Dorëhiqet Ministri Ilirian Celibashi

Shqipëria

Dorëhiqet Ministri Ilirian Celibashi

Më: 1 gusht 2014 Në ora: 15:06

Mendohej të ishte një konferencë shtypi ku Kryeministri Edi Rama do t’i bënte një rezyme votimit të reformës territoriale, por surpriza nisi me hyrjen e shefit të qeverisë në sallën e konferencave i shoqëruar nga Ministri i Marrëdhënieve me Parlamentin, Ilirian Celibashi dhe deputetja Ermonela Felaj.

Pas 300 ditë qeverisje Rama njoftoi atë që ai e quajti ndërprerje të marrëdhënieve me qeverinë të Ministrit Celibashi.

“Uroj që vendimi i tij për motive tërësisht personale të jetë vendimi i duhur dhe që koha në dispozicion pas lënies së detyrës të jetë më e plotë për të plotësuar angazhimet e tij familjare dhe personale. Dua ta falenderoj me gjithë zemër, për përkushtimin, për integritetin e lartë moral dhe profesional me të cilën ka përballuar një detyrë të re, por jo të lehtë”, tha Rama.

Vetë Celibashi nuk dha detaje për këtë vendim, por e quajti largimin nga detyra si të motivuar profesionalisht.

“Arsyet e kësaj dorëheqje janë tërësisht profesionale, shkaqet, motivet dhe interesi i këtij akti. Shpresoj që me ketë akt të mos dëmtoj askënd, asnjë interes publik pasi si një qytetar i përgjegjshëm, edhe pse për dikë mund të duket si një koncept i konsumuar dhe i përdorur, nuk mund t’ia lejoja vetes që këtë vendim ta kisha marrë në një moment tjetër. Gjykoj që ky ishte momenti më i përshtatshëm. Mund ta them pa asnjë lloj ngurrimi që kjo vendimarrje e imja nuk ka vënë aspak në dyshim besimin dhe bindjen time të kahershme tek Edi Rama si Kryeministër dhe tek ky kabinet qeveritar”, tha Celibashi.

“Falenderoj Kryeministrin Rama dhe i shpreh të gjithë angazhimin tim profesional, moral por edhe politik për të qenë në lartësinë e detyrës dhe të një funksioni që ushtrohet rishtaz në Shqipëri”, deklaroi Ministrja më e re e kabinetit Rama.

Përballë ndryshimit të parë të kabinetit Rama mediat e pyeten Kryeministrin nëse në javët apo muajt në vijim do të ketë një riformatim apo rifreskim të kabinetit qeveritar, kjo një praktikë e njohur në qeveritë europiane.

“Në fakt në vendet serioze riformatimi nuk ndodh shpesh dhe në rastin konkret nuk ka patur asnjë sekond në këto 300 e pak ditë që unë të kem menduar për riformatimin, përkundrazi unë mund t’u them me sinqeritet të plotë dhe që më vjen keq për një gjë që nuk kam patur asnjëherë kohën e mjaftueshme për t’u shprehur të gjithë ministrave dhe ministreve të qeverisë mirënjohjen time për përkushtimin e tyre të plotë. Falë kontributit të gjithësecilit janë arritur një më një të gjithë objektivat e qeverisë për 300-ditëshin e parë”, u përgjigj Rama.

Ky deklarim i Ramës për momentin shuan të gjitha aludimet e kohëve të fundit në qarqet politike apo mediatike për ndryshimin e të paktën 3 ministrave aktualë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat