat qe kishte thënë gjatë garës elektorale të vitit 2011.
Në reagimin e saj Bashkia e Tiranës, tha se Rama, betonizoi mbi 65 mijë metra katrorë lulishte në zemër të Tiranës vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak, ndërsa e akuzoi se si kryeminisër po bllokon zgjerimin e bulevardit, tramin dhe stacionin multimodal të pasagjerëve. Sipas bashkisë Rama dje rrënoi Tiranën sot po rrënon Shqipërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat