Edi Rama: Pezullohen lejet e ndërtimit në të gjithë vendin

Shqipëria

Edi Rama: Pezullohen lejet e ndërtimit në të gjithë vendin

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 08:17

Qeveria pezullon dhënien e lejeve të ndërtimit deri në përfundim të zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT). Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e këtij vendimi pas sakatimit, siç e cilësoi ai, të territorit nga vendimet e marra nga pushtetarët vendorë për qëllime nga më të errëtat. Ai shtoi se do të ketë masa të rrepta për çdo shkelës të ligjit, duke shtuar se nuk do të lejohen abuzime për leje zhvillimore të caktuara që nga fabrika fasonësh të kthehen në pallate 17-katesh. KKT-ja miratoi dhe vendimin për harmonizimin e instrumenteve të planifikimit vendor si pasojë e ndarjes së re administrativo-territoriale.

Pezullimi

Kryeministri Rama argumentoi dje vendimin e KKT-së si domosdoshmëri pas abuzimeve të mëdha të pushtetarëve vendorë. Sipas tij fillimisht do të fillojnë procedurat për rishikimin e instrumenteve të planifikimit vendor, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, me qëllim harmonizimin e tyre në funksion të ndarjes së re administrativo-territoriale, por edhe përtej ndarjes administrativo- territoriale në funksion të krijimit të një kulture vetëpërmbajtjeje ligjore dhe nënshtrimi përpara gjithë çfarë ligjet kanë paraparë në funksionimin e autoriteteve, për të autorizuar leje ndërtimi. “Kjo sjell domosdoshmërinë për të pezulluar me autoritetin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe në funksion të interesit tonë kombëtar dhe publik, por dhe të gjithë atyre interesave private që janë sakatuar dhe sakatohen çdo ditë për qëllime nga më të errëtat, të zbatimit të të gjitha planeve vendore, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, pas zgjedhjeve të vitit 2015”, - theksoi Rama. Kreu i qeverisë sqaroi se ky vendim do të merrej dhe pa një ndarje të re territoriale kjo për shkak të abuzimeve me lejet, 2-3 muaj para apo gjatë fushatës zgjedhore. Në këtë mënyrë pezullohet dhënia e lejeve të reja zhvillimore por pezullohen dhe planet e detajuara vendore nga të gjitha autoritetet e qeverisjes vendore deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, në zgjedhjet e vitit 2015.

Përjashtimi

Kryeministri Rama tha se për të mos frenuar progresin e vendit gjatë kësaj kohe, pushteti vendor mund të japë leje vetëm në rastet që i hapin rrugë zhvillimit të turizmit, bujqësisë dhe industrisë së prodhimit. “Praktikisht, punimet e infrastrukturës, strukturat publike, sigurisht ndërhyrjet me karakter emergjent dhe lejet zhvillimore me interes publik, shtetëror dhe kombëtar apo në funksion të veprimtarisë ekonomike prodhuese do të vazhdojnë të jepen normalisht”, - deklaroi ai por shtoi se dhe në këto raste, për të ndaluar çdo spekulim miratimi, në parim duhet të jepet miratimi nga KKT-ja. “Për të ndaluar çdo spekulim dhe për të ndaluar që të vazhdojë historia duke thënë katin e parë do ta bëjmë fason dhe pastaj kemi 17 kate apartamente dhe pastaj gjatë realizimit fasoni kthehet në dyqan dhe parkimi kthehet në nën dyqan, miratimin në parim do ta japë Këshilli Kombëtar i Territorit siç kemi vepruar me një sërë lejesh gjatë gjithë kësaj periudhe për zhvillime të kësaj natyre”, - u shpreh Kryeministri. Gjithashtu pezullimi i zhvillimit nuk zbatohet për zhvillime të autorizuara me leje zhvillimore, të dhëna në përputhje me instrumentet e planifikimit, që kanë hyrë në fuqi përpara këtij vendimi dhe për punime të mirëmbajtjes. “Më tutje çdo leje zhvillimi dhe plan i detajuar vendor, i miratuar pas datës së miratimit të këtij vendimi do të konsiderohet “nul”, i pavlefshëm dhe subjekt për ndjekje të procedurave me natyrë penale”, - theksoi kryeministri. Ai ngarkoi Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit që të detajojnë gjithë procedurat për hyrjen në fuqi të vendimit.

Pallatet te Liqeni, përplasja PS-Bashki

Partia Socialiste dhe Bashkia e Tiranës janë përplasur sërish dje për ndërtimin e një kompleksi pallatesh në Parkun e Liqenit Artificial ku ishte premtuar të ndërtohej një park sportiv. Sekretari ekonomik i Partisë Socialiste, Ervin Bushati theksoi se Lulzim Basha ka shkelur premtimin e dhënë në fushatë sipas të cilit nuk do të lejonte të ndërtoheshin më shumë pallate në parkun e Tiranës. Gënjeshtra sipas Bushatit, ishin dhe premtimet për më shumë pemë dhe për qeverisjen e Tiranës dhe jo marrjen me politikë. “Ka harruar që në gjithë këto vite është marrë vetëm me lulëzimin e degëve të PD-së dhe jo me lulëzimin e qytetit të Tiranës. Le të mbajë llafin sot Lulzim Basha, si burrë, e të bëjë aktin e fundit të qytetarisë, të dorëhiqet nga kjo detyrë dhe t'i hapw rrugën qytetarëve të Tiranës që të kenë një njeri që i përkushtohet punës”, - theksoi ai. Por në një reagim nga Bashkia e Tiranës thuhet se është Edi Rama, njeriu që projektoi ndërtime 40-katëshe tek pishinat. Sipas bashkisë, projekti aktual nuk prek asnjë centimetër të parkut të Liqenit por ruan kompleksin e pishinave dhe kompleksin sportiv si dhe kthen 20 mijë metra katrorë nga pronë private në hapësira publike, në përputhje me rregullat e planit urban të Tiranës.

Konkurs ndërkombëtar për 5 projekte zhvillimi

Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi dje të hapë procedurat për konkursin ndërkombëtar për 5 projekte të cilësuar si strategjike në kuadrin e planeve të integruara ndërsektoriale për brezin bregdetar dhe për zonën ekonomike Tiranë- Durrës. “Së pari, hapësira Tiranë- Durrës, si urë e metropolit të ri të Shqipërisë. Së dyti, kurora e Tiranës si frymëmarrja e metropolit shqiptar. Së treti, rigjenerimi i vijës bregdetare nga Uji i Ftohtë në Palasë, pra përfshirë vijën bregdetare të Orikumit dhe të gjithë vijën malore të Llogarasë deri poshtë në Palasë. Së katërti, Himara dhe gjithë yjësia e vendbanimeve përreth si një model i ri rikualifikimi urban. Së pesti, hapësira Sarandë-Ksamil si një rrugë e re zhvillimi turistik. Për të pestë këto projekte, që do të jenë modele të reja zhvillimi që do të fillojnë të investohen drejtpërdrejt në territor, duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm, ne do të hapim konkurset ndërkombëtare”, - sqaroi dje kryeministri Edi Rama. Mbi bazën e konkurseve ndërkombëtare, një proces që sipas Ramës rezultoi i suksesshëm për vijën bregdetare të Vlorës, do të ecet më tutje. Kryeministri shprehu bindjen se mbi bazën e këtyre modeleve në fund të mandatit 4-vjeçar shqiptarët por dhe vizitorët do të shikojnë Shqipërinë që të gjithë duam. Kryeministri e cilësoi si shumë të rëndësishme veçanërisht mbrojtjen e gjithë kurorës së Tiranës. “Mjafton të shikojmë Kodrat e Liqenit apo të shikojmë të gjithë brezin e poshtëm të Malit të Dajtit për të kuptuar se për çfarë flasim, situata urbane të ngjashme me situatat pa shtet në vendet afrikane”, - theksoi ai. Kryeministri ritheksoi se do të merren masa ndaj çdo abuzuesi. “Ne do të ndjekim këmba-këmbës çdo abuzues me territorin, qoftë ky një abuzues individ apo subjekt, që pa leje ndërtimi, operon duke bërë kontributin e tij masakër, qoftë ky abuzues që ka në dorë të japi leje ndërtimi dhe nuk respekton asnjë ligj dhe asnjë normë etike në raport me këtë pasuri të përbashkët. E nuk ka dyshim që kushdo që mendon se duke vënë më tutje tulla pa leje, do të mund t’i shpëtojë ndëshkimit të drejtpërdrejt dhe shembjes së veprës së tij të shëmtuar penale, do të përballet tanimë jo vetëm me fadromat e inspektoratit, por edhe me përgjegjësinë e tij penale”, - përfundoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat