Operacion i gjerë anti-drogë në veri të Shqipërisë

Shqipëria

Operacion i gjerë anti-drogë në veri të Shqipërisë

Më: 21 gusht 2014 Në ora: 21:38

Në Shqipëri, policia nisi sot një operacion në shkallë të gjërë për asgjesimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike në komunat malore te zonës së Dukagjinit, në Shllak, Shosh, Pult dhe Temal.

Në këtë operacion, që cilësohet si më i rëndësishmi pas atij të disa javëve më parë në Lazarat, janë përfshirë rreth 150 forca policore, të qarkut të Shkodrës, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, forcave speciale RENEA dhe atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Shërbimet policore kanë arritur të zbulojnë dhe asgjësojnë me djegje mbi 30 mijë rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, ndërkohë që operacioni pritet të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim.

Ndryshe nga Lazarati, ku kultivimi i bimëve narkotike ishte masiv dhe i përqendruar brenda një territori të vogël, në zonën malore të Dukagjinit kultivimi i kësaj bime është i shtrirë në një territor të gjërë, në parcela të vogla e të veçuara, larg zonave të banuara, gjë që e ka bërë të vështirë asgjësimin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat