Reforma në drejtësi, prioritet i sesionit të ri parlamentar

Shqipëria

Reforma në drejtësi, prioritet i sesionit të ri parlamentar

Më: 20 gusht 2014 Në ora: 10:01

Reforma në sistemin e drejtësisë do të jetë kryefjala e axhendës parlamentare. Nismat ligjore të mbërritura tashmë në Kuvend në kuadër të kësaj reforme por dhe nisma të tjera ligjore që do të miratohen në shtator nga Këshilli i Ministrave synojnë të venë në jetë një nga reformat më të kërkuara nga faktori ndërkombëtar por dhe nga çështjet më të kritikuara, drejtësinë. Kjo është theksuar fort dje dhe nga Kryeministri, Edi Rama. “Sesioni i ri është sesioni i reformës rrënjësore të drejtësisë dhe thellimit të reformave antikorrupsion në çdo fushë e pa dallime. Reforma nuk do të ndalet”, - shkruan Rama në rrjetin social “Facebook”.

Në kuadër të kësaj reforme Kuvendi ka tashmë në axhendë projektligjin për Kodin e Procedurave Administrative por ndërkohë pritet që të mbërrijnë dhe ndryshime ligjore në ligjin për Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, ligji për Presidentin etj. Por ndërsa kjo reformë është prioritet, axhenda qeverisëse dhe ajo parlamentare nuk do të lerë jashtë vëmendjes dhe nismat ligjore në kuadër të luftës antikorrupsion por dhe reformën në arsim apo reformën e pensioneve e nisur tashmë me miratimin e ligjit bazë. Zgjedhjet e 2015-ës pritet që të sjellin si prioritet për këtë sesion të ri parlamentar dhe reformën zgjedhore në kuadër të sugjerimeve të bëra nga raporti i OSBE/ ODIHR pas zgjedhjeve të fundit por dhe në përshtatje me reformën territoriale të miratuar tashmë. Ligji për decentralizimin e pushteteve pritet të pasojë reformën territoriale, premtim i dhënë nga ligjvënësit e mazhorancës.

Axhenda parlamentare

Mazhoranca qeverisëse në përputhje me prioritetet e saj qeverisëse ka shpallur tashmë këtë sesion të ri si sesionin e reformës në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë që sipari i kësaj reforme është hapur tashmë me një sërë ndryshimesh ligjore që edhe pse nuk ishin pjesë e paketës së kësaj reforme, janë në një linjë me të, për të kthyer besimin e qytetareve tek sistemi i drejtësisë. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar tashmë ndryshimet në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Administrative, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Ndërkohë që ka mbërritur në zyrat e legjislativit dhe projektligji “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.

Ndryshimet ligjore në ligjin e Gjykatës së Lartë, për të racionalizuar kompetencat dhe zvogëluar ngarkesën e punës së kësaj gjykate por dhe përmirësimi i kritereve për emërimin, përzgjedhjen apo dhe statusin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë pritet të shkojë së shpejti në Këshillin e Ministrave, për të mbërritur më tej dhe në Kuvend. Ndryshime ligjore parashikohen dhe në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, prokurorinë apo administratën gjyqësore. Një projektligj për vlerësimin e gjyqtarëve apo për caktimin e statusit të Presidentit është parashikuar të shkojnë brenda 4 muajve në Qeveri, për t’u bërë më tej pjesë e diskutimeve parlamentare të këtij sesioni që nis më 1 shtator. Por jashtë fokusit të këtij sesioni parlamentar nuk do të mbeten ndryshimet ligjore në disa ligje si për minatorët, ushtarakët, kategoritë e veçanta etj., kjo në bazë të ligjit bazë të miratuar tashmë për reformën e pensioneve. Miratimi i reformës territoriale do të pasohet me ndryshime në ligjin për decentralizimin e pushteteve i cili duhet ti paraprijë zgjedhjeve të ardhshme. Ndërkohë që zgjedhjet e 2015-ës shtojnë tek prioritetet parlamentare dhe reformën zgjedhore. Vjedhja e Bankës së Shqipërisë pritet të pasohet me ndryshime ligjore në ligjin e BSH-së të paralajmëruara tashmë nga socialisti Erion Braçe.

Draftet ligjore për reformën në drejtësi

Ligjet e miratuara

“Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”,të ndryshuar. “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905,date 21.3.1995,“Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”. “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar. “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës”, të ndryshuar”.

Për diskutim në Kuvend

Projektligji “Kodi i procedurave administrative i Republikës së Shqipërisë”

Projektligjet e parashikuara nga Ministria e Drejtësisë për t’u paraqitur në qeveri në këtë katërmujor

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Projektligji “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”. P r o j e k t l i g j i “ P ë r Presidentin”. Projektligji “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 8737, datë 12.02.2001 “për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 109/2012, datë 01.04.2012 “Për administratën gjyqësore”.

Reforma në drejtësi, PD kushtëzon bashkëpunimin

Partia Demokratike kushtëzon pjesëmarrjen e saj në reformën në drejtësi me 3 kushte, të cilat duhet të pranohen nga mazhoranca. “Reforma në drejtësi duhet të bëhet nën udhëheqjen e Komisionit të Venecias dhe ekspertizës ndërkombëtare. Të jetë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse”, shprehet ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Deklarata e tij vjen pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, kryefjalë e të cilit pritet të jetë reforma në sistemin e drejtësisë.

Brenda pak javësh Partia Demokratike pritet të bëjë publike një dokument të hollësishëm strategjik mbi reformën në drejtësi. Sipas demokratëve, ky dokument synon që të garantojë sistemin e drejtësisë të pavarur nga politika, sikundër ministrit të Drejtësisë t’i hiqet e drejta e kërkesës për të shkarkuar gjyqtarët. Në këtë kuadër, Halimi sqaron se këtë të drejtë duhet ta ketë Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i Gjykatës dhe Dhoma e Avokatisë. Gjithashtu demokratët kërkojnë që pjesa më e madhe gjyqtarëve të rekrutohen në sistem nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës, duke i prerë në këtë mënyrë rrugën emërimeve të individëve politikë. Demokratët synojnë dhe shndërrimin e Gjykatës së Lartë në gjykatë karriere.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat