Luan Rama: Njehsimi i shqipes cenon sigurinë kombëtare

Shqipëria

Luan Rama: Njehsimi i shqipes cenon sigurinë kombëtare

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 15:00

Deputeti i LSI-së Luan Rama gjatë fjalës së tij në seancën e fundit parlamentare, e ka konsideruar njehsimin e gjuhës shqipe si një ide antikombëtare që cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Sipas tij, njehsimi i gjuhës shqipe dhe krijimi i një gjuhe tjetër shqipe, vë në dyshim dhe dyzon vetë shqiptarët.

Duke u bazuar në këtë këndvështrim, Rama e ka vlerësuar mjaft të rëndësishëm miratimin e projektligjit për sigurinë kombëtare, pasi ky dokument garanton interesat kombëtare të Shqipërisë.

Sipas Ramës, sot në botë siguria kombëtare merr një rëndësi të veçantë, pasi ajo nuk shihet e lidhur vetëm me sigurinë e brendshme apo të jashtme, por konsiderohet një proces i lidhur me qytetarët.

“Ne nuk duhet të harrojmë se në kushtet e presionit të brendshëm për të ruajtur identitetin kombëtar dhe atij të jashtëm, shqiptarët konservuan një shtresë të mesme instrumentesh qëndrese, vetadministrimin dhe gjuhën. Veç të tjerash, orientimi te vlera kombëtare e gjuhës bëhet më i qenësishëm kur shohim se prej kohësh është hapur debati antikombëtar, për domosdoshmërinë ose jo të gjuhës së njehsuar kombëtare. Ka nga ata që kanë hedhur idenë të krijojnë një gjuhë tjetër shqipe. Dikush mund të pyesë se ç’lidhje ka gjuha me sigurinë kombëtare. Të dyshosh apo të dyzosh një gjuhë do të thotë as më pak as më shumë, të dyzosh dhe të dyshosh mbartësit e saj, njerëzit, popullin, kombin. Prandaj është i rëndësishëm miratimi i këtij dokumenti, pasi ai detyron, gjë që nuk ka ndodhur deri tani në të gjitha institucionet e tjera, të marrin dhe të përmbushin përgjegjësi të interesit kombëtar, si kusht për të garantuar sigurinë kombëtare”, ka thënë deputeti Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat