Gjermania, partner i së ardhmes evropiane

Shqipëria

Gjermania, partner i së ardhmes evropiane

Më: 20 gusht 2014 Në ora: 21:38

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot në takim nënkryetarin e Bundestagut gjerman Johannes Singhammer, në kuadër të 30-vjetorit të vizitës në Tiranë të ish-Kryetarit të Bavarisë Franz Jozef Strauss.

Gjatë një konference për shtyp, Meta vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Gjermani, të cilat sipas tij kanë marrë një dimension të ri në kuadër të së ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Meta: Gjermania, partner i së ardhmes evropiane

Reforma në drejtësi do të jetë një nga fushat kryesore të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Meta deklaroi se Gjermania do të jetë partneri strategjik në përpjekjet e vendit për forcimin e ligjit dhe zbatimin e reformës në drejtësi:

“Të nderuar miq Shqipëria e vlerëson Gjermaninë si një partner të rëndësishëm strategjik për zhvillimin e vendit dhe të ardhmen evropiane. Ne çmojmë mbështetjen gjermane në përpjekjet tona për forcimin e ligjit dhe bashkëpunimi do jetë mjaft i ngushtë për reformën në drejtësi. Gjermania vazhdon të jetë një model nxitje dhe frymëzimi për ne, për të realizuar një Shqipëri me standarde evropiane”, u shpreh Meta.

Më tej kreu i Kuvendit theksoi se tre dekada janë të mjaftueshme për të analizuar çfarë është bërë dhe çfarë duhet të bëhet ndryshe për të nesërmen.

“Tre dekada janë një stacion për të treguar çfarë duhet të bëjmë ndryshe për të nesërmen tonë. Jam i sigurt se zoti Strauss, nëse do ishte këtu, do ishte krenar që bënte pjesë në ato mendje të ndritura që e shihte Evropën njëlloj si Berlinin, pa mure. Do të jetë krenar për kontributin që dha si një nga arkitektët e urave të miqësisë mes vendeve të Evropës”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Singhammer: Shqipëria, spirancë stabiliteti për rajonin

Nënkryetari i Bundestagut gjerman u shpreh i kënaqur për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria, dhe e konsideroi këtë hap, një kthesë rrënjësore për Shqipërinë drejt BE-së.

“Është një kënaqësi që morët statusin, një kthesë rrënjësore në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”, u shpreh nënkryetari i Bundestagut.

Johannes Singhammer theksoi faktin se Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon. Ai përmendi edhe vlerën e tolerancës fetare në vendin tonë duke theksuar se Shqipëria duhet të jetë krenare për bashkëjetesën fetare.

"Një kënaqësi e veçantë është që konstatohet se Shqipëria është spirancë stabiliteti për rajonin. Më lejoni t’iu kthej komplimentin pasi Shqipëria ka komplimentin për bashkëjetesën fetare, ndaj ky vend duhet të jetë krenar. Shanset e tanishme për integrimin e Shqipërisë në Evropë nuk kanë qenë kurrë më parë të mundura se tani, ndaj duhet të vazhdohet me punën”, tha Singhammer.

Max Strauss: Për një miqësi të gjatë edhe për shumë vite

I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe i biri i Strauss-it, së bashku me të bijën. Gjatë fjalës së tij, Max Strauss u ndal tek udhëtimi i babait të tij në Shqipëri dhe përshtypjet e vizitës. Strauss, deklaroi se kur babai i tij pa nga afër vuajtjet e shqiptareve, ai vendosi të jepte kontributin e tij duke ofruar ndihmë.

“Në kohën e Strauss, Shqipëria ishte zona më e errët e Evropës. Ne donim të shkonim në drejtim të Greqisë. Im atë në atë kohë mbante një kostum të çelët dhe jo të errët për rastin në fjalë. Dhe momenti i tërheqjes që patëm për Shqipërinë ishte kur shkuam në Hanin e Hotit. Në atë kohë pati disa analiza sa i takon arsyes së vizitës së Strauss në Shqipëri. Ne patëm mundësinë të shihnim nga afër vuajtjet e Shqipërisë.

Reagimi i menjëhershëm i babait tim ishte që duhet të ndihmonim këtë vend. Unë jam njohur dhe me kryeministrin e vendit Edi Rama. Duhet të komplimentoj zotin Rama për dizenjimin e zyrës së tij, e cila mund të konsiderohej më e veçanta për nga stili në gjithë Evropën. Po e mbyll me një shprehje, të cilën do e përdorte dhe im atë: Për një miqësi më të gjatë, edhe për shumë vite”, tha Max Strauss.

Rama: T'i bëjmë gjermanët të bien në sevda me Shqipërinë

Në kuadër të nxitjes së investimeve gjermane në Shqipëri, kryeministri Edi Rama deklaroi se duhet t'i bëjmë gjermanët të bien në 'sevda' me Shqipërinë, ashtu siç vetë Strauss-i ra në 'sevda' 30 vite më parë.

“Ky kremtim bëhet për të shprehur dëshirën tonë të madhe për të forcuar marrëdhëniet me Gjermaninë dhe me Landin e Bavarisë. Max-i më ka treguar se i ati ka rënë në sevda me Shqipërinë në atë kohë, dhe tani Shqipëria është një vend që bavarezët dhe gjermanët mund të bien në sevda. Ky është qëllimi ynë, që sa më shumë gjermanë të bien në sevda me Shqipërinë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi vizitën e sotme të delegacionit gjerman në Tiranë, si një moment të veçantë për të cilin 30 vite më parë, nuk do ta imagjinonte askush se do të ndodhte.

“Një moment i veçantë dhe pak fjalë dëshiroj të them në ketë moment, 30 vjet më parë Hoffmann nuk do e imagjinonte kurrë se do të ishte Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Nga të gjithë ne që jemi në këtë sallë, Max-i është i vetmi person që do e imagjinoja këtu. Në vitin 1984, nuk mund ta imagjinonim se sot në 2014 do të ishim në këtë sallë, në këtë pozicion që jemi, që nga unë, kryetari i kuvendit dhe gjithë personat ne sallë”.

Përsa i përket vizitës historike të Strauss-it në Shqipëri përpara 30 viteve, kreu i qeverisë e cilësoi një legjendë të madhe për vendin tonë:

“Legjendë e madhe urbane sepse ishte një nga liderët evropianë që Enver Hoxha e kishte sulmuar vazhdimisht në mënyrë të përsëritur”, u shpreh Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat